2011-06-20 16:41:55

Shqipëri: KQZ përfundon numërimin e votave të kontestuara në KZAZ-në 48


Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi sot në mesditë, numërimin e votave të kontestuara në njësinë bashkiake nr. 4, të KZAZ-së numër 48 në Tiranë.
Në këtë njësi, pas hapjes së rreth 160 kutive rezultuan një numër i barabartë fletësh të hedhura gabimisht, respektivisht 53 vota për kandidatin e "Aleancës për Qytetarin", Lulzim Basha dhe 53 vota për rivalin e tij, kandidatin e koalicionit "Aleanca për të Ardhmen", Edi Rama. Me këtë rezultat, Basha vazhdon të kryesojë ndaj Ramës me 78 vota.
KQZ filloi të shtunën procesin e hapjes së kutive dhe numërimit të fletëve të kontestuara në 368 qendrat e votimit të Bashkisë Tiranë.
Deri tani përgjatë tre ditëve KQZ ka hapur mbi 630 kuti, nga 1493 që është në total numri i parashikuar, në vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
Numërimi bëhet nga 8 grupe njëkohësisht, në të cilat bëjnë pjesë dy punonjës të administratës së KQZ-së dhe nga një përfaqësues i dy forcave politike, PD-së dhe PS-së.
Ky proces do të rifillojë pasdite në ora 18:00, me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 49, njësia 5.
(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.