2011-06-23 16:03:01

Solemniteti i festës së Korpit e Gjakut të Krishtit


Sot bie Festa e Korpit të Krishtit. Ky solemnitet është mister i pakapshëm për mendjen njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet e gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin, në të cilin Krishti na la gjithë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër sakramente.
I Shenjtueshmi Sakrament, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe, kur Shpëtimtari i njerëzimit, Jezusi kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik.
Pra, në Eukaristinë Shenjte, Jezusi vërtetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashtershëm e i domosdoshëm për të gjithë shekujt. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame me apostujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi, shqiptoheshin fjalët: “sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Kështu, “secili më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!”.
Megjithëse Eukaristia është forcë e cila shkon përtej mirave të Kishave tona, sepse në këtë Sakrament Zoti është gjithnjë për udhë, drejt botës, udhëve të njerëzimit. Për këtë Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse. Në Bukën Eukaristike ne bashkohemi me Krishtin, e lemë veten të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues, Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Të.
Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajtën e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i jashtëzakonshëm dhe i paarritshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore, kërkon lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën e pavdekshme.
"Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, do të thotë përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës. Pra, në misterin e shenjtë të Korpit e Gjakut të Jezu Krishtit, Zoti i jep njerëzimit ushqimin, dhuratën e jetës, të bashkimit dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisë Shenjte që është burim e kulm i çdo shenjtërie, i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin dhe shpallin lavdinë e Tij të përjetshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.