2011-06-21 16:32:51

Evropa dhe tregjet ndërkombëtare, të shqetësuara për votëbesimin e qeverisë greke


Greqia duket sikur është kthyer në kohën e Spartës. Duke u nisur nga shtatorja e Leonidës, që me 300 spartanë ndali persianët në betejën e Termopileve, spartanët e sotëm marrshuan që nga dita e dielë drejt Athinës, ku së bashku me shoqatën “Qytetarët e Indinjuar” dhe me atë të formuar sot, me emrin domethënës “300 grekët”, kërkuan të mos votohen në parlament masat e marra së bashku me ekspertët ndërkombëtarë, për të përballuar krizën aktuale ekonomike. Kjo, ndërsa qeveria kërkonte votëbesimin.
Të dyja lëvizjet filluan mbledhjen e firmave për një referendum popullor, ku jo vetëm të hidhet poshtë Plani Afatmesëm i Zhvillimit të vendit, por edhe të votohet për daljen e Greqisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, për ndryshimin e Kushtetutës e për mospranimin e kredisë ndërkombëtare, që konsiderohet mashtrim. Eurogrupi i dha Athinës dy javë kohë për miratimin e masave, që do të mundësonin dhënien e financimeve e të ndihmave. Në këtë gjendje, a do të arrijë Greqia të dalë nga situata e vështirë, në të cilën ndodhet? Pyetëm ekspertin italian të ekonomisë botërore, Françesko Karlà:
Tani, kjo kthehet kryesisht në çështje politike, më tepër se sa në çështje ekonomike. Duhet parë nëse në Greqi ekziston mundësia politike, sidomos pas ndeshjeve të fundit nëpër sheshe, për të gjetur bashkimin e mjaftueshëm ndërmjet shumicës dhe opozitës, të cilat duhet të miratojnë një plan “lot e gjak”, nëse mund ta quajmë kështu. Nuk është diçka e leverdisshme për karrierën e politikanëve në këtë fazë të ndërlikuar e të vështirë të jetës së Greqisë.
Në frontin ndërkombëtar, bursat reagojnë negativisht dhe ekziston frika e përhapjes së fenomenit grek. Si mund të bëhet pozitiv ky mekanizëm?
Mënyra për ta kthyer mbrapsht është qartësia për tregun. Nëse ekziston një gjë, nga e cila tregu ka frikë më shumë, kjo është pasiguria. E këtu, pasiguria po zgjatet, pasi është e qartë se pas marrëveshjeve që dihen, ka dy qëndrime në Evropë: njëri është ai i të gjithëve, ndërsa tjetri është ai i Gjermanisë, megjithëse edhe Gjermanisë nuk i duhet falimentimi i Greqisë. Do të humbiste shumë, pasi 60-70 miliard euro të borxhit grek e kanë në dorë bankat gjermane dhe së dyti, në rastin e falimentimit të Athinës, euro do të hynte në një fazë shumë, shumë të vështirë. Nëse Greqia do të tregohet vullnetmirë, në mesin e korrikut do të mbërrijnë ndihmat.
Ç’ndikim mund të kenë ndihmat e reja për Athinën në tregjet ndërkombëtare?
Nëse vëreni mirë, parametri i vetëm që mbetet pak a shumë i qëndrueshëm është pikërisht euro. Ulet pak në krahasim me dollarin, kur lajmet janë shumë dramatike, por pastaj, kthehet me shpejtësi në kuotën rreth 1.46 dollarë, kur lajmet bëhen më të mira, megjithëse pak fare më të mira. Kjo do të thotë se në thelb, tregjet vazhdojnë të besojnë në qëndrueshmërinë e monedhës së përbashkët. Nga ana tjetër, tregjet imagjinojnë se falimentimi i mundshëm i Greqisë mund të ndikojë edhe në vendet e tjera. E njohim gjendjen kritike të Portugalisë, të Irlandës e të Spanjës, por po flitet sërish edhe për Italinë e madje, edhe për Francën, pasi bankat franceze janë më të ekspozuarat në Greqi, me rreth 80 miliard euro.







All the contents on this site are copyrighted ©.