2011-06-24 14:09:58

Figura e Shën Gjon Pagëzuesit


Sot, Kisha Katolike përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit, profetit të fundit të Besëlidhjes së Vjetër e apostullit të parë të Jezu Krishtit. Kujtojmë se ai quhet “Pagëzuesi” pikërisht sepse pagëzonte me zhytjen në lumin Jordan, të gjithë ata që pendoheshin për mëkatet e bëra e dëshironin të fillonin një jetë të re në Zotin. Është shenjti i vetëm, të cilit sëbashku me Shën Marinë, liturgjia i kujton edhe lindjen, përveç vdekjes. Përkushtimi ndaj tij është përhapur jashtëzakonisht si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim. Por cila është arsyeja e kësaj veçorie liturgjike? Të dëgjojmë atë Italo Kolombinin, epror i përgjithshëm i Kongregatës së Shën Gjon Pagëzuesit Pararendës, institucion fetar mashkullor, që ka si qëllim të ndihmojë e të mbështesë meshtarët: Na e thotë Jezusi: “Ndër të lindurit nga gruaja, nuk ka më të madh se Gjon Pagëzuesi”.
Një shenjt, që ka jetuar në fshehtësi, në shkretëtirë, me lutje, me pendesë, si mund të imitohet, sidomos nga meshtarët e sotëm?
Po ta mendojmë mirë, bashkësia e parë para krishterimit ishte pikërisht e tija, me dishepujt, që më pas do të bëhen apostuj të Krishtit e do ta ndjekin atë të nesërmen e Pagëzimit të Jezusit nga shën Gjoni. Pra, shihet se lutja, pendesa, shkretëtira nuk janë pengesë për jetën në bashkësi, përkundrazi na bashkojnë edhe më shumë, pasi bashkimi i vërtetë nuk është thjesht grumbull njerëzish që qëndrojnë bashkë, duke gjykuar të tjerët, bashkimi i vërtetë fillon vetëm nga Zoti, që është bashkim dashurie. Rruga e bashkimit është në thelb rruga drejt takimit me Hyjin. Për mua, ky është shën Gjon Pagëzuesi: hyn në shkretëtirë, kërkon heshtje rreth vetes, në lutje, në pendesë për të braktisur çdo plan ideal tokësor, duke u distancuar nga kjo botë, duke e lënë Zotin t’i flasë zemrës. Në këtë mënyrë, Shën Gjon Pagëzuesi hyri në bashkim me Zotin.
Si ta kuptojmë e zbatojmë mesazhin e Shën Gjon Pagëzuesit sot?
Duke zbuluar kërkesën themelore e më të rëndësishme të jetës: njeriu ka nevojë për Hyjin. Shën Gjoni është vërtet njeri i Zotit, ai që ka lënë mënjanë gjithçka. Është gjithnjë i dyti, kurrë nuk kërkoi vendin e parë. Sot, të gjithë duan vendin e parë, mendojnë se do të jenë të lumtur aty, por nuk bëhemi të lumtur kur zotërojmë çdo gjë që duam. Shën Gjoni na mëson një sekret të madh për lumturinë: ajo arrihet kur vëmë në plan të parë Zotin, sepse jeta e të krishterit duhet të ketë gjithnjë parasysh jetën e amshuar. Si mund ta ndryshojmë jetën tonë? Së pari, duhet të ndryshojmë këtë mani për të qenë dikushi, për të pasur emër. Vetëm Hyji është Zoti i gjithësisë, Atij i takojnë nderi e lavdia. Duhet të vërejmë se ç’lind në ne, kur dashuria e Zotit hyn brenda nesh e ashtu si shën Gjon Pagëzuesi, nuk do të kemi frikë ta humbim jetën. Bashkimi me Zotin duhet të jetë thesari ynë i vetëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.