2011-06-21 16:24:41

Selia e OKB-së në Gjenevë, kujton impenjimin e Gjon Palit II për të drejtat e njeriut.


Kontributi i madh i Papës Vojtila në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut u kujtua në Gjenevë, në një takim të veçantë, organizuar nga Misionet e Përhershme të Selisë së Shenjtë dhe të Polonisë pranë OKB-së. Personalitete të njohura dëshmuan mbrëmë në sallën e Asambleve të Pallatit të Kombeve të Bashkuara, ndikimin që patën fjalët dhe gjestet e Gjon Palit II. Në mesazhin e tij, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone përmendi historinë e veçantë të Karol Vojtilës, i cili njohu si nazizmin ashtu edhe komunizmin, gjë që u pasqyrua qartë në Magjisterin e papnisë së tij. Që në fillim, nënvizon kardinal Bertone, Gjon Pali II i ka dhënë përparësi njeriut e vlerave.
Gjatë mbrëmjes së djeshme, u paraqit edhe një dokumentar për vizitat e të Lumit në selitë e OKB-së në Nju Jork dhe në Gjenevë, ku u dëgjuan fjalët e tij të fuqishme në favor të mbrojtjes së punës e të Deklaratës Universale të të drejtave të njeriut. Kardinali Filip Barbarin, kryeipeshkëv i Lionit, ambasadorja e Polonisë në Selinë e Shenjtë, Hana Sushoçka dhe ambasadori i Izraelit në Selinë e Shenjtë, Mordekai Levi nënvizuan rëndësinë, që i dha Papa Vojtila së drejtës për jetën, dinjitetit të njeriut dhe mbrojtjes së lirisë fetare. Gjon Pali II, theksuan pjesëmarrësit në takim, ka qenë katalizator i shumë ngjarjeve. Mjafton të kujtojmë vizitën e tij në Berlin, menjëherë pas rënies së murit, në Uagadugu të Afrikës, nga ku bëri thirrje për të mos e harruar kontinentin e zi, në sinagogën e Romës ku i quajti për herë të parë hebrenjtë “vëllezër të mëdhenj”, fjalë, që tashmë kanë hyrë në histori. Takimi në Pallatin e OKB-së në Gjenevë përfundoi me një koncert dhe me hapjen e një ekspozite filatelie me pullat, që i janë kushtuar Papës Vojtila në të gjithë botën, sidomos me rastin e udhëtimeve të tij nga viti 1978 deri në vitin 2005.
Mbi rëndësinë e mbi domethënien e kësaj mbrëmjeje tematike intervistuam Vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës, kryeipeshkvin Silvano Maria Tomazi:
Sapo ka përfunduar seanca e 17-të e Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Ky Këshill është shtylla e tretë e rëndësishme e strukturës së Kombeve të Bashkuara e ndodhet këtu, në Gjenevë. Prandaj, Misionit të Polonisë dhe Misionit të Selisë së Shenjtë iu duk e arsyeshme të kujtojnë figurën e Gjon Palit II, për kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. U ka dhënë një nxitje të jashtëzakonshme një serie të drejtash, aq sa është quajtur “Papa i të drejtave të njeriut”. Për shembull, në mënyrë krejt origjinale, ai ka venë në qendër të rrugës së Kishës njeriun, pra, respektimin e dinjitetit të tij dhe të të drejtave të tij themelore si liria fetare, e drejta për punë, për jetë, liria e mbledhjes për punëtorët. Ekzistojnë një sërë aspektesh të personalitetit të Gjon Palit II, që prekin drejtpërdrejt fushën e interesit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut.
Përveç mesazhit të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone, pati edhe dëshmi të tjera, të ndryshme nga njëra-tjetra…
Sepse personalitet e ftuara përfaqësonin përmasa të ndryshme të botës së të drejtave të njeriut. Ambasadorja Hana Sushoçka – që aktualisht është përfaqësuesja e Polonisë në Selinë e Shenjtë, por ka qenë edhe kryeministre – foli qartë për rolin shoqëror e politik të Gjon Palit II. Një aspekt tjetër origjinal është ai i ndryshimit të marrëdhënieve ndërmjet Kishës Katolike dhe fesë hebraike. Për këtë foli ambasadori i Izraelit në Selinë e Shenjtë, duke u nisur nga këndvështrimi i lirisë së ndërgjegjes, i lirisë së fesë, pra, nga këndvështrimi i të drejtave themelore, që sot duhet të respektohen anekënd botës për të garantuar paqen. Në qëndrimin e Gjon Palit II ndaj fesë hebraike, shohim qëndrimin e tij ndaj të gjitha feve, sepse, faktikisht, ai tregoi – për shembull, me takimin e Asizit – se dialogu është rruga kryesore drejt paqes dhe mirëkuptimit në botën e ndërlikuar të kohëve tona, pavarësisht se duhen respektuar origjinaliteti dhe ndryshimet ndërmjet feve, të cilat nuk duhen përzier në një sinkretizëm, që nuk çon askund. Mesazhi i kryeipeshkvit të Lionit, kardinalit Filip Barbarin u përqendrua shumë në bazën e të gjitha të drejtave të njeriut, që është liria e ndërgjegjes dhe liria e fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.