2011-06-22 18:03:43

60 orë adhurim për 60 vjetët e meshtarisë së Benediktit XVI


60 orë adhurimi eukaristik për shenjtërimin e meshtarëve e për t’iu lutur Zotit të dërgojë punëtorë të rinj në vreshtën e vet. Është propozimi i prefektit të Kongregatës për klerin, kardinalit Mauro Piaçenca për të gjithë ipeshkvijtë e botës. Është mënyra për të festuar së bashku 60 vjetorin e shugurimit meshtarak të Papës Benedikti XVI, që do të kremtohet më 29 qershor, në solemnitetin e shën Pjetrit e të shën Palit Apostull. Kemi para mikrofonit tonë vetë kardinalin:RealAudioMP3
Kongregata, duke qenë për Klerin, e ndjen në mënyrë të veçantë një përvjetor të këtij lloji, shugurimin meshtarak. Pyetëm veten se ç’dhuratë mund të ishte më e përshtatshme, më e pëlqyeshme për kremtimin e këtij përvjetori. Përgjigjia është e lehtë: asgjë nuk është më e çmuar se lutja. Prandaj, u shkruam të gjithë ipeshkvijve të botës, duke pasur parasysh edhe Ditën për shenjtërimin e meshtarëve, e cila përkon me të kremten e Zemrës së Krishtit, që këtë vit festohet më 1 korrik. Në letër kërkojmë 60 orë, aq sa janë vitet e meshtarisë së Atit të Shenjtë: 60 orë lutjeje të thellë para të Shenjtnueshmit Sakrament, 60 orë adhurimi nga meshtarët e çdo dioqeze. Qëllimi është ta falenderojmë Zotin për meshtarinë në vetvete, për dhuratën, që i ka bërë Kishës dhe botës, duke zgjedhur papë, Benediktin XVI, të cilin duam ta rrethojmë me dashuri e bashkim. I kërkojmë Hyjit edhe shenjtërimin e krejt klerit. Janë mobilizuar 3.100 dioqeza, të cilave mund t’u shtojmë kuvendet, shtëpitë e rregulltarëve, qendrat e përshpirtërisë e kështu me radhë. Gjithsej, duhet të jenë rreth 186 mijë orë adhurimi. Natyrisht nuk kemi ndërmend këtu të bëjmë thjesht llogari matematike, por numrat na ndihmojnë të entuziazmohemi. Çdo çast i kaluar me Zotin e gjallë e të vërtetë në Eukaristi është dhuratë për të gjithë njerëzit e adhurimi i Hyjit është në vetvete ungjillëzim, pra pasuri për krejt Kishën. Këtë ka për zemër edhe Benedikti XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.