2011-06-17 15:54:42

Lutje për Papën – sonte, në Sheshin e Shën Pjetrit.


Sonte, në orën 21.00, nis lutja e besimtarëve të shumtë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për Papën e Papninë e tij. Kryesohet nga kardinali Anxhelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm për Qytetin e Vatikanit. Takimi i uratës organizohet nga Lëvizja e Dashurisë Familjare, që dëshiron t’i shprehë Papës me lutje, dashurinë, nderimin e afërsinë. Për këtë natë të re lutjesh, kushtuar papnisë së Benediktit XVI, në mikrofonin tonë, don Stefano Tardani, themelues i Lëvizjes së Dashurisë Familjare:......RealAudioMP3

Përgjigje: - Është viti i shtatë që Lëvizja jonë organizon mbrëmësore lutjeje për Atin e Shenjtë e për Papninë e tij. Ndërmjet tjerash, sivjet kemi dhuratën e 60-vjetorit të shugurimit meshtarak të Atit të Shenjtë, që do të kremtohet më 29 qershor: kemi pra, rast vërtet të përshtatshëm, për t’u mbledhur këtu e për t’u lutur. E sivjet duam të lutemi në mënyrë të veçantë, duke i ftuar gjithë të krishterët të bashkohen me zemër e me shpirt me ne, për Atin e Shenjtë, për rëndësinë e figurës së tij e të shërbimit të tij në krye të Kishës Universale. E t’i kërkojmë Zotit hirin dhe dritën e fesë për aspektet e ndryshme të jetës; për problematikat, që presin zgjidhje; situatat, që shpesh bëhen burim konfliktesh në jetën e përditshme, për paqen e ngushëllimin e të gjitha zemrave.
Sivjet Rruzares do t’i prijnë Misteret e Dhimbshme, përgatitur e komentuar nga vetë familjet, që do ta pasurojnë këtë natë edhe me këngë e me dëshmi të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.