2011-06-20 17:11:54

Bashkimi Evropian e shtyn kredinë për Greqinë. Athina të zbatojë masat kundër krizës.


Emergjenca në Greqi vazhdon të jetë çështja kryesore në tryezën e ministrave evropianë të financave, të cilët i kërkojnë Athinës të zbatojë masat kundër krizës, nëse dëshiron kredinë prej 12 miliard eurosh dhe ndihmat e reja, që mund të jenë nga 90 deri në 120 miliard euro.
Maratona e Eurogrupit (vendeve të zonës euro) përfundoi gjatë natës së djeshme, pas nëntë orë diskutimesh, me vendimin për shtyrjen e pagesës së paketës së pestë me ndihma në mesin e korrikut. Ndërsa, sot paradite u mblodhën në Luksemburg, përgjegjësit e financave të 27 vendeve të Bashkimit Evropian, të cilët diskutuan edhe për probleme të tjera, por Greqia mbeti shqetësimi i tyre kryesor, për shkak të pasojave negative në bursat evropiane.
Ministrat evropianë janë të vetëdijshëm për sakrificat, që duhet të bëjë populli grek, por siç theksoi ministri gjerman, “ilaçet janë të hidhura e megjithatë të shërojnë”. Presidenti i Eurogrupit, Zhan-Klod Junker deklaroi se një mbledhje tjetër për Greqinë do të bëhet të dielën, më 3 korrik, por parlamenti i Athinës duhet të miratojë më parë planin e përbashkët të qeverisë së Papandreut me Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar për daljen nga kriza. Votimi duhet të bëhet nesër.








All the contents on this site are copyrighted ©.