2011-06-21 18:14:00

Kosovë: Kisha katolike shqetësohet për tendencat antievropiane e antivatikanase


Zyra e ipeshkvit katolik të Kosovës, e shqetësuar për rrymat antievropiane e antivatikanase në vend që rrezikojnë të minojnë seriozisht qëndrueshmërinë, orientimin dhe vlerat demokratike të një Shteti të ri, që kërkon prej të gjithëve urti, maturi, përkushtim e largpamësi.
DEKLARATA
Kisha Katolike në Kosovë, si “Nënë dhe Mësuese e mirë”, për dashurinë që ka ndaj popullit të vet, ka qenë dhe mbetet gjithnjë në shërbim të mirës së tij dhe ndërmjetësuese e natyrshme mes Shqiptarëve dhe Evropës, nëpërmjet mbështetjes së Selisë së Shenjtë – Vatikanit.
Në kohën e fundit, shfaqen disa dukuri të huaja dhe të dëmshme për popullin dhe shtetin tonë, dukuri këto të cilat rrezikojnë, edhe ashtu, gjendjen e brishtë e jostabile që kemi. Aq më tepër na befason heshtja institucionale, politike, shoqërore dhe kulturore ndaj këtyre dukurive të dëmshme.
Me shqetësim konstatojmë se qëndrimet dhe veprimet e papërgjegjshme, të kujtdo, mundë të ndërrojnë orientimin e përcaktimit tonë të natyrshëm me demokracinë dhe qytetërimin perëndimor – evropian, të cilit tashmë më shekuj i përkasim.
Nisur nga kjo, e shohim të nevojshme ta japim vlerësimin tonë rreth këtyre çështjeve të ndërlikuara dhe të rrezikshme për Kombin dhe njomësinë e Shtetit të Kosovës.
· Vërehen simptomat e qarta se si disa individë dhe grupe po shprehin haptas tendenca për përkeqësimin e marrëdhënieve të shkëlqyera historike dhe aktuale mes Vatikani dhe Popullit tonë, sidomos Kosovës para, gjatë dhe pas Luftës.
· Kjo po ndodh pikërisht tani, kur Vatikani kohë më parë e emëroi Delegatin e vet Apostolik për shtetin e Kosovës, si një shenjë e dashurisë së vazhdueshme dhe domethënëse të përkrahjes ndaj nesh.
· Papa i tashëm Bendikti XVI- asnjë herë nuk ka deklaruar se Kosova është ndonjë “djep” i popullit Serb, ose pjesë përbërëse e Serbisë, ashtu që keqinterpretimet në ketë drejtim, jo vetëm që nuk janë të sakta, por sipas gjitha gjasave kanë prapavijë njollosëshe ndaj figurës morale të Atit të Shenjt. Kjo pa dyshim e dëmton vendin tonë, i cili edhe ashtu është në pritje për njohje nga shtetet dhe vendet, mes të cilave pritet me padurim që këtë gjë ta bëjë edhe Vatikani.
Prandaj, fuqimisht kërkojmë që institucionet shtetërore dhe kulturore, akademike dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të gjejnë guximin dhe mënyrën për t’iu përgjigjur botërisht, vendosmërisht dhe në kohën e duhur të gjitha dukurive negative që e çorientojnë të ardhmen tonë të përbashkët, hutojnë opinionin publik dhe promovojnë të pavërtetën.
Jemi të bindur se vetëm në këtë mënyrë, mund të bashkëndërtojmë të ardhmen e sigurt, bashkëjetesën në paqe dhe mbrojtjen e vlerave.
Zyra Ipeshkvnore
Prishtinë 21 qershor 2011








All the contents on this site are copyrighted ©.