2011-06-20 17:12:06

Presidenti i Sirisë nuk largohet, Brukseli studion sanksione të reja


Ekziston një kompllot i huaj kundër Sirisë, fati i së cilës varet nga dialogu i brendshëm, pas muajve me protesta në të gjithë vendin: ky është qëndrimi i presidentit sirian Bashar al-Asad, në fjalimin e tretë para kombit, mbajtur në Universitetin e Damaskut, në të cilin pranon që manifestimet janë edhe shfaqje të kërkesave të drejta popullore. Sipas tij, në këtë çast, është e rëndësishme të vendoset qetësia dhe paqja në vend, në mënyrë që t’u hapet rruga reformave.

Duke i rreshtuar njëra pas tjetrës, Asad foli për ligjin e ri zgjedhor, impenjimin për çrrënjosjen e korrupsionit, ndryshimin ose reformimin e krejt Kushtetutës, mundësinë për amnisti dhe për ligjin që lejon partitë e reja.

Nga ana tjetër, asnjë gjest për tërheqjen e trupave, asnjë fjalë për përgjegjësitë e regjimit në masakrat e forcave të rendit, asnjë hamendje për t’u dhënë siguri se nuk do të dënohen atyre, që mund të kthehen nga jashtë në Siri. I pashmangshëm vazhdimi i protestave të opozitës, që edhe sot doli në sheshe në shumë qytete siriane. Dje, aktivistët themeluan një Këshill Kombëtar, që do të udhëheqë luftën kundër regjimit.

Nga ana e tij, Bashkimi Evropian përgatitet për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Sirisë. Në dokumentin e diskutuar sot në Luksemburg, flitet për shtrirjen e masave kufizuese, duke shtuar rreth dhjetë njerëz të tjerë të regjimit e disa shoqëri në listën e zezë me 23 eksponentë sirianë, të cilëve u ndalohet të vijnë në Evropë dhe u janë bllokuar pasuritë.







All the contents on this site are copyrighted ©.