2011-06-24 15:54:21

Benedikti XVI R.O.A.C.O.-së: të respektohen të drejtat e të krishterëve të Lindjes së Mesme: janë vendas, jo të huaj!


Revoltat në vendet arabe dhe kushtet e vështira të jetesës së të krishterëve në Tokën e Shenjtë, ishin temat kryesore, që preku Benedikti XVI në fjalimin drejtuar anëtarëve të R.O.A.C.O.-s (Bashkimi i Veprave në Ndihmë të Kishave Lindore), të cilët i priti në audiencë, në Vatikan, në përfundim të asamblesë së tyre. Gjatë fjalimit, shqiptuar në shumë gjuhë, Papa uroi paqe e harmoni për popujt e Lindjes së Mesme, duke ripohuar me forcë se të krishterët e kësaj zone kanë të drejtë të plotë të jetojnë si bashkëqytetarë, sepse janë njerëz që i përkasin të njëjtit vend e se, prandaj, nuk duhen trajtuar kurrë si të huaj. Nga ana e përfaqësuesve të R.O.A.C.O.-së, Papën e përshëndeti kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore.

Në fjalimin e rastit, Benedikti XVI deshi t’u shprehë sidomos afërsinë e tij të krishterëve të Tokës së Shenjtë e, më gjerë, të mbarë Lindjes së Mesme, që pësojnë vuajtje të pafundme:
“Je vous demande de faire tout votre possible…
Ju kërkoj të bëni gjithçka është e mundur – i porositi Papa të pranishmit – duke i nxitur edhe autoritetet publike, me të cilat keni lidhje në nivel ndërkombëtar, që në zonën ku janë lindur, “barinjtë e besimtarët në Krishtin”, të mund të banojnë jo si të huaj, por si nënshtetas, që dëshmojnë Jezu Krishtin, ashtu si bënë, para tyre, shenjtorët e së kaluarës, edhe ata bij e bija të Kishave Lindore. Lindja e Mesme – shtoi Ati i Shenjtë – është, me plot gojën, “Atdheu i tyre”: prandaj pikërisht atje janë të thirrur, edhe sot, të punojnë, pa kurrfarë dallimi, për të mirën e të gjithëve, përmes fesë së tyre”.
Të njëjtin dinjitet – vërejti Ati i Shenjtë – dhe të njëjtën liri, duhet të gëzojnë të gjithë njerëzit, që praktikojnë fenë e krishterë, për të krijuar, kështu, kushte për bashkëpunim të frytshëm ekumenik dhe ndërfetar.
Duke folur në gjuhën gjermane, Papa Razinger kujtoi, si simbol të vuajtjeve të pësuara nga të krishterët lindorë, sulmin e tmerrshëm terrorist kundër katedrales siro-katolike të Bagdadit, tetorin e kaluar, pak ditë pas Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Ati i Shenjtë e dënoi përsëri me forcë këtë akt pa kuptim dhune, duke rikujtuar edhe një herë se gjaku i martirëve bëhet gjithnjë fara e të krishterëve të rinj.
Më pas, në gjuhën angleze, u ndalua tek ajo, që tashmë njihet si “pranvera arabe” në veri të Afrikës e në Lindjen e Mesme”.
“The Pope wishes to express his closeness…
Dëshiroj – nënvizoi Papa – t’u shpreh afërsinë time atyre që vuajnë, por edhe atyre që, të dëshpëruar në kulm nga jeta, përpiqen të ikin, duke shtuar, kështu, dyndjen e një emigracioni, i cili shpesh përfundon pa asnjë shpresë. Papa i nxiti të pranishmit t’i ndihmojnë me të gjitha forcat e me të gjitha mënyrat e mundshme të ndërmjetësimit, që të marrë fund një herë e mirë dhuna, të rivendosen harmonia shoqërore e bashkëjetesa paqësore dhe të respektohen të drejtat e individëve dhe të bashkësive.
Benedikti XVI kujtoi se edhe sot mbarë bashkësia katolike ecën në udhë jo të lehta të historisë, se i duhet të përballojë varfëritë e mëdha shpirtërore e materiale të botës, për të ofruar dashurinë e Krishtit e të Kishës, pikërisht për botën".
“Dashuria e krishterë nuk mbaron kurrë” (1Kor 13,8), thotë Shën Pali Apostull, e është e aftë t’i shndërrojë zemrat dhe botën, me forcën e Zotit, duke mbjellur e duke zgjuar kudo solidaritet, bashkim, paqe. Dhurata, këto, që u besohen duarve tona të brishta, por me bindjen se pushteti i Zotit vepron pikërisht në ligështi, në se dimë t’ia hapim zemrën hirit të tij, nëse jemi dishepuj të vërtetë, që përpiqen ta dëshmojnë besnikërisht me gjithë jetën e tyre”.
Ati i Shenjtë e përfundoi fjalimin, duke kujtuar se po afrohet Solemniteti i shën Pjetrit e shën Palit Apostuj. E sivjet, festa përkon edhe me një kremtim tjetër fatlum:
“Në këtë ditë do të falënderoj Bariun e Mirë, në 60-vjetorin e Shugurimit tim meshtarak. Jam shumë mirënjohës për lutjen e urimin tuaj, dhuratë që më kënaq pa masë. Ju kërkoj t’i luteni, bashkë me mua, “të Zotit të të korrave” (Mt. 9.38) t’i sigurojë Kishës e botës korrës të zellshëm në arat e pafundme të Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.