2011-06-20 16:25:56

“Vëllazërimi e rinia”, tema e zgjedhur nga ipeshkvijtë e Brazilit për fushatën 2013


Do të jetë “Vëllazërimi e rinia” tema e Fushatës së vëllazërimit në Kishën braziliane, për vitin 2013. Siç ndodh zakonisht, njofton Agjencia Zenit, tema u zgjodh dy vjet para veprimtarisë, nga Këshilli episkopal baritor (Consep), ku marrin pjesë tre anëtarët e kryesisë së Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit (CNBB) dhe kryetarët e 12 komisioneve ipeshkvnore baritore të vetë Konferencës.
Gjatë takimit të ardhshëm do të përcaktohet edhe motoja e fushatës. Titulli u propozua nga sektori i rinisë i Konferencës Kombëtare të Ipeshkvijve të Brazilit (CNBB) i cili, në krye të të rinjve brazilianë, mblodhi rreth 300 mijë firma. Kjo e vitit 2013 do të jetë fushata e dytë kushtuar rinisë, pas asaj të vitit 1992, me temë “Rinia, rrugë e hapur drejt së ardhmes”. Këshilli episkopal baritor (Consep), gjatë të njëjtit takim, miratoi tekstin bazë të fushatës së vëllazërimit për vitin e ardhshëm, titulluar “Vëllazërimi dhe shëndeti publik”, që ka si moto “Shëndet për të gjithë tokën”. Teksti do të shpallet zyrtarisht më 7 korrik, në San Paolo.







All the contents on this site are copyrighted ©.