2011-06-20 16:25:34

Përfundoi në Vilnius takimi vjetor i sekretarëve të Konferencave ipeshkvnore të Evropës. Takimi i ardhshëm, në Tiranë.


U mblodhën në Vilnius të Lituanisë, nga 17 deri më 19 qershorin e kaluar, sekretarët e konferencave ipeshkvnore të Evropës, për takimin e tyre vjetor. Gjatë takimit, u fol kryesisht për aktualitetin në Kishë e në shoqëri. 28 përfaqësuesit, që morën pjesë në tri ditët e takimit, patën mundësi të njohin nga afër historinë e Lituanisë e të prekin me dorë fenë, me rrënjë tepër të thella, me histori të lumnueshme, që shkëlqeu me dritë të veçantë gjatë Luftës së Madhe e diktaturës komuniste.
Tema e takimit ishte: “Ungjillëzimi i ri”, për të cilin do të flitet edhe në asamblenë plenare të Këshillit të Konferencave Episkopale Evropiane (Ccee) me pjesëmarrjen e kryetarëve të tyre, që do të mbahet në Tiranë, nga 29 shtatori, deri më 2 tetor, si dhe në Sinodin e ipeshkvijve të 2012-tës. Sipas Agjencisë Sir, pjesëmarrësit u ndaluan edhe tek disa argumente të tjera, që i kanë shumë për zemër Kishat e Evropës, si liria fetare, përpjekjet e disave për ta larguar fenë nga logjet e kuvendeve dhe kriza demografike e Kontinentit të Vjetër. Tani priten tre takimet e mëdha të Kishës katolike, me pjesëmarrjen e Papës Benedikti XVI, të cilët u paraqiten me këtë rast: DBR-ja e gushtit në Madrid; Takimi botëror i familjeve, në Milano dhe Kongresi eukaristik ndërkombëtar, në Dublin.
Përveç këtyre takimeve të mëdha, të shtunën e kaluar, më 18 qershor, sekretarët e përgjithshëm u takuan me të ngarkuarit për shtypin dhe zëdhënësit e konferencave ipeshkvnore. Diskutuan për temën e komunikimit të Kishës në kohë krize dhe përdorimin e mjeteve të reja për kumtimin e Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.