2011-06-24 16:00:06

Kardinali Sarah në Bjellorusi, për 20-vjetorin e themelimit të metropolisë Minsk-Mohilev.


Kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, sapo u kthye nga Bjellorusia ku, të shtunën e kaluar, kryesoi kremtimin për shugurimin e katedrales së re të dioqezës së Vitebskut. Përfaqësonte, në këtë takim të shumëpritur, Papën Benedikti XVI.
Të dielën, pastaj, me ftesën e kryeipeshkvit Kondrusheviç, kardinali kryesoi, në Sheshin e Pavarësisë të Minskut, kryeqytet i vendit, kremtimin e Eukaristisë me rastin e 20-vjetorit të themelimit të metropolisë Minsk-Mohilev. Në kremtim ishte e pranishme gjithë hjerarkia bjelloruse, përfaqësues të Kishës Ortodokse Ruse, autoritete civile dhe një numër i madh ipeshkvijsh e meshtarësh, që kryejnë misionin e tyre në Rusi, Ukrainë, Letoni e Poloni. Kardinali Sarah shoqërohej nga zëvendës-sekretari i Cor Unum, imzot Segundo Tejado Munoz i cili shpjegon, në mikrofonin tonë, rëndësinë që pati, për Bjellorusinë, prania e kardinalit, si i dërguar i Papës:

Përgjigje: - Vizita e kardinalit Sarah, sipas meje, ishte vërtet e rëndësishme, pikërisht për t’i treguar një Kishe e një kombi, që ka vuajtur për shumë vjet nën thundrën e regjimit komunist, tepër të hekurt e tepër të vetëmbyllur, se Kisha universale ka qenë gjithnjë, e sot më shumë se kurrë, pranë kësaj Kishe të vuajtur. Në këto rrethana, prania e një kardinali afrikan i preku thellë njerëzit. Fëmijë e të rritur e shikonin me admirim të dukshëm... Prelati i lartë, nga Guinea-Konakri, ishte për të gjithë simbol i horizonteve të reja, që u hapën sot para Kishës e kombit, simbol i karakterit katolik, universal të Kishës. E pikërisht kjo u nënvizua më shumë nga ipeshkvijtë e nga besimtarët: lumturia, që të lind në shpirt, kur vëren me sy e prek me dorë se Kisha nuk është ai realitet, ndoshta i vogël, që shikon në vendin tënd. Kisha është shumë më e gjerë, më e madhe, më e bukur. Kisha është universale e i shikon me sytë e Krishtit, e jo të botës, Kishat e vogla, të martirizuara, si kjo e Bjellorusisë që, duke përballuar me guxim të pashoq persekutimin, u bënë vërtet të mëdha!

Pyetje: - Mund të na thoni diçka për ungjillëzimin e ri në Bjellorusi, vend që ka qenë për shumë kohë nën ateizmin komunist?
Përgjigje: - Do të nënvizoja përsëri hapjen e horizonteve për ungjillëzimin e ri. Të gjitha këto lëvizje, këto realitete, që lidhen me ungjillëzimin e ri, luajnë një rol të dorës së parë për t’i bashkuar popujt e ndryshëm e realitetet e ndryshme. Kryeipshkvi i Minskut na tha se me rastin e Ditës Botërore të Rinisë, do të nisin në Madrid një numër të madh të rinjsh. E, të mos harrojmë, rinia është pasuria e vërtetë e Kishës. E takimet e kësaj natyre bëjnë që në mendjen e të rinjve të lindë menjëherë mendimi: nuk jemi vetëm, e nuk jemi thjesht në këtë realitet kaq të vogël; jeta e Kishës sonë lidhet me shumë Kisha të tjera, me realitete të tjera e me udhë të tjera ungjillëzimi. Duhet theksuar edhe se Kisha e ruajti fenë përmes përshpirtërisë popullore, duke e transmetuar nga breznia në brezni. Besoj se në këtë çast, në një shoqëri të globalizuar, janë të nevojshme skemat, por edhe strukturat e format e ungjillëzimit të ri, që lidhin ndërmjet tyre kombet, popujt, Kishat e njerëzit.







All the contents on this site are copyrighted ©.