2011-06-22 18:04:05

Delegacioni i Patriarkanës së Konstandinopojës, në Romë për solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal.


(22.06.2011 RV)Për solemnitetin e shën Pjetrit e të shën Palit, Apostuj, Pajtorë të qytetit të Romës, vjen çdo vit një delegacion i Patriarkanës Ekumenike të Kostantinopojës, ndërsa një përfaqësi e Selisë Apostolike merr pjesë në kremtimet që mbahen në Stamboll, më 30 nëntor, në festën e shën Andreut.
Sivjet Patriku i Kostandinopojës do të dërgojë në Romë një delegacion të përbërë nga Fortlumturia e Tij, Emanuel, Metropolit i Francës dhe drejtor i Zyrës së Kishës Ortodokse pranë Bashkimit Evropian; peshkopi i Sinopit, Atenagoras, ndihmës i Metropolitit të Belgjikës dhe nga Arkimandriti Maksimos Pothos, mëkëmbës i përgjithshëm i Metropolitit të Zvicrës.
Më 29 qershor, njofton një notë zyrtare, delegacioni do të pritet në audiencë nga Benedikti XVI. Do të jetë i pranishëm edhe në kremtimin solemn, kryesuar nga Papa në Bazilikën e Vatikanit, në festën e Pajtorëve të Romës.

Prania e delegacioneve në festat e Pajtorëve, ështe një nismë e frytshme në dy drejtime. Së pari, shkëmbimi i vizitave të rregullta ndërmjet Romës e Kostandinopojës dy herë në vit është rast vërtetë i përshtatshëm edhe për shkëmbimin e informacioneve, për të mësuar të rejat nga jeta e të dyja Kishave si dhe për koordinimin e nismave. Së dyti, shkëmbimi i vizitave bëhet me rastin e dy festimeve të Shenjtorëve Pajtorë: shën Andreut, pajtor i Patriarkanës Ekumenike e shenjtorëve Pjetër e Pal, Pajtorë të Romës. E kjo tregon qartë se orientimi i dialogut i nënshtrohet lutjes drejtuar Zotit. Është orientim shpirtëror sepse, siç e ka kujtuar edhe Papa Gjon Pali II, në marrëdhëniet ekumenike duhet që kryet e vendit ta ketë lutja: lutja jep jetë, lutja drejton, lutja ndihmon. E ky është edhe kuptimi kryesor: bisedë e lutje!

Kujtojmë se, si zakonisht, Patriku Ekumenik, kur nuk vjen personalisht, dërgon një delegacion të përbërë nga bashkëpunëtorë të afërt të tij. Delegacioni kryesohet gjithnjë nga një metropolit.









All the contents on this site are copyrighted ©.