2011-06-17 15:54:11

Benedikti XVI ipeshkvijve të Indisë: punoni për bashkimin e harmoninë ndërmjet jush e meshtarëve.


Benedikti XVI priti, sot paradite, në audiencë, një grup ipeshkvijsh të Konferencës ipeshkvnore të Indisë, që ndodhen këto ditë në Romë e në Vatikan, për vizitën e tyre ‘ad Limina Apostolorum’. Papa theksoi kryesisht përgjegjësitë e ipeshkvijve ndaj priftërinjve dhe rregulltarëve, duke i inkurajuar të punojnë për unitetin në Kishën indiane. Në vijim, i ftoi përsëri meshtarët ta dëshmojnë me vepra dashurinë për njëri-tjetrin, duke shembur, kështu, muret që ndajnë kastat e etnitë. Së fundi, shprehu kënaqësinë për impenjimin e misionarëve, të rregulltarëve e, sidomos, të rregulltareve, në ndihmë të nevojtarëve, që nuk mungojnë kurrë në Indi.......RealAudioMP3

Ipeshkvi duhet të jetë bari e atë, që tubon grigjën e vet e i prin: është porosia e parë që u dha Papa ipeshkvijve indianë, në një fjalim të përqendruar plotësisht mbi përgjegjësitë që kanë përballë klerit e rregulltarëve. Me shembullin tuaj - i inkurajoi Ati i Shenjtë - duhet t’i shërbeni unitetit e t’i prini popullit tuaj gjithnjë drejt bashkimit”.
“Promoting the charism of unity, which is a powerful testimony…
“Punoni me gjithë shpirt për bashkimin – i porositi Ati i Shenjtë – sepse bashkimi juaj është dëshmi e fuqishme, që tregon se të gjithë janë bijtë e një Zoti të vetëm. Njëkohësisht është edhe një nga përgjegjësitë kryesore të ipeshkvit. Ripohoi, më pas, se përmes shërbimit të tyre, ipeshkvijtë duhet t’i inkurajojnë njerëzit e thirrur nga Zoti, ta vijojnë deri në fund ecjen në rrugën e Tij. Nga ana tjetër – shtoi - një nga mënyrat për ta bërë më të dukshëm bashkimin e Kishës, është pikërisht ajo e lidhjes së ngushtë ndërmjet ipeshkvijve e meshtarëve”.
“Thus, you are to be supportive of your priests…
Prandaj - tha Papa – duhet t’i ndihmoni meshtarët tuaj, bashkëpunëtorët tuaj më të ngushtë, e të tregoni kujdes të posaçëm për nevojat e tyre e për synimet e tyre. Pikërisht lidhjet e dashurisë vëllazërore ndërmjet ipeshkvijve, duhen shikuar si baza më e fuqishme për shuarjen e çdo lloj tensioni”.
“Moreover, the witness of reciprocal love…
Për më tepër – shtoi Benedikti XVI – dëshmia e dashurisë së anasjelltë ndërmjet jush, ipeshkvij, e meshtarëve tuaj, pa shikuar kasta, as etni, është një shembull i shkëlqyer, të cilin populli juaj e shikon me dashamirësi të madhe. E edhe meshtarët ju shikojnë ju si modele shenjtërie, miqësie, harmonie. Shembulli juaj u flet zemrave të tyre e u jep një nga mësimet më të çmuara për jetën e tyre meshtarake: u mëson ta jetojnë urdhërimin e dashurisë. Papa vuri theksin edhe mbi detyrat që kanë ipeshkvijtë ndaj rregulltarëve, posaçërisht përmes bashkëpunimit me të parët e kongregatave të ndryshme. Në vijim, shprehu kënaqësinë për kontributin e pashembullt të të gjithë rregulltarëve në fuqizimin e bashkësisë kishtare. Një mendim të posaçëm, për rregulltaret që, në Indi, impenjohen në frontet më të rëndësishme të jetës”.
“They bear witness to its holiness…
Ato - tha Papa – janë dëshmitare të shenjtërisë, të gjallërisë, të shpresës së Kishës. E – shtoi - rregulltaret luten vazhdimisht dhe kryejnë ditë për ditë vepra të mira, shpesh krejt të heshtura, të panjohura, që i shikon veç syri i Zotit e që, prandaj, kanë edhe më shumë vlerë për ndërtimin e Mbretërisë së Zotit, në këtë jetë e në amshim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.