(22.06.2011 RV)Kujtojmë se emri i Psalmeve vjen nga vegla muzikore me korda,
me të cilën shoqëroheshin, kur këndoheshin. Vegla quhej “Psalterion”. Hebraisht njihet
me emrin “Sefer tehil’lim”. Prej këndej, Vulgata e quan “Libri i Psalmeve”, që do
të thotë “Libri i Këngëve” të cilat këndohen me vegël muzikore me korda. Numri
i Psalmeve është 150. Klasifikohen sipas librave (Pesë libra) dhe sipas përmbajtjes
(tre grupe: Himne lavdie; Psalmet e lutjes ose të vajtimit; Psalmet e falënderjes).
Nuk janë thjeshtë krijim i zemrës njerëzore, që nis të këndojë kur sodit veprat e
mëdha të Hyjit: është vetë Zoti, që i frymëzoi. Është fjala e Tij. Kënga e Tij. Prej
këndej, në melodinë e tyre shkrihet zemra e Zotit me zemrën e njeriut, në një lutje
të krijuar me art të përkryer! Tradita biblike i quan edhe “Psalmet e Davidit”,
duke i njohur këngëtarit të madh dhe rregulluesit të kultit, autorësinë e tyre. Po
kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. E autorësia e tyre, shumë e vështirë për t’u
përcaktuar.