Lindja e Shën Gjon Pagëzuesit: dëshmitar i Krishtit, profet e martir
Sot, Kisha Katolike përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të fundit të
Besëlidhjes së Vjetër e apostullit të parë të Jezu Krishtit. Kujtojmë se ai quhet
“Pagëzuesi” pikërisht sepse pagëzonte me zhytjen në lumin Jordan, të gjithë ata që
pendoheshin për mëkatet e bëra e dëshironin të fillonin një jetë të re në Zotin. Është
shenjti i vetëm, të cilit sëbashku me Shën Marinë, liturgjia i kujton edhe lindjen,
përveç vdekjes. Përkushtimi ndaj tij është përhapur jashtëzakonisht si në Lindje,
ashtu edhe në Perëndim. Ishte viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin
e Romës sundonte Tiberi perandor. Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë,
nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i
qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin njihemi për herë të parë në Ungjillin e Lukës,
i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një
mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull, se do t’i lindte një djalë. Ungjilltarët
e paraqesin Gjonin përmes përshkrimit të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me
martirizimin e tij, në atmosferën e një feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por
skena kryesore, që na propozon liturgjia e sotme për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes
Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë Krishti e larton Gjonin me shprehjen:
“Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh
se Gjon Pagëzuesi”. Nga ana tjetër ndër ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet
për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit
të tyre për të ndjekur Jezusin, ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe
për t’i zgjidhur lidhëzat e sandaleve. E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën
Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit,
“Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në
gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para
tij. Kush ka nusen, është dhëndër. Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e e dëgjon zërin
e dhëndrit. I tillë është, pra gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë
të zvogëlohem!”. Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë,
Jezu Krishtit Zot pranë popullit e atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni
e tregoi të pranishëm në mesin e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e
njerëzimit që merr falë e shlyen mëkatet e botës dhe nga populli kërkonte përgatitje
shpirtërore për ta përgatitur e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi pagëzimin
e pendesës e të kthimit të njerëzve tek Hyji. Shën Gjon Pagëzuesi është padyshim
profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e lumnisë (së bashku
me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit liturgjik, i kremtohet
si lindja, ashtu edhe vdekja), por gjithsesi ai mbetet gjithnjë vetëm një gisht tregues
i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë e historisë së shëlbimit. Prandaj
në poliptikun e elterit të Isenhaim-it, që ruhet në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit,
piktori Matia Grunevald që e pikturoi veprën ndërmjet viteve 1512 e 1516, e vendosi
Shën Gjonin tek këmbët e të Kryqëzuarit, me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit,
i vetmi që duhet të “rritet” në fenë e në adhurimin e nxënësve të vet. Ndërsa
piktori i famshëm italian, Karavaxho, me porosinë e Kalorësve të Maltës, që e kanë
zgjedhur Shenjtin si pajtor, realizoi kompozimin e njohur në mbarë botën, ‘Kokëprerja
e Shën Gjonit’.