2011-06-23 17:36:51

Revista Fjala e Paqes prill-maj 2011


FJALA E PAQES, NR. 3 (98) VITI XIII PRILL - MAJ 2011
Ju propozojmë revistën FJALA E PAQES, nr. 3 (98) prill-maj 2011
, lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër – Pult

E Shpirti ShenjMbrojtës,
të cilin do t’jua dërgojë
Ati në Emër tim,
ai do t’jua mësojë
të gjitha.
Gv. 14. 26

PAPA GJON PALI II I LUM

BENEDIKTI XVI, në Sheshin e Bazilikës Vatikanase , e diel, 1 maj 201, shpalli si i LUM “Shërbëtorin e Hyjit” Papa GJON PALI II. Vijon Homelia e Atit të Shenjtë:
Të dashur vëllezër e motra!
Para gjashtë vjetësh gjendeshim në këtë Shesh për të kremtuar funeralin e Papës Gjon Pali II.
E thellë ishte dhimbja për humbjen, por edhe më e madhe ishte ndjenja e një hiri të pamasë që e mbështillte Romën dhe krejt botën: hiri që ishte si fryt i gjithë jetës së Paraardhësit tim të dashur, dhe veçanërisht i dëshmisë së tij në vuajtje.
Që atë ditë ne ndienim në ajër erën e mirë të shenjtërisë së tij, dhe Populli i Zotit e ka shfaqur në shumë mënyra nderimin e vet për Të. Prandaj kam dashur që, me respektin e duhur ndaj normativës së Kishës, çështja e tij e lumturimit të mund të ecte me një shpejtësi të ekuilibruar.
Dhe ja që dita e pritur erdhi; erdhi shpejt, sepse kështu i pëlqeu Zotit: Gjon Pali II është i lumë!
Përshëndetje

Dëshiroj t'ju drejtoj përshëndetjen time të përzemërt të gjithëve ju që, për këtë rast të bukur, keni ardhur në numër të madh në Romë nga çdo anë e botës, Zotërinj Kardinalë, Patriarkë të Kishave Lindore Katolike, Bashkëvëllezër në Episkopat dhe në Meshtari, Delegacione Zyrtare, Ambasadorë e Autoritete, persona të kushtuar e besimtarë laikë, dhe e shtrij këtë përshëndetje te të gjithë ata që janë të bashkuar me ne nëpërmjet radios dhe televizionit.
E diela e Mëshirës Hyjnore
Kjo e Diel është e Dyta e Pashkëve, të cilën i Lumi Gjon Pali II e ka quajtur e diela e Mëshirës Hyjnore. Prandaj është zgjedhur kjo datë për Kremtimin e sotëm, sepse, nëpërmjet një plani provanor, Paraardhësi im ia dorëzoi shpirtin e vet Hyjit pikërisht mbrëmjen e vigjiljes së kësaj feste. Gjithashtu, sot është dita e parë e muajit maj, muajit të Marisë; si dhe është përkujtimi i shën Jozefit punëtor. Këto elemente ndihmojnë për ta pasuruar lutjen tonë, na ndihmojnë ne që jemi ende shtegtarë në kohë e në hapësirë; ndërsa në Qiell, krejt ndryshe është festa mes Engjëjve dhe Shenjtërve! E megjithatë, një i vetëm është Hyji, dhe një i vetëm është Krishti Zot, që si urë bashkon tokën e Qiellin, dhe ne në këtë moment ndihemi më shumë se kurrë afër, gati pjesëmarrës të Liturgjisë qiellore. “Lum ata që nuk panë e besojnë!” (Gjn 20,29). Në Ungjillin e sotëm Jezusi shpreh këtë lumturi: lumturinë e fesë. Ajo na bën përshtypje në mënyrë të veçantë, sepse jemi bashkuar pikërisht për të kremtuar një Lumturim, edhe më shumë sepse sot është shpallur i Lumë një Papë, një Pasardhës i Pjetrit, i thirrur për t'i forcuar vëllezërit në fe. Gjon Pali II është i lumë për fenë e tij, të fortë e bujare, apostolike. Dhe menjëherë na kujtohet ajo lumturia tjetër: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell!” (Mt 16,17). Çfarë i ka zbuluar Ati qiellor Simonit? Se Jezusi është Krishti, Biri i Hyjit të gjallë. Prej kësaj feje Simoni bëhet “Pjetër”, shkëmbi mbi të cilin Jezusi mund të ndërtojë Kishën e vet. Lumturia e amshuar e Gjon Palit II, që sot Kisha ka gëzimin ta shpallë, gjendet e gjitha brenda këtyre fjalëve të Krishtit: “I lumi ti, Simon” dhe “Lum ata që nuk panë e besojnë!”. Lumturia e fesë, që edhe Gjon Pali II e ka marrë si dhuratë prej Hyjit Atë, për ndërtimin e Kishës së Krishtit.
E lumja ti që besove
Por mendimi ynë shkon edhe te një lumturi tjetër, që në Ungjill u paraprin të gjitha të tjerave. Është ajo e Virgjërës Mari, Nënës së Shëlbuesit. Asaj, që sapo ka ngjizur Jezusin në kraharorin e vet, shenjtja Elizabeta i thotë: “E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” (Lk 1,45). Lumturia e fesë e ka modelin e vet në Marinë, dhe të gjithë jemi të lumtur që lumturimi i Gjon Palit II ndodh ditën e parë të muajit marian, nën shikimin amënor të Asaj që, me fenë e vet, mbështeti fenë e Apostujve, dhe vazhdimisht mbështet fenë e pasardhësve të tyre, sidomos të atyre që janë të thirrur të ulen në katedrën e Pjetrit. Maria nuk shfaqet në tregimet e ngjalljes së Krishtit, por prania e saj është si e fshehur kudo: ajo është Nëna, të cilës Jezusi ia ka besuar secilin prej nxënësve dhe tërë bashkësinë. Në veçanti, vërejmë se prania efektive dhe amënore e Marisë regjistrohet prej shën Gjonit e prej shën Lukës në kontekstet që u paraprijnë atyre të Ungjillit të sotëm dhe të Leximit të parë: në tregimin e vdekjes së Jezusit, ku Maria shfaqet në këmbët e kryqit (krh. Gjn 19,25); dhe në fillim të Veprave të Apostujve, që e paraqesin në mes të nxënësve të mbledhur në lutje në çenakull (krh. Vap 1,14). Edhe Leximi i dytë i sotëm na flet për fenë, dhe pikërisht shën Pjetri, plot me entuziazëm shpirtëror, shkruan duke u treguar të sapo-pagëzuarve arsyet e shpresës së tyre dhe të gëzimit të tyre. Më pëlqen të vë në dukje se në këtë pjesë, në fillim të Letrës së Parë të tij, Pjetri nuk shprehet në mënyrë nxitëse, por dëftore; në të vërtetë, ai shkruan: “Këndej gëzoheni” – dhe shton: “Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit” (1Pjt 1,6.8-9). Gjithçka është në dëftore, sepse ekziston një realitet i ri, i krijuar prej ngjalljes së Krishtit, një realitet i arritshëm prej fesë. “Zoti e bëri këtë gjë – thotë Psalmi (118,23) – sa mrekulli për sytë tanë!”, për sytë e fesë.

Thirrja në shenjtëri
Të dashur vëllezër e motra, sot shkëlqen në sytë tanë, në dritën e plotë shpirtërore të Krishtit të ngjallur, figura e dashur dhe e nderuar e Gjon Palit II. Sot emri i tij i shtohet radhës së Shenjtërve e të Lumëve që ai ka shpallur gjatë 27 vjetëve të pontifikatit, duke kujtuar me forcë thirrjen universale në masën e lartë të jetës së krishterë, në shenjtëri, sikurse pohon Kushtetuta konciliare Lumen gentium mbi Kishën. Të gjithë anëtarët e Popullit të Zotit – Ipeshkvinjtë, meshtarët, diakonët, besimtarët laikë, rregulltarët, rregulltaret – jemi në ecje drejt atdheut qiellor, ku na ka paraprirë Virgjëra Mari, e bashkuar në mënyrë të posaçme e të përsosur me misterin e Krishtit dhe të Kishës. Karol Wojtyla, në fillim si Ipeshkëv Ndihmës e pastaj si Arqipeshkëv i Krakovës, ka marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit dhe e dinte mirë se t'i kushtohej Marisë kapitulli i fundit i Dokumentit mbi Kishën donte të thoshte të vihej Nëna e Shëlbuesit si shëmbëlltyrë e model shenjtërie për çdo të krishterë dhe për gjithë Kishën. Ky vizion teologjik është ai që i lumi Gjon Pali II ka zbuluar që i ri dhe pastaj e ka ruajtur e thelluar për gjithë jetën. Një vizion që përmblidhet në ikonën biblike të Krishtit mbi kryq me Marinë, nënën e vet, afër. Një ikonë që gjendet në Ungjillin e Gjonit (19,25-27) dhe është përmbledhur në stemën episkopale e pastaj papale të Karol Wojtyla-s: një kryq ari, një “m” poshtë djathtas, dhe motoja “Totus tuus”, që i përgjigjet shprehjes së njohur të shën Luigj Maria Grinjon de Monfortit, në të cilën Karol Wojtyla ka gjetur një parim themelor për jetën e vet: “Totus tuus ego sum et omnia mea sunt. Accipio Te in mea omnia. Praebe mihi cor tuum, Maria – Jam krejt i yti dhe gjithçka që është imja është jotja. Të marr për çdo të mirë timen. Ma jep zemrën tënde, o Mari” (Traktati i devotshmërisë së vërtetë ndaj Virgjërës së Shenjtë, nr. 266).
Në Testamentin e vet i lumi i ri ka shkruar: «Kur ditën 16 tetor 1978 konklava e kardinalëve zgjodhi Gjon Palin II, Primati i Polonisë kardinal Stefan Wyszynski më tha: “Detyra e papës së ri do të jetë që ta shtjerë Kishën në Mijëvjeçarin e Tretë”». Dhe shtonte: “Dëshiroj edhe një herë t'i shpreh mirënjohjen time Shpirtit Shenjt për dhuratën e madhe të Koncilit II të Vatikanit, ndaj të cilit së bashku me tërë Kishën – dhe sidomos me tërë episkopatin – ndihem borxhli. Jam i bindur se ende edhe për shumë kohë brezat e rinj do të mund të marrin prej pasurive që ky Koncil i shekullit XX na ka dhënë”.

Mos kini frikë!
Si ipeshkëv që ka marrë pjesë në ngjarjen konciliare që prej ditës së parë deri në ditën e fundit, dëshiroj t'ua besoj këtë trashëgimi të madhe të gjithë atyre që janë dhe do të jenë në të ardhmen të thirrur për ta realizuar atë. Sa për vete, falënderoj Bariun e amshuar që më ka lejuar t'i shërbej kësaj çështjeje të madhe gjatë gjithë viteve të pontifikatit tim”. Dhe cila është kjo “çështje”? Është e njëjta që Gjon Pali II ka shprehur në Meshën e vet të parë solemne në Sheshin e Shën Pjetrit, me fjalët e paharrueshme: “Mos kini frikë! Hapjani, madje, hapjani tej më tej dyert Krishtit!”. Atë që i sapo-zgjedhuri Papë u kërkonte të gjithëve, ai vetë e ka bërë i pari: ia ka hapur Krishtit shoqërinë, kulturën, sistemet politike dhe ekonomike, duke përmbysur me forcën e një gjigandi – forcë që i vinte prej Hyjit – një prirje që mund të dukej e pakthyeshme. Me dëshminë e vet të fesë, të dashurisë dhe të guximit apostolik, të shoqëruar prej një ngarkese të madhe njerëzore, ky bir shembullor i Kombit polak i ka ndihmuar të krishterët e të gjithë botës që të mos kenë nevojë ta shpallin veten të krishterë, t'i përkasin Kishës, të flasin për Ungjillin. Me një fjalë: na ka ndihmuar të mos kemi frikë prej të vërtetës, sepse e vërteta është garanci e lirisë. Edhe më përmbledhtazi: na ka ridhënë forcën për të besuar në Krishtin, sepse Krishti është Redemptor hominis, Shëlbues i njeriut: tema e Enciklikës së tij të parë dhe filli përçues i të gjitha të tjerave.

Krishti është udha e njeriut
Karol Wojtyla u ngjit në fronin e Pjetrit duke sjellë me vete reflektimin e vet të thellë mbi ballafaqimin mes marksizmit e krishterimit, të përqendruar në njeriun. Mesazhi i tij ka qenë ky: njeriu është udha e Kishës, dhe Krishti është udha e njeriut. Me këtë mesazh, që është trashëgimia e madhe e Koncilit II të Vatikanit dhe e “timonierit” të tij Shërbëtorit të Hyjit Papa Pali VI, Gjon Pali II e ka udhëhequr Popullin e Zotit për të kapërcyer pragun e Mijëvjeçarit të Tretë, që pikërisht falë Krishtit ai ka mundur ta quajë “pragu i shpresës”.
Po, nëpërmjet ecjes së gjatë të përgatitjes për Jubileun e Madh, ai i ka dhënë Krishterimit një orientim të përtërirë nga e ardhmja, e ardhmja e Hyjit, transhendente në lidhje me historinë, por që ndikon në historinë. Atë ngarkesë shprese që i ishte dhënë në njëfarë mënyre marksizmit dhe ideologjisë së progresit, ai në mënyrë të ligjshme ia ka atribuar Krishterimit, duke i kthyer fizionominë e përnjëmendtë të shpresës, që duhet jetuar në histori me një shpirt “ardhjeje”, në një ekzistencë personale e bashkësiore të orientuar nga Krishti, plotësi e njeriut dhe përmbushje e pritjeve të tij të drejtësisë dhe të paqes.

Atë i Shenjtë na bekoni!
Së fundi, do të doja të falënderoj Hyjin edhe për përvojën personale që më ka lejuar të kem, të bashkëpunoj gjatë me të lumin Papën Gjon Pali II. Që më parë kisha pasur mundësinë ta njihja e ta çmoja, por që prej vitit 1982, kur më thirri në Romë si Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, për 23 vjet kam mundur t'i jem afër dhe ta nderoj gjithnjë e më shumë personin e tij. Shërbimi im është përkrahur prej thellësisë së tij shpirtërore, prej pasurisë së intuitave të tij. Shembulli i lutjes së tij më ka bërë gjithmonë përshtypje dhe më ka ndihmuar: ai zhytej në takimin me Hyjin, edhe në mes të punëve të shumta të shërbesës së tij.
E pastaj dëshmia e tij në vuajtje: Zoti e ka zhveshur dalngadalë prej gjithçkaje, por ai ka mbetur gjithmonë një “shkëmb”, sikurse Krishti e ka dashur. Përvujtëria e tij e thellë, e rrënjosur në bashkimin intim me Krishtin, i ka lejuar të vazhdojë ta udhëheqë Kishën dhe t'i japë botës një mesazh edhe më shprehës pikërisht në kohën në të cilën forcat fizike po i pakësoheshin. Kështu ai e ka realizuar në mënyrë të jashtëzakonshme thirrjen e çdo meshtari dhe ipeshkvi: të bëhet një i vetëm me atë Jezus, që ditë për ditë e merr dhe e jep në Kishë.
Lum ti, i dashur Papa Gjon Pali II, sepse ke besuar! Vazhdo – po të lutemi – ta përkrahësh prej Qiellit fenë e Popullit të Zotit. Shumë herë na ke bekuar në këtë Shesh prej Pallatit! Sot, po të lutemi: Atë i Shenjtë na bekoni! Amen.
Nga “L’Osservatore Romano”

MOTËR MARIE SIMON PIERRE NJË MREKULLI FEJE
Motër Marie Simon Pierre, rregulltaria e shëruar me ndërmjetësinë e Papës Gjon Pali II
prej sëmundjes së Parkinsonit
“Ky shërim i mrekullueshëm është një bekim për Kishën, për botën, por edhe për institutin tonë rregulltar të kushtuar tërësisht shërbimit të jetës, të familjes. Bekim që ne e pranojmë me gëzim, mirënjohje dhe përvujtëri”.
Motër Marie Simon Pierre Normand është dukshëm e emocionuar ndërsa flet në Circo Massimo gjatë vigjiljes që i paraprin me pak orë lumturimit të Gjon Palit II. Dëshmia e saj është më e pritura në vigjiljen që përmban edhe ndërhyrjet e kardinalit Dziwisz dhe të Navarro-Valls. Ja rregulltarja franceze e Motrave të Vogla të Amësive Katolike e shëruar nga sëmundja e Parkinsonit me ndërhyrjen e Papës Vojtila: mrekullia vendimtare për shpalljen e sotme në sheshin e Shën Pjetrit. E tregon historinë e saj duke iu përgjigjur me thjeshtësi pyetjeve: Sëmundja e Parkinsonit e kishte goditur në vitin 2001, kur ishte vetëm 40 vjeçare, dhe ishte e angazhuar në shërbimin e familjes dhe të jetës në lindje, karizëm e kongregatës së themeluar në vitin 1930 në dioqezën e Grenoblit dhe aktive në Francë e Senegali. Sëmundja ishte përkeqësuar gradualisht, duke ia kufizuar autonominë – ndër të tjera nuk mund të shkruante më – dhe duke e afruar rrezikun e detyrimit për të jetuar në karrocë: një vuajtje e pranuar falë dëshmisë së dhënë në sëmundje prej Gjon Palit II, forcën e guximin e të cilit rregulltarja i admironte shumë. “E dija se mund ta kuptonte atë që po jetoja”, thotë motër Marie Simon Pierre. Të gjitha bashkësitë e kongregatës luteshin për të, duke kërkuar shërimin e saj me ndërmjetësimin e Papës polak. Deri sa bënë edhe një nëntëshe. Eprorja e siguronte: “Gjon Pali II nuk e ka thënë ende fjalën e fundit”. Kthesa ndodhi natën mes 2 dhe 3 qershorit 2005. “Ajo që Zoti më ka dhuruar të jetoj atë natë”, shpjegon motër Marie Simon Pierre, “është një mister i madh, i vështirë për t'u shpjeguar me fjalë, aq i madh dhe i fortë. Është si një lindje e dytë, një jetë e re. Asgjë nuk është më si më përpara”. Pas pak orësh rregulltarja filloi të shkruante përsëri. “Asgjë nuk është e pamundur për Hyjin”, fjali e shënuar e para në letër. Dhe sidomos përqendrohej në lutje, për orë të tëra. Me një ndjesi paqeje e mirëqenieje, një lehtësi në trup, me fytyrë të shndërruar, duke rifituar funksionalitetin e gjymtyrëve. Pak ditë më pas neurologu do të konstatonte zhdukjen e të gjitha simptomave të sëmundjes. “Ai shërim – thekson motër Marie Simon Pierre – është fryt i lutjes së një familjeje të tërë rregulltare, një mrekulli e fesë”. E tani, te kush shkon mendimi i saj? Te Zoti, me mirënjohje, te Gjon Pali II, “por edhe te familjet e plagosura dhe te të sëmurët që kërkojnë lutjen tonë. Unë mbetem një Motër e Vogël dhe më intereson ta kryej shërbimin tim në thjeshtësi e në gëzim pranë nënave dhe më të vegjëlve”.
Nga “Avvenire”
FESTA E MINISTRANTËVE NË VELIPOJË
“Të pagëzuar në Krishtin, të veshur me Krishtin”. Kjo ka qënë motoja e festës së tretë diçezane të minstrantëve të realizuar në Velipojë më 7 maj 2011. Një festë që ka pasur në qëndrën e vet reflektimin mbi pagëzimin tonë , duke u nisur prej mesazhit për kreshmë të Papës Benedikti XVI. Një festë shum e bukur, një takim shum miqësor, me pjesëmarrjen e të gjithë fëmijëve dhe shoqëruesve. Dhe sidomos, me pranin e Ipeshkëvit tonë. Një festë që u pëlqen fëmijëve para së gjithash sepse mund të kalojnë një ditë të ndyshme prej të gjitha të tjerava dhe pastaj sepse mund t'u komunikojnë të gjithëve gëzimin se janë në shërbim të altarit. Për këtë festë ndjejmë t'i themi faleminderit Zotit që na ka lejuar të takohemi, meshtarëve tanë, motrave dhe shoqëruesve që besojnë në ne dhe na angazhojnë në veprimtari të ndryshme dhe në organizimet e ditës, salezianët dhe animatorët salezianë të don Boskos.
Faleminderit dhe fëmijëve që kanë marrë pjesë me entuziazëm në këtë ditë të cilët edhe pse të shumtë në numër, kanë qënë të aftë të jetojnë me angazhim lutjen, meshën dhe veprimtaritë e paraqitura. Qendrave dhe famullive që nuk kanë mundur të marrin pjesë duam t'ua përshkrujamë pak atë që kemi bërë dhe se kush ka qënë i pranishëm. Si në vitet e kaluara, mikpritjen dhe të gjitha momentet kryesore i kemi jetuar në teatrin e Famullisë së Velipojës, me këngë, valle, banse dhe paraqitje të grupeve të ndryshme. Pas lutjes së fillimit, qe përshëndetja e Dom Vlash Palaj, qoftë si i zoti i shtëpisë, qoftë si përgjegjësi dioçezan i Baritores Rinore. Pas kësaj, mikrofoni kaloi në duart e Dom Gino Martucci, drejtorit tonë i cili koordinoi pak a shum të gjithë festën. Në mesazhin e fillimit, dom Gino falënderoi çdo famulli dhe qendër për praninë. Gjithsej ishin më shumë se 400. Pastaj falënderoi shoqëruesit, përgjegjësit e çdo qëndre dhe Ipeshkëvin i cili u drejtoi fëmijeve të pranishëm një përshëndetje të shpejtë. Pastaj të gjithë në kishë për Meshën e shenjtë të udhëhequr prej ipeshkëvit tonë dhe të bashkëkremtuar pre të gjithë meshtarëve të pranishëm. Gjatë meshës të gjithë ministrantët që kishin marrë më vete veshjen e bardhë, edhe pse prej vendit mundën të shërbenin. Disa duke përfaqësuar famullitë e veqanta, kanë shërbyer në altar. Një Meshë e bukur, edhe pse vitn e kaluar do të duhet të angazhohemi më shum në animacion.
Pas Meshës lojrat me stenda për të rizbuluar elementet e pagëzimit tonë : vaji, uji, veshja e bardhë dhe drita, pastaj mbledhja e thjerrëzave. Një sfidë deri në thjerrëzen e fundit! Kush kishte më shumë thjerrëza fitonte. Fitimtarë të festës qenë fëmijët e famullisë së Velipojës. Pas lojrave dhe përshëndetjeve, ka qënë dreka, loja e lirë dhe larja në detë për ata që kishin dëshirë dhe mundësi. Ndërsa falënderojmë Zotin për këtë ditë feste, që tani caktojmë takimin për vitin e ardhshëm, të parën të shtunë të majit, e shtunë 5 maj 2012!
Një animator ministrant
KUMTESA MBI DINJITETIN E GRUAS
Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult, edhe këtë vit organizoi kumtesat gjatë kohës së kreshmeve me temë: Mulieris Dignitatem: Mbi dinjitetin dhe thirrjen e Gruas, marrë nga enciklika e Papës Gjon Palit të dytë. Si çdo herë këto tema vazhdojnë të bëhen më interesante. Edhe këtë radhë në secilën prej tyre pjesëmarrja dhe pytjet e drejtuara kumtuesve të ftuar kanë qënë të shumta. Për më tepër kësaj here flitej për dinjitetin, të drejtat por mbi të gjitha dhurata që gruaja është. Në këtë kontekst le të bëhen përsonale fjalët:“Faleminderit ty, grua-nuse që e bashkon në mënyrë tè pathyeshme fatin tënd me atë të një burri, në një marrëdhënje dhurimi të ndërsjelltë, në shërbim të bashkësisë dhe të jetës… faleminderit ty, grua e kushtuar, që nën shembullin e më të madhes grua, Nënës sé Krishtit, Fjalës së mishëruar i hapesh me ëmbëlsi dhe besnikëri dashurisë së Hyjit, duke e ndihmuar Kishën dhe krejt njerzimin për të jetuar ndaj Hyjit një përgjigje “martesore që shpreh në mënyrë të mrekullueshme bashkësinë që Ai dëshiron të ketë me krijesën e vet”.
Kumtesa e parë: Dinjiteti i Gruas në vizionin e Biblës dhe plotësia e saj te Maria, nga Atë Gazmend Tinaj OFM. Himne falenderimi duhet të shprehen ndaj dhuratës së pazevëndësueshme që është gruaja. Ajo është Theotòkos: Nëna e Hyjit, emër i veçantë i cili ju dha Marisë Virgjër. Maria është Gruaja që në këtë mënyrë përfaqëson njerzimin.
Ndërsa kumtesa e dyte: Gruaja në kohën e Jezusit: reflektime duke u nisur prej Ungjillit. nga Dom Marjan Gega, i cili i dha një vizion historik rolit dhe të drejtave të grave në histori dhe në jetën e Kishës, por edhe theksoj rëndësinë që figura e gruas ka në Shkrimin Shenjt. Me ardhjen e Jezusit pozicioni i gruas shëndërrrohet. Jezusi flet me gratë per punët hyjnore dhe ato e kuptojnë. Gruaja prej Jezusit ndihet e kuptuar, e dashur, dhe e respektuar. Ndersa Kumtesa e tretë; Amësia apo Virgjëria: Dy përmasa të thirrjes së gruas, nga Motër Teuta Buka. Fjalët e Marisë në Lajmërim: “me ndodhtë siç the ti”, tregojnë gatishmërinë e gruas për dhurimin e vetëvetes dhe për pranimin e jetës së re… Të lindurit njerzor është i përbashkët për burrin dhe për gruan, e megjithatë edhe pse të dy së bashku janë prindër të fëmijës së tyre, amësia e gruas e përbën një pjesë të veçantë të të qenit prindër. Gruaja është ajo që paguan drejt per drejt për këtë lindje të përbashkët. Amësia mban në vetëvete karakteristika të veçanta ndaj misterit të jetës. Maria mbetet gjithmonë personi i parë në të cilin Zoti i ralizoj dy përmasat njerzore: Amësi dhe Virgjëri. Në këtë kontekst mund të konsiderohet edhe virgjëria si një rrugë për gruan, në të cilën në një menyrë të ndryshme realizon personalitetin e saj si grua duke u bërë dhurim i sinqertë për Hyjin e zbuluar në Jezu Krishtin Shëlbues të njeriut dhe Dhëndërr të shpirtërave, Ideal ungjillor i cili realizohet në një formë të veçantë në dinjitetin dhe thirrjen e gruas. Ajo heq dore nga martesa, dhe amësia fizike duke e shëndërruar në amësinë shpirtërore.
Kumtesa e fundit: Dinjiteti dhe misioni i gruas në Kishë dhe në shoqëri, nga Prof. Loreta Prela.
Pohon Pali i VI: si në asnjë besim tjetër, në besimin e krishterë gruaja që prej fillimit ka një status të veçantë dinjiteti, aspekte jo të pakta të cilat na i verteton Besëlidhja e Re … është e dukshme se gruaja është e caktuar të bëjë pjesë në strukturën e gjallë dhe vepruese të Krishtërimit në mënyrë të konsiderueshme sa ndoshta ende nuk janë shpjeguar të gjitha virtualitetet e saj. Të japësh do të thotë të bëhesh dhuratë e sinqertë në mënyrën më të plotë dhe rrënjësore. Duke prekur historinë mund te theksohet, se në çdo epokë dhe në çdo vend gjejmë gra të shenjta që pavarsisht nga vështërsitë, vuajtjet apo përndjekje, duke qënë të rrënjosura në Krishtin kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori. Dëshmia dhe veprat e grave të krishtera kanë pasur dhe kanë edhe në ditët tona një ndikim të madh në jetën e kishës dhe të shoqërisë.
Motër Dukata Radoja
PAPA GJON PALI II PËRKUJTOHET NË SHKODËR
Lajmi i Lumturimit të Shërbëtorit të Hyjit Gjon Pali II më 1 maj të këtij viti, kam bindjen se nuk abiti askënd pasi të gjithë kujtojmë thirrjen dhe parullën “shenjt menjëherë”. Prandaj edhe Kisha në Shkodër nuk mund të mos ishte falenderuese ndaj Hyjit për hiret që Ai derdh në Kishën e tij.
E ndërsa për të kremtuar Lumturimin e Gjon Palit të II, Sh. T. Imzot Angelo Massafra shkoi në Romë, Dioqeza Shkodër-Pult dhe Famullia e Shën Shtjefnit Shkodër organizuan dy ditë të kujtimit dhe bashkimit me mbarë Kishën në këtë ngjarje sa të shenjtë aq edhe të dashur. Ditën e shtune, dt. 30 prill 2011, ora 19:00 u kremtua një Vigjilja dhe mbrëmje meditimi, tek Salla “Kardinal Mikel Koliqi” ku të ftuar të veçantë në këtë vigjilje ishte mjeshtri Mirush Kabashi
meditimet u shoqëruan nga kuarteti nën drejtimin e Anton Kaftallit. Gjithashtu u projektua nji sekuencë filmine që i përkiste vizitës së Gjon Palit të II në Shqipëri dhe në Shkodër në prillin e 1993. Ky fakt historik e ka bërë edhe më të dashur këtë Papë për mbarë popullin shqipëtarë dhe mendoj se kjo ishte arsyeja që të tre krerët e Shtetit shqipëtar ditën e Lumturimit të Gjon Palit të II ishin të pranishëm në piacën e Shën Pjetrit në Romë duke përfaqësuar edhe ata popullin dhe mirënjohjen shqipëtare për Papën që ndikoi aq shumë në shemnbjen e komunizmit dhe ripërtëritjen e fesë dhe hierarkisë në Shqipëri. Ditën e diele, 1 maj 2011, ora 10:00, në festën e Mëshirës Hyjnore të shpallur nga vetë Gjon Pali II, në meshën kryesore që kremtohet në Katedralen e Shën Shtjefnit Shkodër, ishte i ftuar për të udhëhequr meshën Sh. T. Imzot Ramiro Moliner Inglés - Ambasador i Vatikanit në Shqipëri. Nunci Apostilik do të ndalej në atë çfarë ishte për Kishën dhe popujt Gjon Pali II. Prania e Nuncit në këtë kremtim na bashkoi edhe më fort me Papën Benedikti XVI i cili po në ato çaste po shpallte lutjen e lumturimit për Gjon Palin e II. Pas Meshës në Katedrale u projektua një lidhje transmetimi direkt nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan nga mesha e Lumturimit.
E gjitha do të mbydhej poshtë ballkonit të Arqipeshkvisë ku ishte vendosur një gjiganto fotografi e Gjon Palit të II prej nga kishte bekuar Shkodrën dhe Shqipërinë më 25 prill 1993. Poshtë ballkonit nxënësit e Shkollës “Maria Ndihmëtare” të motrave salesiane përformuan disa numra artistik e festiv.
Don Gjovalin Suka
TË RRËNJOSUR E TË THEMELUAR NË KRISHTIN TË FORTË NË FE
Kjo ishte tema që i mblodhi të rinjtë e dioqezës së Shkodrës për të kremtuar ditën e rinisë. Dioqeza e Shkodrës përjetoi gjatë katër të shtunave gjallëri, entuziazëm, dëshmi feje nga të rinjtë e saj. Katër data për katër zona baritore ishin një festë e vërtetë për tërë dioqezën. Programi i strukturuar nga komisioni dioqezan i rinisë, edhe pse ne dukje i njëjtë, u përjetua në forma të ndryshme nga të rinjtë e secilës zonë baritore.
Të shtunën më 2 prill, të rinjtë e 10 famullive të zonës nr 2, u bashkuan në kishën e “Shën Jozefit”, Dajç. Të rinjtë pjesëmarrës në këtë takim ishin të shumtë në numër. Kisha e mbushur plot me të rinj dukej sikur “e zhvishte” nga vuajtjet e përmbytjeve të janarit, për ta veshur me entuziazmin e shpirtrave rinorë.
Të shtunën më 9 prill, dyert e motrave saleziane do të hapeshin për të pritur të rinjtë e zonës nr 3. Edhe pse një pjesë e tyre kishin udhëtuar e vinin nga famullitë e thella, lodhja e tyre u pasqyrua në një gatishmëri për ta pranuar fjalën, për ta dëgjuar e përfshirë në ligjërata. Të qenit në ambientet saleziane e bënte me të lehtë organizimin, sepse të rinjtë e ndienin se ishin në strofullën e tyre, në shtëpinë e tyre.
Të shtunën më 16 prill, ishte dita e rinisë për zonën nr 1, për zonën e qytetit. Oborri i fretërve në Gjuhadol i mirëpriti të rinjtë e grupeve të qytetit dhe të zonës përreth. Rrënjët, themelet që papa i thekson fort ne mesazhin e tij ishin të vulosura aty.
Të shtunën më 8 maj, të rinjtë e zonës nr 4 nuk janë mjaftuar vetëm duke e njohur historinë, trashëgiminë, rrënjët e tyre, por kanë dashur edhe ta përshkojnë atë. Famullitë e Komanit, Stajkës, Jubanit, Rrencit, Gurit të Zi, Sheldisë dhe Rragamit gjatë paradites janë ngjitur në malin e Sheldisë, ku gjatë komunizmit meshtari dom Loro Noda ka dhënë sakramentet në fshehtësi.
Në një dilemë se si duhet ta organizojë ditën e rinisë, komisioni dioqezan i rinisë, gjatë këtij viti solli një mënyre të re të të bërit festë. Momentet artistike, muzikore u zëvendësuan me një trajtim më të gjerë të mesazhit të papës e me momente adhurimi. Programi i ditës në të katër zonat baritore kishte këtë strukturë: Pasi të rinjve ju urohej mirëseardhja nga prezantuesit, njiheshin me temën e mesazhit të Papës Benediktit XVI. Më pas bihej njohja më tepër me këtë mesazh përmes vikarëve zonalë. Shkëlqimi i ditës së rinisë është rritur akoma me tepër nga prania e Imzot Angelo Massafra, arqipeshkëv metropolitan i Shkodër - Pult. Prania e arqipeshkvit u shfrytëzua për të zhvilluar me tëe një bashkëbisedim në lidhje me mesazhin e papës, të parë në kontekstin tonë shoqëror. Biseda përqendrohej në 5 pyetje, të cilat do t'i paraqesim shkurtimisht edhe për të gjithë lexuesit e “Fjalës së Paqes”.
Pas bisedës me Imz. Angelo Massafra, programi vazhdonte me disa momente artistike. Grupi i Ravaskos duke e trupëzuar artistikisht mesazhin e Papës u bënte thirrje të rinjve që të mbjellin në jetën e tyre dhe të atyre që i rrethojnë Lajmin e Gëzueshëm. Pas një pushimi për disa minuta të rinjtë bashkoheshin në kishë për adhurim e rrëfime, momente këto që janë një peshore e mirë për parë nëse fara e mbjellë ra në një terren të mirë. Pas momenteve të adhurimit dhe Bekimit me të Shenjtërueshim Sakrament, të rinjtë u përshëndetën edhe nga kryetari i komisionit dioqezan të rinisë dom Vlash Palaj që shënonte edhe fundin.

BASHKËBISEDIMI ME IMZOT ANGELO MASSAFRA
1. Papa në mesazhin e tij u bënë thirrje të rinjve, duke u kërkuar që të marrin nga brezat që i paraprijnë pika të qëndrueshme mbështetje.
- Imzot, sa të sigurt jemi ne për t'u mbështetur tek prindërit tanë, të cilët jetuan, u formuan, u doktrinuan nën mantelin e një regjimi komunist, ku Zoti shpallej se nuk ekzistonte ose që kishte vdekur?
Të dashur të rinj, Ati i shenjtë na fton që të dimë ku të mbështetemi. Na drejtohet me qartësi duke nënvizuar rëndësinë e vlerave të thella të krishterimit. Mund të përmendim disa: Zoti, familja, respekti i thellë i personit njerëzor, e vërteta, jeta e fesë e shprehur në bashkim me kishën etj. Familja është vlerë e madhe ku duhet të mbështetemi. Edhe pse prindërit tanë kanë jetuar në një moment të vështirë ku vlerat e sapo përmendura nuk konsideroheshin aspak, ngelen si vlera të thella dhe të qëndrueshme. Prindërit tanë kanë jetuar në një moment kritik, kanë bërë atë që kanë mundur. Ne duhet t'i ndihmojmë ata për të kuptuar ndryshimin e kohërave. Pastaj duhet të kemi parasysh që përpara ishte familja ajo që vendoste për gjithçka, për fatin e fëmijëve të vet, për të ardhmen e tyre. Edhe tani ne kontekstin tonë familja ka një fuqi vendosmërie. Por familja duhet ta dijë se rrit, vet para vetes shoqërisë e Zotit. Të rinjtë e sotëm patjetër duhet të mos hedhin tej të kaluarën. Nga ana tjetër nevojitet një njohje e së tashmes, e realitetit ku jetojmë, të asaj që na bën mirë e të asaj që na bën keq. Fizionomia e re e të qenit katolik krijohet duke ndërthurur harmonikisht të kaluarën me të tashmen. Nëse nuk e njohim të kaluarën, nuk mund të kuptojmë të tashmen. Ju nxis të krijoni fizionominë të qenit katolik në Krishtin. Është Ai që i jep kuptim jetës. Shuan etjen tonë për lumturi, bashkim, paqe. Në ditët e sotme duke qenë në kontakt me rinjtë i shoh nga njëra ana, të zellshëm për t'ju hapur mirësisë së Tij, nga ana tjetër disi të ndrojtur, për ta lënë veten të rroken prej tij. Me bien ne mend fjalët e Gjon Palit II “Mos kini frikë, hapjani derën e zemrës suaj Krishtit”. Me pas edhe fjalët e Benediktit XVI: «Krishti nuk ju merr asgjë, me Të pasurohemi, në vlerat në njerëzim. Me Të nuk jemi më pak njerëz, por më shumë njerëz». Do të thosha se të rinjtë i shikoj të flaktë dhe me dëshirë të madhe për të ndjekur gjërat më të larta. Shoqëria, ambienti, kultura relativiste ndikon jo për mirë. Kjo e fundit nxit një frymë mospërfillëse ndaj Hyjit, ndaj vlerave të ungjillit. Si gjithmonë kemi nevojë për dëshmitarë koherentë. Në ditët e sotme janë rrufepritëse të sigurta dhe të vazhdueshme, sidomos për kohët më të vështira.
3. Historia e popullit shqiptar është një histori e mbushur me vuajtje, me përpjekje të shumta për mbijetesë. E gjithë historia ngjan me një kalvar vuajtjesh. E ndërsa sot duket se është ndryshe, kemi me tepër dëshirë të shkojmë drejt gjërave me të lehta, drejt gjërave me pak të mundimshme. Koha të cilën Kisha po jeton është kreshmët, kryefjala e së cilës është kryqi, mundimi.. – Sa tërheqës është kryqi për të rinjtë shqiptarë?
Sigurisht askujt nuk i pëlqen kryqi, as Jezu Krishtit nuk i pëlqente, por për dashuri ndaj Atit dhe për dashurinë tonë e ka pranuar kryqin për të na shëlbuar ne. Kryqi me të vërtetë na frikëson…Prindërit tanë janë mësuar të jetojnë me sakrifica. E ndërsa sot prindërit i llastojnë shumë fëmijët. Ata duhet t'i edukojnë të rinjtë jo me ndjenjën e detyrimit por atë të dashurisë, sakrificës dhe vetëmohimit. Kur Jezusi paralajmëron vdekjen e Vet, Pjetri zëmërohet e thotë : «S'do të ndodhë kurrë kjo gjë, sepse jemi ne» Të dashur të rinj, vetëm Kryqi na shpie tek ringjallja. Me Jezusin kryqi mbartet më lehtë. Martirët tanë, gjyshërit dhe prindërit tuaj, nga kush e kanë marrë forcën për të përballuar torturat gjatë kohës së komunizmit!!! Nga kryqi… Ta takojmë Jezusin me një fe të pjekur dhe të qëndrueshme:Në ungjill, në Eukaristi- pendesë, në katekizmin e Kishës Katolike, në lutje, në vëllezërit e motrat e varfër dhe të sëmurë.
4. Papa u drejtohet të rinjve më këto fjalë: «Të dashur të rinj, Kisha ka besim tek ju!» dhe vazhdon me tej duke u thënë të rinjve se jo vetëm ka besim por ka nevojë për besimin e tyre për një ripërtëritje të kishës. Sa e aftë është Kisha në Shqipëri t'ua besojë këtë trashëgimi të rinjve?
Së pari duhet ta kuptoni se Kisha jeni ju, jemi secili prej nesh. Gjatë punës sime gjithmonë kam nxitur dhe nxis në formimin e të rinjve. Vazhdimisht këmbëngul që të zhvillojmë aktivitete baritore me të rinjtë universitarë, gjë që nuk është e lehtë… Pa formim nuk mund të jemi gurë të gjallë në Kishë dhe në shoqëri. Kumtesat mbi doktrinën shoqërore të Kishës kanë pasur pikërisht këtë qëllim, për të formuar dhe sensibilizuar të rinjtë. Është e nevojshme që famullitaret dhe bashkëpunëtorët të angazhohen me tepër në formimin e laikëve, të rinjve dhe të rriturve, që në një të ardhme të mund t'u besohet atyre përgjegjësia në shërbim ndaj kishës dhe shoqërisë. Një problem dhe një pengesë e madhe lind nga emigrimi. Sa të rinj që janë formuar në qendrat tona baritore kur famullitari ka menduar t'u besojë atyre një përgjegjësi në kishë, të rinjtë largohen. E atëherë duhet të fillosh edhe njëherë prej fillimit…
5. Shoqëria në përgjithësi dhe ajo shqiptare në veçanti duket sikur po kalon një krizë të thellë vlerash. Imoraliteti, korrupsioni, krimet në familje duket sikur po i zënë “mat” vlerat. Sa (Si) ndikon ky realitet në motivimin, nxitjen e besimit tek të rinjtë?
E gjithë kjo situatë është një situatë shkurajuese për të rinjtë. Kriza e vlerave i ka rrënjët e saj këtu: tek mungesa e besimit në Zotin, në refuzimin e Zotit të vërtetë. Kjo kërkon forcë e qëndrueshmëri për të luftuar kundër së keqes, kundër mëkatit. Njeriu është krijuar vërtet për atë çka është e madhe, për të pafundmen. «Relativizmi i përhapur, sipas të cilës gjithçka është e barasvlershme absolute, nuk krijon lirinë e vërtetë dhe asnjë pikë referimi absolut, nuk krijon lirinë e vërtetë, por paqëndrueshmëri, përhumbje, konformizëm me metodat e çastit» thotë Papa në mesazhin e tij. Përsëri duke iu referuar Papës “Zgjedhja për të besuar në Krishtin dhe për ta ndjekur atë nuk është e lehtë; ajo pengohet nga pabesitë tona vetjake dhe nga shumë zëra që na tregojnë udhë më të lehta. Mos lini t'ju lëshojë zemra...” Edhe ju, nëse do të besoni, nëse do të dini të jetoni dhe të dëshmoni besimin tuaj çdo ditë, do të bëheni mjeti që të rinj të tjerë si ju të gjejnë sërish kuptimin dhe gëzimin e jetës që lind nga takimi me Krishtin! E përfundoj duke ju bërë thirrje «Jini artizanë të paqes, promovues të drejtësisë».
Marinela Buxha
NDËRROI JETË FRA FLAVIO MEDAGLIA
Natën e së dielës, më 22 maj, pranë L'Eremo Montepaolo, vdiq papritmas Fra Flavio Medaglia. Fra Flavio ishte 65 vjeç, prej të cilave 42 vite i kaloi si rregulltar dhe 34 si meshtar.
Fra Flavio u lind më 13 maj të vitit 1946 në Bolonjë dhe po aty hyri në urdhrin françeskan në vitin 1965 ku, pasi kreu studimet dhe mori kushtet e përjetshme, u shugurua meshtar. Si meshtar i ri, Fra Flavio u transferua në “La Grazie” të Riminit si Animator Thirror deri në shtator të vitit 1979. Për tre vjet Fra Flavio qëndroi në Ferrara me detyrën e Kapelanit famullitar dhe nga viti 1980 u emërua Mësues i Formimit të Seminarit françeskan. Në shtator të vitit 1982 ai u transferua në Imola si Guardian i kësaj Vëllazërie për të cilën do të kujdesej për 9 vjet. Ndër të tjera iu kushtua edhe kujdesit të Grupit AGESCI me seli në të njëjtin Kuvend të Urdhrit dhe si kapelan në spitalin Civil të Imolas. Në vitin 1995 kërkoi dhe mori lejen që të mund të vinte në Shqipëri si Misionar, ku dhe u emërua Famullitar në Famullinë e Shna Ndout në Tiranë. Në vitin 2003 rikthehet në Itali dhe qëndron pranë L'Eremo di Montepaolo për të rimarrë forcat dhe energjitë e shpenzuara në tetë vjetët e misionit në Shqipëri. Fra Falvio i është kushtuar me një bujari të madhe angazhimeve baritore, duke afruar me simpati dhe spontanitet të gjithë personat që takonte dhe e jetoi jetën rregulltare me një zell të madh.
Funerali u zhvillua të martën më 24 maj 2011, pranë Kishës së Shën Françeskut në Forli' në orën 11.00.

E KREMTJA E ZOJËS SË KËSHILLIT TË MIRË
Më 26 prill të këtij viti, ndërsa e gjithë Kisha ishte në tetëditëshin e festës së Pashkëve, Kisha në Shqipëri ndërsa këndonte Aleluja për fitoren e Krishtin kremtoi të kremten tradicionale të Pajtores së popullit shqiptar që është Zoja e Këshillit të Mirë. Më 25 prill, në ora 18.00 u zhvillua një Vigjilje adhurimi ku u lut për popullin dhe kishën në Shqipëri.
Ashtu siç është zakon, Shenjtërorja ishte e mbushur në çdo cep brenda dhe jashtë. Mesha u kremtua në ora 10.00 nga Sh. T. Imzot Gjergj Frendo – ipeshkëv ndihmës i dioqezës së Tiranë-Durrës, i cili gjatë predikimit që mbajti veç rëndësisë që i dha kohës së Pashkëve u ndaj tek roli i Marisë dhe tek sjelljet e saja aq besnike sa të ishte e para grua e ringjalljes. Ishin të pranishëm, Imzot Angelo Massafra – arqipeshkvi ynë, Nunci Apostilik, Imzot Lucjan Avgustini, at Gazmend Tinaj, si dhe bashkëkremtuan një numër i madh meshtarësh nga të gjitha dioqezat.
Por ky kremtim pati edhe një kujtim shumë të dashur pasi meshtari Dom Gjergj Simoni kremtonte po në këtë ditë 20 vjetorin e kremtimit të meshës së tij të parë si i pari meshtarë shqiptar i shuguruar pas regjimit komunist.
Plot emocione në fund të meshës do të përshëndeste Dom Gjergji të gjithë duke u kujtuar atyre se asgjë nuk mund t'i ndal planet e t'madhit Zot: Zoti është besnik.
Don Gjovalin Suka
JUNIORES NË FSHATIN E PAQES
Dëshira për t'u konfirmuar në ngjalljen e Krishtit ishte arsyeja e gëzimit dhe e takimit të Junioreve, ditën e shtunë më 07 maj 2011 në Fshatin e Paqes. Ky ishte një ndër takimet e radhës që ne zakonisht mbajmë dhe kësaj radhe tema e meditimit, e reflektimit dhe e bashkëndarjes ishte: Nga Liturgjia në jetë, nga jeta në Liturgji përgatitur Dom Dorian Mejshtri. Ai është përpjekur të na thellojë në këtë temë fillimisht duke trajtuar se çfarë është Liturgjia, si: Liturgjia është vepër e Krishtit dhe e Kishës, aktualizim dhe promovimi Hyjit sot, bashkim me Hyjin dhe me vëllezërit,….karakteristikat e saj: simbolike, depërtuese, personale dhe bashkësiore,… përmasa e të jetuarit të saj: universi, historia, misteri, si dhe në të njëjtën kohë Liturgjia kërkon, nënkupton, aktualizon dhe plotëson katekezën.
Duke qenë se jemi në kohën e Pashkëve jemi ndalur më shumë tek ritmi i Pashkës: dëshira për t'u konfirmuar në ngjalljen e Krishtit. Kemi marrë si model progresin shpirtëror të Shën Palit, si ka arritur në përvetësimin e ndjenjave të Birit, madje një përvetësim i tillë saqë Pali e merr jetën e Krishtit si jetën e vet personale “jeta ime, jeta jonë” (krh Kol 1,24). Duke shqyrtuar gradualisht progresin e Palit, kemi parë se pikëmbërritja e këtij procesi, identifikimi me vdekjen dhe me ngjalljen e Krishtit është dhuratë aktive e jetës vetjake. Prandaj secili prej nesh mund të arrijë në një nivel të tillë shpirtëror sepse është vetë Jezusi që përballë perspektivës së vdekjes që i ofrohet, pohon me kurajë: “Jetën time…. Askush nuk ma heq, por e ofroj prej vetvetes për të gjithë”.
Pastaj kemi medituar personalisht mbi këtë përmbajtje, kemi punuar në grupe, kemi pasur momentin e bashkëndarjes dhe e kemi përfunduar këtë ditë me kremtimin e Eukaristisë.
Falënderojmë Zotin për hiret që na i jep, të gjithë ata që mundohen të na ndihmojnë për të përvetësuar këtë hir dhe të gjithë ata që na e mundësojnë këtë pjesëmarrje.
Junioret
150 VJET NËN DREJTIMIN E PROVANISË HYJNORE
Duke kremtuar 15-vjetorin e misionit të Kongregatës sonë në Kishë patëm një mundësi të rrallë për ta falënderuar Zotin në mënyrë që të lexojmë historinë tonë të tanishme nën dritën e së kaluarës të pasur në fe e plot me zell apostolik, për t'i kërkuar dhuratën e besnikërisë dhe për thirrje të reja.
Kemi zgjedhur 15 majin, të Dielën e “Jezusit Bariut të Mirë” dhe ditën botërore të lutjes për thirrjet, për të festuar në Kishën e Shën Kollit – Rus, së bashku me besimtarët që Zoti na i ka besuar.
Qendra e festës ishte kremtimi i Meshës solemne, kryesuar nga Arqipeshkvi Imzot Angelo Massafra dhe bashkremtuar nga Ministri Provinciali i Fretërve Minorë Atë Gazmend Tinaj dhe Dom Martin Thompsom. Pas kremtimit, grupi i të rinjve “Jezus forca ime” ka prezantuar historinë e misionit tonë në botë që nga fillimi i Kongregatës deri në ditët e sotme dhe në mënyrë të veçantë eksperiencën tonë në Shqipëri. Shfaqja e udhëhequr nga Zef Ndoja, e hapur dhe e mbyllur me himnin “ Provania e mrekullueshme” , ka ngjallur interesin e besimtarëve, por mbi të gjitha atë të Konsullit italian Dott. Roberto Andreotti, i cili ka theksuar se Kongregata ka lindur në kohën e bashkimit të Italisë. Strofa e fundit e himnit shpreh ndjenjat tona: “Ty o Tejetlartë të qofshim falë, sepse drejton e prin hapat tanë, Shpirtit të Shenjtë me shumë përulësi i besohemi, na jep ti mëshirën e Krishtit. Me na dhanë krah në punët tona, të jemi në botë të paqes tënde instrumente.”
Kongregata e Motrave Françeskane Misionare të Zemrës së Krishtit u themelua në Itali, në Gjemona të Friulit (Udine), në 1861, dhuratë e Shpirtit për Kishën, sipas frymëzimit të një gruaje të përshpirtshme franceze, dukesha Laura Leroux dhe sipas veprës së Atit Françeskan, Atë Gregorio Fioravanti OFM.
Kjo familje rregulltare, njeh si mision të saj specifik, ungjillëzimin nëpërmjet lutjes për përhapjen e Ungjillit, shërbesën baritore, aktivitetet edukuese dhe veprën e ndihmës për më të varfrit. Që në fillim, shfaqet me një fytyrë ndërkombëtare, pranon të reja të të gjitha kulturave dhe i përgatit që të mund të dërgohen në Misionet Apostolike. Që atëherë, shpirti misionar i Motrave Françeskane Misionare të Zemrës së Krishtit, vazhdon të ndizet në botën mbarë, e kujdesshme ndaj kërkesave të reja të njerëzimit, i dëgjueshëm ndaj shpirtit që thërret, që përkushton dhe dërgon. Sot, janë të pranishme në Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qipro, Francë, Zvicër, Luksemburg, Kili, Kamerun, Indi, Bolivi, Peru, Liban, Bullgari, Filipine, Afrikën Qendrore, Ekuador, Lituani, Shqipëri, Hong Kong, Republikën Çeke, Meksikë. Në Shqipëri janë të pranishme që në vitin 1994 në dy bashkësi, njëra në Tropojë dhe tjetra në qytetin e Shkodrës. Ato shkojnë nëpër botë të forta në fe, të pasura në varfëri, me një dashuri të vetme: të Kryqëzuarin; me një dëshirë të vetme: shpëtimin e vëllezërve; me një stil të vetëm: harenë françeskane.
Motrat Françeskane misionare të Zemrës së Krishtit

JETA E TË KUSHTUARVE NË TOKËN SHQIPTARE
Në ditët 13-14 të muajit maj, u zhvillua në Tiranë takimi i cili mblodhi superiorët e mëdhenj të Kongregatave Rregulltare që veprojnë në Shqipëri prej gati 20 vjetësh. Nga pikëpamja ime kam kërkuar të fotografoj situatën. Ndërkohë duhet të pohohet rëndësia dhe bukuria e jetës së kushtuar dhe domosdoshmëria e saj në Kishë dhe në shoqëri. Duke shoqëruar bashkëvëllain tim, P. Michele Leovino si përfaqësues i P. Provincial, kam mundur të studioj realitetet e shumëllojshme që i përkasin jetës, përshtatja, aktivitet, vështirësitë dhe shpirti i bashkëpunimit të bashkësive rregulltare. Pas një prezantimi të kujdesshëm të presidentit p. Giovanni të situatës që u përket aspekteve të ndryshme të përshtatjes në jetën shoqërore, është kuptuar se kush punon si misionar këtu në tokën shqiptare, ka nevojë për një ndihmë të madhe për të vepruar më optimizëm, duke kërkuar për t'u nisur gjithmonë nga feja në Krishtin dhe duke u udhëhequr nga shenjat e shpresës që tashmë gjenden në këtë kishë shumë të trazuar prej shekujve. Ipeshkvijtë kanë dashur të paraqesin punët e takimit dhe kanë dhënë dëshminë se pa praninë e gjallë të më shumë se 500 të kushtuarve që veprojnë në sektorë të ndryshëm kishtarë dhe shoqërorë të Shqipërisë, progresi i ungjillëzimit, dhe shërbimi i dashurisë (caritas) do të ishin në vështirësi të madhe sepse forcat e klerit Dioqezan janë akoma ne hov e sipër, pra të pakta.
Mbledhja u zhvillua në një hotel të madh në qendër të Tiranës prej ku mund të shihej zhvillimi dhe një farë mirëqenie të një pjese të Shqipërisë që kërkon të angazhohet për të arritur nivelet evropiane, por që duhet të ndihmohet akoma në shumë pikëpamje. Argumentet e trajtuara me efikasitet të madh ishin ata të jetës në bashkësi dhe vëllazëri, jetë kjo e jetuar qoftë në bashkësi qoftë mes bashkësive të kongregatave të ndryshme dhe menjëherë mund të shihej gëzimi i të gjeturit së bashku dhe thesari i pasurisë së karizmave të ndryshme si dhurata për të gjithë. Për të njohur më mirë traditën, historinë, kulturën dhe zakonet e popullit shqiptar, organizatorët kanë pasur urtinë të na çojnë për të vizituar Muzeun Kombëtar dhe kështu kemi kuptuar më mirë me Dom Gjergjin leximin aktual të zhvillimit në të mirën e jetës së qytetarëve shqiptarë. Gjatë këtij takimi, katër komisionet e studimit të verifikimit u ndalën në këto katër pika: 1 – formimi në të gjitha nivelet, 2 – hyrja në shkolla, 3 – shërbimi i dashurisë (caritas) dhe 4- format e ndryshme të apostullimit. Nga të gjitha komisionet ka lindur nevoja që për kufijtë e aftësive tona, si dhe për ndryshimin e vazhdueshëm të situatave shoqërore, ekonomike dhe politike, duhet të mbledhim forcat sepse jemi të bindur që së bashku mund të bëjmë shumë dhe të gjejmë më shumë kurajë për të vazhduar misionin për mbretërinë e Hyjit.
Atë Giacomo (Rrëshen)
KUSHTIMI I KISHËS SË SHELDISË
Dita e kushtimit të një Kishe gjithnjë ka qenë një ditë e veçantë për popullin e krishterë. Me hapjen e lirisë fetare nga Kostantini i Madh, në shekullin e IV, një ditë e tillë merrte përmasa festive e solemne akoma më shumë, duke u dyndur popull i madh në Kishë, me pjesëmarrje të madhe jo vetëm meshtarësh, por edhe ipeshkvijsh. Të kushtosh është një veti njerëzore: dikush i kushton dikujt një ndërtesë, një libër, një disk, një këngë, e kështu më radhë. Aq me tepër kjo vlen kur diçka i kushtohet Zotit. Prandaj ngjyrat festive janë edhe më të theksuara.
Nuk ka siguri nëse në Sheldi është bërë ndonjë herë kushtimi i një Kishe. Të dhënat më të hershme historike që na flasin për praninë e ndërtesave kishtare në Sheldi, janë ato që na i sjell Imzot Gjergj Bardhi, ipeshkëv i atëhershëm i Sapës, në një relacion të vetin, që mban datën 24 shkurt 1632. Aty ai shprehet kështu në lidhje me banorët e Sheldisë: “Ata njerëz dhe ai popull i krishtenë, mbasi i kanë humbë kisha, nuk kanë se ku t'i marrin sakramentet e shenjta, dhe as ku të meshojnë”. Duke nënkuptuar kështu se më përpara në këtë fshat Kishat ekzistonin, por që, me sa duket, ishin shkatërruar nga pushtuesi turk. Pastaj vazhdon: “Ata njerëz u mblodhën së bashku e m'u luten që të mendoja me i gjetë shërim çashtjes së sipërtregume, dhe me ndihmën e Zotit ia dola tue bamë një kapelë ku ata njerëz të mund të kënaqeshin ne sendet shpirtnore”. E më poshtë pohon se Sheldia kishte aso kohe 325 të krishterë (sa gjysma e popullsisë së sotme). Por kjo kapelë e ndërtuar rreth vitit 1630 u shkatërrua e nuk dihet se ku ka qenë e ndërtuar. Mendohet se pas rreth më shumë se 100 vitesh, pra rreth vitit 1745, u ndërtua një Kishë këtu ku është edhe sot. Por jo me këto përmasa. Ndërtesa me përmasat aktuale u rindërtua në vitin 1881, siç mund ta kuptoni edhe nga mbishkrimi i gdhendur në gurin sipër derës kryesore, dhe qysh atëherë u zgjodh si pajtor Shën Jeronimi, duke qenë se ishte një Shenjt me prejardhje ilire.
Ajo ndërtesë i qëndroi kohës, i qëndroi përndjekjeve otomane, por jo ideologjisë komuniste. Para se të mbyllej Kisha, banorët, disa prej të cilëve janë akoma gjallë sot, po asistonin plot frikë në terrorin që komunistët po fusnin në popull. Dom Ndre Zadeja e kishte thënë në një predikim të vetin se një re e zezë po i afrohej Shqipërisë. Nuk vonoi e kjo re erdhi: me 4 shkurt 1945 u pushkatua në Shkodër, te Zalli i Kirit, Kolë Sheldia, anëtar i veprimit katolik. Një tjetër djalosh i ri, Tomë Marku, edhe ky anëtar i veprimit katolik, qe rrahur e vrarë pa gjyq te shkolla e asaj kohe në Sheldi (dikush i kujton edhe sot britmat e tija që i dëgjonin kur ushtarët po e torturonin). Më 6 shkurt, pra vetëm pas dy ditësh, qe pushkatuar në Tiranë Dom Lazër Shantoja (ish famullitar i Sheldisë). Qe pushkatuar edhe ai që e paralajmëroi ardhjen e kësaj reje të zezë: Dom Ndre Zadeja, kur ishte famullitar në këtë fshat. Kjo ndodhi më 25 mars 1945, te Zalli i Kirit në Shkodër. Për çdo vit, populli i Sheldisë, në këtë datë, pra me 25 mars, përkujton me nderim ata që për Krishtin dhanë jetën në Shqipëri. Dom Dedë Maçaj, fare i ri, qe pushkatuar pas dy vitesh në Permet, ku e kishin çuar, edhe pse meshtar, për shërbimin ushtarak.
Përmenda vetëm ato vrasje që e therën thellë shpirtin e këtij populli. Meshtarë të tjerë do të shërbenin në këtë Kishë, deri në vitin 1967, kur kjo u kthye në shkollë, në kohën kur famullitar ishte Dom Pjetë Gruda. Dyert e kishës u mbyllën e nga jashtë u hap një derë tjetër, dera që sot është dera e sakrestisë, poshtë kompanjelit, dyshemeja e Kishës u mbush me rërë e zhavorr me lartësi rreth një metër, e ashtu do të rrinte për 23 vite, deri në 1990, më parë si vatër kulture e pastaj si shkollë.
Nuk kanë lidhje shumë me ndërtesën e kësaj kishe ngjarjet që përmenda, por kanë lidhje me Kishën e gjallë, me popullin e këtij fshati. Më nderim e kemi edhe në këtë Kishë një portret të këtyre martirëve e sidomos një pllakë e cila veçanarisht na përkujton ata meshtarë që e dhanë dhe e shkrinë jetën për Krishtin dhe për popullin e Hyjit. Por edhe prova e madhe komuniste kaloi dhe, në vitin 1990, do të kremtohej sërish Mesha pranë kësaj kishe me datën 20 nëntor. Në Krishtlindjet e atij viti Dom Martin Trushi do të kremtonte një Meshë tjetër para një populli të madh në oborr të kësaj Kishe.
Më datën 14 shtator 1993, me ndihmën e vetë banorëve u fillua riparimi i dëmeve që i ishin bërë Kishës. U hoq rëra e zhavorri që mbulonte dyshemenë, themelet e muret nuk ndryshuan, por u ngritën më lart deri në përmasat që është edhe sot. Punimet i drejtuan me radhë Atë Gjergj Vata, Atë Luçiano Fozzer, Atë Rei Pace, e pastaj edhe Atë Renato Lizza. Pastaj, me 31 dhjetor të vitin 1996 u përfundua edhe kompanjeli.
Por punime të tjera ishin të nevojshme në këtë ndërtesë. Bamirës të shumtë mundësuan gjithë shpenzimet e nevojshme, sidomos nga dioqeza e Nolës, Itali, falë Dom Leonardo Falcos. Por jo pak ndihmoi edhe bujaria dhe gatishmëria e vetë besimtarëve të këtij fshati, sidomos ajo e këshillit të Kishës të asaj periudhe.
Para pak vitesh Dom Huan Francisco Garsia mundësoi edhe riparimin e dritareve, ndërtimin e altarit të sotëm, të tabernakullit dhe të ambonit. Qysh në vitin 2000 tek qela në Sheldi Motrat Salvatoriane u vendosën aty përfundimisht dhe, prania e tyre, është një ndihmesë e madhe për formimin e krishterë të besimtarëve të këtij fshati.
Stuhitë që kishin kaluar në këtë popull – sidomos ajo e periudhlës komuniste – kishin rrëzuar përtokë kallinjtë më të shëndetshëm që kaluan në këto troje. Por harruan se kallinjtë e shëndoshë kanë vetinë të nxjerrin filiza të rinj dhe po aq të shëndetshëm. Dhe, i gjithë entuziazmi që e nxiti punën e bërë në këto 20 vitet e fundit për ringritjen e Kishës – pa llogaritur këtu punimet tek qela, punimet e rrugës, si edhe punimet e mëdha në Rragam e pastaj edhe në Mazrrek – janë filizi i ri që mbiu menjëherë. Por filizat më domethënës janë thirrjet e shumta për meshtari e jetë rregulltare që menjëherë mbinë në këtë popull, si edhe praktikimi i madh fetar që karakterizon këto zona, me gjithë mangësitë normale që mund të kenë. Lutemi dhe shpresojmë që brezat që do të vijnë ta ruajnë këtë fe dhe entuziazëm. Prandaj, tani që kujtuam kaq shumë gjëra, por edhe kaq pak, e kuptojmë se me sa rëndësi të madhe është për ne fakti që sot kemi mundësinë që t'ia kushtojmë Zotit këtë ndërtesë kulti. Vetë kushtimi do të ishte një gëzim për ne, por ai shtohet edhe më tepër tani që kujtuam përciptazi edhe historinë dhe travajet e banorëve të këtij vendi. E thërrasim si pajtor Shën Jeronimin që të ndërmjetësojë për ne.
Dom Dritan Ndoci
LAJME NGA DIOQEZA E SAPËS
BEKIMI I KOMPANJELIT – BREG-PUKË
Të dielën e IV të Pashkëve, më 15 maj 2011, e cila përkoi me ditën e Bariut të Mirë dhe ditën e 48 botërore të Lutjes për Thirrjet, bashkësia katolike e famullisë së Shën Eufemisë në Breg të rrethit Pukë gëzoi në ceremoninë e bekimit të kompanjelit dhe kambanave, të cilat janë të lidhura me jetën e popullit të Zotit, sepse zëri i tyre tregon kohën e lutjes, bashkon popullin për liturgji dhe e lajmëron atë për ngjarje të rëndësishme, qofshin ato raste gëzimi apo pikëllimi të kësaj bashkësie. Ndaj në këtë ceremoni ku ishte i pranishëm Ipeshkvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini, i cili udhëhoqi Meshën e Shenjtë në bashkëkremtim me famullitarin Atë Andreas Waltermann, e gjithë kjo bashkësi u bashkua me përshpirtëri për të marrë pjesë në kremtimin e shenjtë si një familje e bashkuar me Jezu Krishtin Zot. Gjatë homelisë së rastit, Imzot Avgustini ftoi besimtarët që të gëzojnë në Krishtin e gjallë, bariun tonë që na ofron fjalën e vet për ta na sjellë në kullota të amshuara. Ai u ndal edhe në rëndësinë e ditës së Bariut të Mirë dhe ditës ndërkombëtare të lutjes për thirrjet meshtarake. “Çdo i krishterë, tha ai, është i thirrur ta dëshmojë e ta kumtojë Ungjillin në një botë ku një shumicë e madhe njerëzish nuk kanë pasur mundësinë të takohen me Jezusin. Jezusi është bariu ynë. Ai na udhëheq në kullota të amshuara, që do të thotë tek vlerat e vërteta. Nuk ka figurë më të ëmbël dhe më të dashur se sa figura e Krishtit, i cili mban në krah qengjin. Dhe nëpërmjet kësaj figure Kisha sheh shprehjen e dashurisë universale të Krishtit për mbarë njerëzimin. Bota ka shumë nevojë për meshtarë, për rregulltarë, për njerëz që vihen tërësisht në shërbim të Zotit dhe në shërbim të vëllezërve e motrave. Prandaj këtë nevojë t'ia paraqesim Zotit, që forca e ringjalljes së tij, të zgjojë shumë thirrje të reja që ta ndjekin rrugën e shenjtërisë dhe të predikimit të lajmit të gëzueshëm”.
Pas predikimit Imzot Lucjani bëri bekimin e kambanave që u vendosën në Kompanjelin e ri. Kambanat e Kishës së Shën Eufemisë janë dy: njëra i përket vitit 1835, peshon 18.5 kg dhe mban figurat e Marisë me Jezusin fëmijë, Jezusin në kryq dhe Shën Pjetrin e Shën Palin; ndërsa kambana tjetër i përket vitit 1930 me mbishkrimin “Dhunti e qeverisë italiane Kishës së fisit kreshnik të Qafës Malit”, përmban tre figura: Shën Eufemia, Shën Sebastiani dhe Shën Gjon Pagëzuesi. Gjithashtu ka dhe ornamente të tjera dhe peshon 170 kg. Kambanat kanë arritur të ruhen nga banori i kësaj zone z. Gjergj Thekna, dhe janë rikonstruktuar falë kujdesit të Famullitarit Atë Andreas Waltermann dhe etërve Kapuçinë në Gjermani.
LAMTUMIRË MOTËR RITA SISTI
Një aksident i rëndë ndodhur paraditen e 25 marsit 2011 në autostradën Lezhë-Shkodër, përfshiu murgeshën me origjinë italiane, Motër Rita Sisti, motër e Bashkësisë “Mësueset Venerini” në Gjadër të Zadrimës. Motër Rita, e moshës 79 vjeçare, ndërsa po udhëtonte bashkë me motër Alma Zogun, është përplasur me një tjetër automjet, ku për pasojë momenti fatal ka sjellë vdekjen e menjëhershme të saj, ndërsa motër Alma fatmirësisht i ka shpëtuar rrezikut për jetën. Me keqardhje lajmi është përhapur në të gjithë Dioqezën e Sapës, dhe të ndihmuar nga misionarët që shërbejnë në këtë famulli dhe komuniteti u morën masat e duhura për të organizuar ceremoninë mortore. Pas tre ditë homazhe dhe ngushëllime në bashkësinë e Motrave Venerini në Gjadër, më 28 Mars 2011, përmes kremtimit të Meshës së Shenjtë në Kishën Martirët Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës i është dhënë lamtumira e fundit Motër Ritës, e cila vdiq në ditën e Zojës Nunciatë. Me një pjesëmarrje të gjerë të mbarë komunitetit të Misionit Katolik Blinisht, në prani të 47 meshtarëve dhe Ipeshkvit të Lezhës, Imzot Otavio Vitale, Ipeshkvi i Sapës Imzot Lucjan Avgustini udhëhoqi kremtimin eukaristik kushtuar për shpirtin e motër Ritës. Edhe pse me dhimbje në zemër, në këtë moment të pikëllimit të ndarjes nga motra jonë e dashur, përmes lutjeve, uratëve dhe këngëve të meshës, të gjithë u bashkuan në sofrën eukaristike duke u lutur për shpirtin e saj, e njëkohësisht duke e falënderuar Zotin për ato vite që Motër Rita shërbeu në tokën martire shqiptare. Gjatë homelisë së rastit, Ipeshkvi i vendit theksoi se “vdekja është vetëm ndarje e përkohshme. Në njërën anë ajo na trishton dhe pikëllon, por në anën tjetër na ngushëllon dhe na forcon feja, sepse besimtarëve të Zotit nuk u merret jeta, por u shndërrohet. Vdekja tokësore është Pashkë, është kalim nga kjo jetë në një jetë më të lumtur, ku nuk ka lot vajtimi”.
Në emër të Misionit katolik fjalë ngushëlluese përcolli edhe ish famullitari Dom Antonio Sciarra, i cili pati fatin të bashkëpunojë me të për 13 vite rresht. “Kontributi i Motër Ritës, tha ai, ishte i çmueshëm. Ajo ishte një grua e shpresës, paqes e dashurisë. Jetoi 50 vite kushtuar Zotit dhe shërbimit të vëllezërve kudo që ka takuar nëpër vende të ndryshme misionare”. Me të mbaruar kremtimi i Meshës së Shenjtë trupi i Motër Ritës u përcoll për në banesën e fundit në vendlindjen e saj në Itali.
Motër Rita pushofsh në Paqe!
VIZITA E IPESHKVIT NË MODENA DHE REGGIO-EMILIA
Në kuadër të miqësisë dhe bashkëpunimit me dioqezën e Reggio –Emilias dhe dioqezën e Modenas, në Itali, me ftesë të Ipeshkvijve të këtyre dioqezave, Imzot Lucjan Avgustini zhvilloi një vizitë një javore (21-26 mars 2011) pranë ordinariateve ipeshkvnore.
Imzot Lucjani është pritur nga Ipeshkvi i Modenas Imzot Antonio Lafranchi dhe nga Ipeshkvi i Reggio-Emilias, Imzot Adriano Caprioli.
Imzot Avgustini është takuar edhe me shqiptarët emigrantë, që prej vitesh punojnë dhe jetojnë në këtë vend dhe në praninë e tyre i ka kremtuar Meshën e Shenjtë në gjuhën shqipe, ku i kanë shoqëruar dhe emocionet për vendlindjen e tyre të dashur- Shqipërinë.
Një vizitë e veçantë e Ipeshkvit të Sapës ishte dhe ajo në San Cataldo, në Modena, pranë varrit të Imzot Gabriele Nevianit, i cili ishte ipeshkëv i Sapës nga viti 1892-1909.
Violeta Marashi
UDHA E KRYQIT NË BARDHAJ
rdhaj, më shumë se 60 të rinj të udhëhequr nga Dom Dorian Mjeshtri dhe motër Erminia Gallicchio, e cila ka pergatitur me mjaft zell e krijimtari edhe kostumet e mjetet e tjera, kanë paraqitur dramën e udhës së Kryqit të gjallë, të darkës së fundit dhe të varrimit të Jezusit.
Ishte një angazhim shumë i madh që të rinjtë kanë përballuar me kurajë dhe seriozitet duke transmetuar në mënyrë të gjallë, njerëzve të shumtë në numër, mesazhin e dashurisë dhe të faljes që Jezusi na dhuron me mundimin dhe me vdekjen e tij. Prania e arqipeshkvit Imzot Angelo Massafra që e ka ndjekur në këmbë dhe me kujdes çdo moment të dramës e cila u zhvillua në një gjatësi rruge prej më shumë se 2 kilometrash nga oborri i kishës deri te liqeni artificial të Bardhanjorit, ka vlerësuar akoma më shumë angazhimin e të rinjve. Është një aktivitet formimi dhe artistik që prej disa vitesh, është bërë si një traditë.
Është një takim që ngjall interes, përgatitur dhe dëshiruar nga të rinjtë e nga bashkësia e Bardhajve, si përgjigje dashurie për Jezusin i cili e ka dhuruar jetën e vet për ne.
Etërit Orioninë







All the contents on this site are copyrighted ©.