2011-06-15 17:12:11

Selia e Shenjtë: vendet e varfëra kanë nevojë të ngutshme për ilaçe kundër Sidës, jo për ideologji e interesa ekonomike.


Në vendet e pazhvilluara, vetëm një e treta e njerëzve të prekur nga Sida, ka mundësi të sigurojë ilaçet e nevojshme: këtë nënvizoi delegacioni i Vatikanit, me rastin e takimit Hiv/Aids, që u mbajt në kuadrin e sesionit të 65-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Dje, në emër të vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, kryeipeshkvit Chullikatt, foli në takim pedagogia e drejtësisë, anëtare e delegacionit të Vatikanit, Jane Adolf. Kryeipeshkvi Chullikatt, ditë më parë, lëshoi disa deklarata lidhur me këtë problem të mprehtë, që shpesh merr përmasat e një tragjedie të heshtur, në skenën botërore.

Kisha katolike mendon e vetme për asistencën e 20% të njerëzve, që bashkëjetojnë me virusin Hiv ose me Sidën, një pjesë e mirë e të cilëve, fëmijë. Dhe është plotësisht e vetëdijshme për padinë: “Mjekimet antivirale vijojnë t’i mungojnë një numri të madh njerëzish të sëmurë, banorë të vendeve më të varfëra e më të ligështa”. Në vendet me pagë të mesme e të ulët – saktësohet – rreth 15 milion njerëz bashkëjetojnë me virusin Hiv ose me Sidën, por vetëm 5 milion prej tyre kanë mundësi të sigurojnë ilaçet e nevojshme, për të shpëtuar jetën.
Veç kësaj, delegacioni vatikanas tërheq vëmendjen e të gjithëve për nevojat e familjeve, që kanë pjesëtarë të prekur nga sëmundja, pa harruar edhe 16 milion jetimët për shkak të Sidës, në botë. Duke pikturuar gjithë këtë kuadër, aspak optimist, delegacioni vatikanas në OKB nënvizoi objektivin kryesor: bllokimin e përhapjes së sëmundjes. E për t’ia arritur këtij qëllimi, ripohoi me bindje se i vetmi mjet i suksesshëm, i shëndetshëm e i praktikueshëm, duhet të jetë ai i zgjedhjes së sjelljeve, duke nisur nga vetëpërmbajtja në periudhën para martese e nga besnikëria bashkëshortore, pas saj. Lidhur me edukimin e njerëzve për një sjellje plot përgjegjësi ndaj vetes e ndaj të tjerëve, nënvizohet në mënyrë të veçantë roli i familjeve. Prindërit – kujtohet – kanë të drejtën themelore e detyrën t’i mësojnë fëmijët të sillen me përgjegjësi të plotë në jetë.Në deklaratat e tij, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, kryeipeshkvi Chullikatt, kujtoi se bashkësia ndërkombëtare e jeton që prej 30 vjetësh dramën e sëmundjes e se edhe sot e kësaj dite në botë numërohen 33 milion njerëz të prekur nga virusi Hiv ose nga Sida. Këta njerëz – theksoi prelati – janë pjesëtarë të familjes së madhe njerëzore. Prej këndej, mund ta konsiderojmë si një nga tragjeditë më të mëdha të kohëve tona për të gjithë njerëzimin. Imzot Chullikatt nënvizoi, më tej, se Kisha u impenjua menjëherë, jo vetëm në ndihmë të të sëmurëve, por edhe në kërkim të rrugëve shkencore parandaluese, të bazuara mbi vlerat morale, me synimin për t’ia prerë rrugën sëmundjes. Sot mund të kujtojë sukseset që ka arritur, posaçërisht në Afrikë, përmes programeve të bazuara mbi përjashtimin e sjelljeve, që e rrezikojnë shëndetin e njeriut, por edhe duke nënvizuar se njohja në në nivel ndërkombëtar e këtyre sukseseve, mohohet prej atyre, që udhëhiqen nga ideologji të caktuara e nga interesa të caktuara ekonomike. Përballë kësaj situate, Kisha ripohon me forcë se është e nevojshme të promovohen metodat e bazuara mbi njohjen e dinjitetit të njeriut. Vijnë, pastaj, disa saktësime mbi disa shprehje të përdorura në Komunikatën përfundimtare të takimit të OKB-së. Delegacioni vatikanas shpjegon se të flasësh për ‘popullsi në rrezik’, do të thotë të mendosh për njerëzit, si të ishin sende, gjë që përjashton, pastaj edhe këndvështrimin moral të problemit, domethënë sjelljet e papërgjegjshme të njerëzve, që, pastaj marrin sëmundjen e shkojnë drejt vdekjes. Gjithashtu shprehja “dëmi më i vogël” lidhur me përdorimin e ilaçeve kundër Sidës, nuk e respekton dinjitetin njerëzve, që vuajnë. Takohet, pastaj, edhe shprehja “punëtorët e seksit”, shpjegon imzot Chullikatt – që të shtyn ta konsiderosh prostitucionin si një nga format e ligjshme të punës.







All the contents on this site are copyrighted ©.