2011-06-16 11:25:42

Indi: të krishterët mendojnë se vendi ka nevojë kryesisht për paqe, drejtësi, shkollë e liri.


Nevojat kryesore të Indisë janë paqja, drejtësia, shkollimi, liria fetare, respekti për pakicat. Këtë pohojnë të krishterët indianë, duke vlerësuar planin e ardhshëm pesëvjeçar të qeverisë (i 12-ti në historinë e Indisë moderne), përgatitur nga Komisioni përkatës i planifikimit. Plani përcakton vijat kryesore për zhvillimin e vendit në fushën shoqërore, ekonomike e politike, duke informuar qeverinë për arritjet e përgjithshme në jetën kombëtare, gjë që ka për qëllim të orientojë politikat me afat të gjatë. Sipas njoftimit të burimeve të Agjencisë Fides në shoqërinë civile indiane, një komison kombëtar i prijësve të krishterë, kryesuar nga kryeipeshkvi i Delhit, imzot Vinçent Konçesao, përbërë nga drejtues të organizatave jo qeveritare dhe të shoqatave të krishtera, e analizoi planin, duke sinjalizuar cilat janë përparësitë për ardhmërinë e vendit. Teksti përfundimtar i punimeve të Komisionit, pohon: “Nuk mund të flitet për zhvillim, në se popullsia nuk vëren se ekzistojnë me të vërtetë paqja e drejtësia. Prandaj, është detyrë themelore e Shtetit, t’i sigurojë pakicat se do të impenjohet për të mbrojtur Shtetin e së drejtës dhe për t’i dhënë fund dhunës ndërmjet bashkësive, duke i vënë autorët para përgjegjësisë e duke miratuar, sa më shpejt, ligjin për mbrojtjen e pakicave. Të krishterët kërkojnë të analizohet me hollësi gjendja shoqëroro-ekonomike e bashkësive të krishtera në të gjitha shtetet e Indisë, për të njohur nga afër diskriminimet e pësuara nga të krishterët dalitë e për t’u siguruar atyre të drejtat themelore civile e politike. Përveç tjerash, theksohet në tekst, qeveria duhet të respektojë edhe disa garanci kushtetuese, kryesisht, atë që garanton lirinë e të gjithë besimtarëve për ta praktikuar e për ta përhapur fenë e tyre, sepse shtetet e ndryshme e shpërdorojnë këtë garanci, në dëm të pakicave të krishtera, në mënyrë të posaçme, në fushën e arsimit e të mbrojtjes së shëndetit. Duke pasur parasysh se në këto sektorë ndihma financiare është themelore, e duke kujtuar kontributin e madh, që i kanë dhënë mbarë Kombit në këtë drejtim, të krishterët kërkojnë nga qeveria themelimin e “Korporatës së krishterë për financimin e arsimit”, që do të mund të japë bursa studimi e edhe hua me interes zero për studentët, sidomos për më varfërit, të cilët sot hasin vështirësi gati të pakapërcyeshme për vijimin e studimeve. I kujtojnë qeverisë se duhet të ketë më shumë kujdes edhe për fshatarët, duke e zgjeruar “Korporatën për financimin e zhvillimit të pakicave kombëtare” . Së fundi, kërkohet që të krishterëve t’u sigurohet përfaqësimi i duhur në administratën civile, në ushtri e në sistemin gjyqësor, në nivel federal, kombëtar e provincial.







All the contents on this site are copyrighted ©.