2011-06-20 14:38:21

Në Daks të Francës, lumnimi i rregulltares Margeritë Rytan, martire gjatë Revolucionit francez.


Gjatë një kremtimi solemn dje pasdite,, në Daks të Francës u shpall e Lume motër Margeritë Rytan, që jetoi në vitet më të stuhishme të shekullit XVIII. Ishte rregulltare e Kongregatës së Motrave të Bamirësisë të Shën Vinçencit de Paoli e Martire e fesë. Liturgjinë me ritin e Lumnimit, në emër të Atit të Shenjtë, e kryesoi kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për çështjet e Shenjtorëve.
E Lumja Margeritë ishte një nga pionieret e veprimtarisë shoqërore. E kështu edhe u kujtua dje në Daks, në jugperëndim të Francës, ku iu kushtua me zell e dashuri të krishterë, shërbimit të palodhur në gjirin e shoqërisë franceze të kësaj kohe të vështirë. Shkriu gjithë jetën për të varfërit, të sëmurët, simotrat e vajzat e braktisura, për të cilat arriti të hapte edhe një shkollë. Po kush ishte Margeritë Rytan? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, kardinali Anxhelo Amato:
“E teta ndër pesëmbëdhjetë fëmijë, 4 meshkuj e 11 femra, Margerita lindi në Mec, më 23 prill 1736, në një familje të kamur punëtorësh. I ati, duke parë zgjuarsinë e së bijës, e ndihmoi të studionte, në fillim për arkitekturë, gjë krejt e pazakontë për vajzat, të cilat e kishin vështirë të zgjidhnin rrugë të tilla, në një botë ku sundonin meshkujt. Por në sa i ati deshi ta bënte arkitekte, Provania e përgatiste për një rrugë krejt tjetër, atë të jetës rregulltare. 21 vjeçe u bashkua me Bijat e Bamirësisë, duke hyrë në shtëpinë e tyre të Parisit, në Foburg Sent-Dënis. Për 37 vjet me radhë, deri në vdekje, u shërbeu të varfërve në spitale të ndryshme të Francës”.
Por shërbimi i pakursyer në ndihmë të të varfërve, nuk ia shpëtoi jetën në vitet e Revolucionit. Në Daks, më 20 prill 1792, Bijat e Bamirësisë u dëbuan nga kuvendi. Motra Margeritë u arrestua e u burgos. Pas dy procesesh gjyqësore, më 9 prill 1794, iu pre koka në gijotinë, me akuzën se kishte sabotuar revolucionin. E kjo, sepse nuk kishte pranuar të bënte betimin për besnikëri ndaj regjimit revolucionar ateist e antikatolik. Mbas më se një gjysmë shekulli shërbimi të palodhur, u quajt deri parazite. Ajo e simotrat e saj. E kur revolucioni, me terrorin e tij, kaloi, e me të edhe tërbimi i doktrinës materialiste, populli i Francës nisi t’i vlerësojë frytet e farëve, që pati hedhur në trojet franceze Rregulltarja e Lume. Ajo e simotrat e saj, që flijuan jetën për Krishtin, në kohën kur Kryqi u duk përsëri në botë, me formën e gijotinës!
Gjithsesi, u desh të rrjedhë shumë kohë, për të arritur në kremtimin e djeshëm në Dax, ku fytyra e saj u duk përsëri, plot dritë, në shoqërinë franceze e universale, nga lartësia e elterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.