2011-06-16 11:25:56

Irak: bashkësia e krishterë është e tronditur thellë nga atentatet e javëve të fundit.


Më 31 maj, në Mosul, u vra një i krishterë ortodoks, baba i katër fëmijëve, krim që thelloi mosbesimin e të krishterëve në perspektiven e ardhmërisë paqësore në Irak. E nënvizon këtë kryeipeshkvi kaldè i Erebilit, imzot Bashar Varda, në një intervistë, dhënë shoqatës bamirëse katolike ndërkombëtare “Ndihmë për Kishën që vuan”. Besimtarët janë tronditur aq shumë – thekson prelati – sa të arrijnë në përfundimin se për ta nuk ka paqe, e as vend, në Irak. Arakan Jakob - kujton agjencia Zenit - është viktima e fundit e një sërë sulmesh kundër të krishterëve në Irak. Ishte hera e tretë që vihej në shënjestër nga kriminelët. E treta, e vërteta.
Tri javë më parë, Ahur Jakob Isa, u rrëmbye e pastaj edhe u vra, pasi familja nuk qe në gjendje të paguante shumën prej 100 mijë dollarësh për lirimin e tij, kërkuar nga rrëmbyesit. Kryeipeshkvi Varda kujton se që nga viti 2002, më se 570 të krishterë u vranë si pasojë e akteve të dhunës, me bazë fetare ose politike. Ndërmjet viteve 2006-2010, 17 meshtarë irakianë dhe dy ipeshkvij u rrëmbyen, u rrahën, u torturuan nga rrëmbyesit e tyre. Një ipeshkëv e tre meshtarë, pasi u rrëmbyen, u vranë barbarisht. Prej këndej, shumë duan të ikin, duke krijuar një situatë krize edhe në vendet fqinje me Irakun, si Turqia e Siria. Por edhe situata në Turqinë fqinje, nuk është për t’u pasur zili – shton kryeipeshkvi - e Siria, me turbullirat e saj aktuale, nuk mund ta tërheqë një familje, që nuk dëshiron të ikë nga shiu, për të rënë në breshër.
Prandaj prelati ka folur e vijon të flasë në mbarë botën për situatën në vendin e tij. Kohët e fundit shkoi në Mbretërinë e Bashkuar e në Irlandë, për të paraqitur Raportin e “Ndihmë për Kishën që vuan” kushtuar të krishterëve të persektuar në botë. Me këtë rast, pohoi se, mbi bazën e statistikave, që nga vitet ’80, të krishterët në Irak kanë kaluar prej 1,4 milion, në 150.000 mijë vetë. Shoqata katolike ndërkombëtare “Ndihmë për Kishën që vuan” u shpërndan ndihmat e emergjencës të krishterëve refugjatë në Irak, në Turqi e në Jordani. U shpërndan, gjithashtu, ushqime, të shpërngulurve në veriun irakian, e jo më pak, ndihma materiale, meshtarëve të varfër e të persekutuar, murgeshave e seminaristëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.