2011-06-17 18:07:08

Papa viziton të dielën dioqezën e San Marino-Montefeltro.


Një dioqezë shumë aktive, kjo që do të vizitojë Benedikti XVI. Veprimtaritë e saj mund t’i njohim me hollësi përmes revistës “Montefeltro”, që i kushon një numër të veçantë vizitës së Papës. Intervistuam, me këtë rast, drejtorin e revistës, Françesco Partizani, i cili na flet pikërisht për këtë nismë editoriale:.......RealAudioMP3

Përgjigje: - Janë kontribute të disa miqve, posaçërisht të ipeshkvit tonë, që flasin për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, të cilën do ta jetojmë këtë të dielë e që, sidomos, na ndihmojnë të përgatitemi sa më mirë shpirtërisht, për ta pritur Papën me krahë hapur.

Pyetje: - Kemi dëgjuar se mijëra vetë kanë bërë kërkesë për të marrë pjesë në Meshën, që do të kryesohet nga Papa më 19 qershor. Si po përgatitet bashkësia vendase për këtë takim?

Përgjigje: - Është përgatitur shumë mirë, sepse këtë përgatitje e ka filluar prej muajsh. Nisma më e rëndësishme ishte edhe më e ndjekura: shtegtimi i Marisë. Është fjala për shtegtimin e figurës së Zojës së Hireve, që ruhet në një afresk në Penabili, në shenjtëroren me të njëjtin emër, në të gjitha famullitë e dioqezës. E çdo takim me Zojën tonë të hireve, u parapri e u pasua nga takime të tjera përgatitore, nga çaste lutjesh, kremtime të posaçme liturgjike etj. etj. Të gjitha kremtimet u ndoqën nga një numër i madh besimtarësh, që morën pjesë në to me fe të gjallë.

Pyetje: - Ç’prisni nga kjo vizitë e Benediktit XVI?

Përgjigje: - Papa takohet me një Kishë të veçantë, jo vetëm sepse është gjografikisht e pashoqe, nga që bashkon në një, dy shtete sovrane – San Marinon e Italinë. Takohet me një Kishë të lashtë, të pasur me tradita të shkëlqyera fetare. Kemi edhe sot e kësaj dite manifestime të dukshme të dashurisë së krishterë, që ne i ruajmë me kujdes të jashtëzakonshëm, si thesare të vërteta.

Pyetje: - E dimë se bashkësia juaj është plot gjallëri; e edhe plot veprimtari në fushën shoqërore. Cilat janë më të spikaturat në shoqërinë vendase, e cilat, problemet më shqetësuse?

Përgjigje: - Veprimtaritë misionare: kemi një lëvizje të vërtetë misionare, që lidhet me mbarë botën. Zyra jonë misionare është e pranishme në vendet e Amerikës Latine, në vendet e Afrikës e në vendet e Evropës Lindore, përmes disa shoqatave, që janë vërtetë krenaria jonë.
Ndërsa problemet lidhen me vështirësitë që kanë të bëjnë me punësimin e u krijojnë një shqetësim jo të paktë, sidomos të rinjve. Kemi shumë të papunë e edhe shumë ndërmarrje në krizë, gjë që nuk mund të mos krijojë edhe një situatë të tensionuar, tipike për rrethana të tilla. E Papa do të flasë edhe për këtë.

Të dielën Benedikti XVI do të ndalohet edhe në Penabili, në provincën e Riminit, seli ipeshkvnore e dioqezës së San Marino-Montefeltro. Këtu, përveç katedrales, ku do të ndalohet për të adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament, Papa do të takohet edhe me të rinjtë, që do ta presin në Sheshin Viktor Emanueli. Por, si po përgatitet kjo qendër e vogël, për takimin e madh? Në mikrofonin tonë, kryetari i bashkisë së Penabil-it, Lorenco Valenti:

Përgjigje: - Natyrisht që përgatitet prej kohe për këtë vizitë, për ne epokale, Qytetarët kanë krijuar edhe një komitet të posaçëm për organizimin e pritjes së Papës. Kështu, mund të them se ne të gjithë: autoritetet, admnistrata e populli, rreth trimijë vetë, po përgatitemi për ta pritur Benediktin XVI në festë, e, sidomos, me gjithë zemër!
Penabili është kryqendra e Montefeltros. Jemi një qytezë malore, e natyrisht vuajmë nga problemet, që krijon malësia. Por jetojmë me shpresë se do të na gjallërojë shumë turizmi, sepse kemi shumë gjëra të bukura: pyje, lagje historike tejet tërheqëse, gastronomi të posaçme. E të gjitha këto nuk mund të mos i tërheqin dashuronjësit e malit. Ndonëse edhe shumë vendas ikin, për të kërkuar kushte më të mira jetese. Dëshirojmë që forcat më të mira të mbeten këtu e shpresojmë se Papa do të na nxisë për të qenë gjithnjë protagonistë të ardhmërisë sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.