2011-06-16 14:01:58

Reflektim mbi Enciklikën "Caritas in Veritate" në Vatikan


Dy vjet pas botimit të Enciklikës “Caritas in Veritate”, shkruar nga Papa Benedikti XVI, si përgjigje për krizën ekonomike botërore, eksponentë ndërkombëtarë të ekonomisë e të financës u mblodhën sot në Romë për të propozuar zgjidhje konkrete për problemet që ngrihen në dokument. Takimi u organizua nga Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen. Janë dy ditë mbi etikën e botës afariste, gjatë të cilave, sot e nesër, konfrontohen në Vatikan drejtues ndërmarrjesh, veprimtarë të financës dhe pedagogë universiteti, në përpjekjen për t’i shndërruar idetë e Enciklikës në zbatime praktike, të vlefshme për realitetin e sotëm ekonomik botëror.
Në fjalën e hapjes, sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone përshkroi figurën e afaristit, sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike, duke kujtuar se afaristi i krishterë nuk është spekulator, pra nuk i vë vetes detyrë thjesht të arrijë maksimumin e përfitimit, por dëshiron të sjellë risi në shoqëri, dëshiron të ndërtojë e, përmes punës së tij, edhe të fitojë. Kardinal Bertone u vuri përpara pjesëmarrësve sfidat, që duhet të përballojë bota e afaristëve: ajo e punësimit të rinisë dhe ajo e administrimit të pasurive të përbashkëta, si uji, burimet energjitike, bashkësitë, kapitali shoqëror e civil i popujve dhe i qyteteve.
Tryezat e rrumbullakta të këtyre dy ditëve reflektojnë mbi këto sfida, duke propozuar se ç’kontribut mund të japë një ndërrmarje në zhvillimin ekonomik të një vendi, se ç’lidhje ekziston ndërmjet etikës dhe fitimit, se ç’vend zenë bamirësia dhe e vërteta në botën e afaristëve e se si mund të krijohet një klasë etike drejtuesish. Filli, që udhëheq këto diskutime e ka bazën në Enciklikën “Caritas in Veritate”, e cila – kujtojmë – doli nga shtypi më 29 qershor 2009 e ku, Benedikti XVI thekson se bamirësia që respekton të vërtetën është forca kryesore nxitëse e zhvillimit të çdo njeriu e të mbarë njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.