2011-06-22 18:02:06

U hap sot salla Matisse në Muzetë e Vatikanit


U hap sot në Muzetë e Vatikanit salla Matisse, e cila i kushtohet krejtësisht veprës së vetme me karakter kishtar të artistit të madh francez Henri Matisse: Kapela e Zojës së Rruzares në Vens të Provancës, e cila sivjet mbush 60 vjet. Vetë Matisse e konsideronte si kryeveprën e vet.
Në sallë mund të shihen projektet e punës, të cilat i biri i Matisse ia dhuroi Koleksioneve Papnore, para 31 vjetëve. Piktori i madh punoi mbi to për 4 vjet me radhë, nga viti 1947 deri në vitin 1951, pak kohë para se të ndahej nga kjo jetë. Salla e re Matisse ndodhet në Galeritë Papnore, në qendër të seksionit, që i kushtohet viteve ‘900, ndërmjet apartamentit të Borxhias dhe sallave para hyrjes në Kapelën Sikstine. Në vjeshtë, pritet botimi i një libri mbi Kapelën e Zojës Rruzare nga Shtëpia Botuese Vatikanase, ku do të gjejnë vend edhe letrat e shkëmbyera nga Matisse me motër Agnès de Jesus, eprore e kuvendit të Saint-Paul-de-Vence.
Historia e kapelës fillon në vitin 1942, kur piktori zuri shtratin pas një operacioni të rëndë kirurgjikal. I qëndroi pranë një infermiere, që quhej Monikë Buzhua, e cila më vonë do të pozonte për disa nga pikturat e Matisse e në vitin 1946 do të vendoste të bëhej murgeshë. Është ajo, motër Zhak-Mari, ideatorja e Kapelës së Vensës. Më 1947 vizaton një vetratë dhe ia jep maestros ta shikojë. Nga kjo ditë, Matisse interesohet për projektin, por bindet përfundimisht të merret me të nga frati domenikan Raisizhjè, studiues i arkitekturës. Raisizhjè krijon strukturën arkitektonike të Kapelës e në dhjetor, Matisse fillon të punojë për dekorimin e saj. Në fund të vitit 1948 del në skenë një domenikan tjetër, atë Mari-Alen Kuturier, i cili mbronte teorinë e përtëritjes së artit kishtar në Francë në vitet ‘40-’50. Kryevepra e Vensës lind nga bashkëpunimi i artistit të madh francez me këta katër rregulltarë, përmes shkëmbimit të ideve e sugjerimeve. Një kapitull i pashembëllt në historinë e artit bashkëkohor!








All the contents on this site are copyrighted ©.