2011-06-19 17:37:14

Benedikti XVI, në Republikën e San Marinos, u kërkon besimtarëve të kthehen në fenë e të parëve. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, bën thirrje për refugjatët


“Të dashur samarinezë, qëndrojini thellësisht besnikë trashëgimisë së ndërtuar në shekuj, me nxitjen e Pajtorëve tuaj të mëdhenj, Marinit dhe Leonit”....RealAudioMP3
Dëgjues të nderuar po e fillojmë programin me vizitën e Papës Benedikti XVI në dioqezën e San Marino-Montefeltros, ku Ati i Shenjtë kaloi gjithë ditën e sotme në republikën e pavarur, brenda territorit italian. Është hera e dytë, pas Karol Vojtilës, që një papë vjen të shohë besimtarët e republikës së lashtë. Fjalët, që sapo dëgjuat, mund të konsiderohen amaneti, që u la atyre Papa Racinger.
Tri, pikat kulmore të vizitës: Mesha e paradites dhe Lutja e Engjëllit të Tënzot, në stadiumin e Serravales, së bashku me 22 mijë besimtarë, 25 kardinaj e ipeshkvij dhe 200 meshtarë; pasdite, takimi me autoritetet, apo me Kapitenët Regjentë, siç quhen udhëheqësit e San Marinos, si edhe me krejt kongresin e me Trupin Diplomatik dhe; në mbrëmje, takimi me të rinjtë në sheshin Viktor Emanueli të Penabilit.

Tingujt e këmbanave në të gjitha kishat e San Marinos dhe atmosfera festive, që ndihej kudo, shoqëruan ardhjen e Papës në Republikën e vogël, që i ka rrënjët në krishterim. Kisha e saj është 1700 vjeçare, lindur nga ungjillëzimi i dy shenjtorëve, që i përmendi edhe Benedikti XVI, shën Marini e shën Leoni, ardhur në këto male nga Kroacia. Nga ky ungjillëzim lindi më vonë përvoja e jashtëzakonshme shoqërore, që karakterizoi historinë e Republikës së Titanit, malit nga ku fillojnë kufijtë e këtij shteti.
Në Meshën e paradites, Papa kujtoi festën e sotme të Trinisë Shenjte dhe komentoi lirtugjinë:
“Tekstet e sotëm të Meshës së Shenjtë flasin për Zotin, prandaj flasin për dashurinë: nuk ndalen aq në Misterin e Tri Vetjeve, por në dashurinë, që përbën thelbin dhe unitetin e trinisë njëkohësisht”.
Duke iu kthyer më pas, rrugës së lashtë të fesë, që ka përshkuar populli samarinez, Benedikti XVI u bëri thirrje besimtarëve ta konsiderojnë atë si pasuri për qytetërimin e sotëm. U kujtoi edhe besnikërinë e tyre ndaj Ipeshkvit të Romës dhe traditën e përkushtimit të thellë ndaj Shën Marisë Virgjër. Në kohën e sotme, vërejti Ati i Shenjtë, nuk mungojnë vështirësitë e pengesat, për shkak të modeleve të hedonizmit e të relativizmit në shoqëri, të cilat e shtyjnë njeriun të mendojë se vetëm progresi tekniko-shkencor është i rëndësishëm e jo feja. Kështu, theksoi Papa, zhvendoset vëmendja nga njeriu. Temë kjo, që Benedikti XVI e preku edhe gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, po në stadiumin e Serravales, duke kujtuar se nesër bie Dita Botërore e Refugjatit, rast, për ta kthyer vëmendjen e për ta vënë njeriun në qendër, njeriun në nevojë, atë të persekutuarin, që detyrohet të ikë nga vendi i vet:
“I ftoj autoritetet civile dhe çdo njeri vullnetmirë të garantojnë mikpritje dhe kushte të denja jetese për refugjatët, në pritje të mundësisë për t’u kthyer lirisht e të sigurtë në atdhe”
Benedikti XVI kujtoi edhe lumnimin e sotëm në Dax të Francës të motër Margaretë Rutan, e kongregatës së Bijave të Bamirësisë, e cila u dënua me vdekje nga jakobinët gjatë Revolucionit Francez, për shkak të fesë së saj katolike e besnikërisë ndaj Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.