Greqia në kaos. Pritet qeveri e bashkimit kombëtar
Greqia në kaos. Pas manifestimeve të djeshme kundër masave të qeverisë për kapërcimin
e krizës ekonomike, kryeministri Papandreu foli fillimisht për dorëheqje, pastaj për
ndryshime në qeveri, me synimin përfshirjen e të gjitha forcave politike në ekzekutiv.
Brenda së martës, qeveria do të kërkojë votëbesimin në parlament, ndërsa problemet
e vendit po ndikojnë fuqimisht në Evropë. Sipas analistëve, Greqia rrezikon falimentimin,
pra, mund të ndodhet para pamundësisë absolute për të respektuar masat e kërkuara
nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e nga Bashkimi Evropian, si kusht për t’i dhënë Athinës
kreditë e ndihmat e parashikuara. Edhe sot, komisari për ekonominë, Olli Rehn deklaroi
se këto dy organizma presin brenda muajit miratimin e masave nga parlamenti grek. Ndërkaq,
tregu i financave evropiane u përgjigjet negativisht ngjarjeve në Greqi. Bursa është
në rënie të dukshme e jo vetëm në Evropë. Euro zhvlerësohet në krahasim me dollarin.
Thellësisht i shqetësuar, presidenti francez Sarkozì u bëri thirrje vendeve të zonës
euro të jenë gati të arrijnë një kompromis për të gjetur zgjidhje për krizën greke
e për të shpëtuar monedhën e përbashkët evropiane.