Më 20 qershor kalendari kishtar përkujton shën Silverin papë e martir
Jetën e papës shenjt Silverit mund ta tregojmë me dy fjalë: me origjinë nga Kampanja,
iu desh të përballonte tmerret e luftës greko-gotike, që zgjati 18 vjet. Gjatë këtyre
viteve, u burgos e u internua në ishullin e Poncës, ku edhe vdiq.
Por sa ngatërresa,
vuajtje e poshtërime fshihen pas këtyre pak fjalëve. Ishte bir i një pape tjetër
shenjt, Ormisdës, i zgjedhur pasi kishte shërbyer në Kishë si diakon e kishte mbetur
i vejë. Ndërsa Silveri u ul në fronin e Shën Pjetrit pas Agapitos I, vdekur në Kostantinopojë
më 22 prill 536.
Papnia e tij qe e shkurtër e tepër trazuar. U ngatërrua,
pa dashur, në luftërat politike e fetare, që kishin përfshirë Italinë, për sundimin
e së cilës ndesheshin me armë Bizanti e Ostrogotët, në sa në lindje vijonte veprimtaria
e grupeve të monofizitëve, që mohonin natyrën njerëzore të Krishtit, të përkrahur
nga perandoresha Teodora. Kujtojmë se pasojë e të kësaj herezie, të dënuar në vitin
451 nga Koncili i Kalçedonisë, ishte shkëputja e Kishës kopte, armene e jakobite të
Sirisë.
Pak kohë pas fillimit të papnisë së Silverit, mbrojtësi i tij, Teodati,
u rrëzua nga froni e u mbyt nga gotët. Te portat e Romës u dukën ushtritë ostrogote,
që rrethuan qytetin. Filloi, nën ndikimin e fortë të Bizantit, lufta për pushtimin
e Romës e të fronit papnor, që përfshiu gjithë klerin e kishës universale. Papa u
akuzua se donte ta dorëzonte Romën në duart e armikut, i cili nisi një sulm të rrebtë
kundër mureve të qytetit të rrethuar. Silverin e kapën, e zhveshën nga rrobat e papnisë
e e veshën si murg të thjeshtë. Në vend të tij zgjodhën Vigjilin (537-555), ndërsa
Silverin e internuan në Patara të Liçies.
Ipeshkvi i vendit, i revoltuar për
këtë ndërhyrje të turpshme të mbretërve në çështjet e fronit të Shën Pjetrit, shkoi
në Kostantinopojë, ku protestoi pranë Perandorit Justinian, duke pohuar se në botë
mbretër ka sa të duash, po papa është një i vetëm e mbretërit nuk kanë kurrfarë të
drejte ta dëbojnë nga froni, besuar nga vetë Krishti Kryetarit të Apostujve e pasardhësve
të tij. Perandori, i trembur, e ktheu Silverin në Romë me qëllim që t’i njihej pafajsia,
gjë që shkaktoi reagimin e papës Vigjili, i cili jo vetëm që nuk e shfajsoi Silverin
por, më 11 nëntor të vitit 537, e detyroi të abdikonte dhe e internoi në ishullin
Palmaria (Ponca e sotme), ku vdiq nga torturat e nga uria më 2 dhjetor 538.
Trupi
i Silverit nuk u mbart në Romë, siç ngjiste zakonisht me reliket e papëve të vdekur
në internim, por mbeti në ishull, ku varri i tij u bë menjëherë vend shtegtimesh e
mrekullish, që nisen të dokumentohen duke nisur nga shekulli XI. Të dy papët e shenjtë,
Ormisda e Silveri, atë e bir në jetë, janë pajtorë të vendlindjes së tyre, Frozinones.