2011-06-15 15:23:31

Përkujtojmë përvjetorin e lindjes së priftit e atdhetarit shqiptar, don Ndoc Nikaj.


Përkujtojmë sot përvjetorin e lindjes së priftit e atdhetarit shqiptar, don Ndoc Nikaj. Lindi në Shkodër më 15 qershor 1865.
Don Ndoc Nikaj hyn në rradhën e atyre priftave e shkrimtarëve të cilët veprimtarinë meshtarake dhe shkrimin e kuptuan si mision në shërbim të Zotit e të popullit, duke mbështetur idenë kombëtare. Ai qe shkrimtar dhe punëtor i palodhshëm, njeri i zellshëm i cili për mëse 50 vite me radhë punoi duke mos lëshuar pendën prej dorës për të lavruar gjuhën shqipe dhe për të ringjallë tek populli idenë kombëtare, për të përforcuar identitetin etnik e shpirtëror.
Si i tillë, dha kontribut me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e kulturës shqiptare, edhe sa i përket krijimtarisë së tij të madhe e poliedrike, e siodomos duke pasur parasysh kohën kur don Ndoc Nikaj punoi, kohë kur gjuha shqipe ishte rreptësisht e ndaluar nga ana e qeverisë turke.
Veprimtarinë letrare e fillon kur ishte ende nxënës në seminarin Papnuer në Shkodër, ku po pregatitetj për meshtari. Librin e parë e botoi në vitin 1888 e cila mban titullin “Vakinat e Kishës”, vepër e cila u botua në shtypshkronjën e Propaganda Fide-s në Romë. Don Ndoc Nikaj në këtë vepër pati dy qëllime të larta: të njihet sa më mirë historia e Kishës, e populli të ketë njohuri mbi Kishën dhe krishterimin, dhe e dyta të nxisë e ringjallë tek populli shqiptar dëshirën e shijen për lexim në gjuhën shqipe. Një vit më vonë (1889) boton romanin “Marcja”, i cili së shpejti u përhap pothuaj në të gjitha familjet e Shkodrës e ato shqiptare.
Abati i Mirditës, Imzot Prenkë Doçi një ditë bashkë me disa bashkëpunëtorë shkon në Shkrel ku Don Ndoci ishte famullitar . Bashkë me Don Ndocin vendosin të formojnë një shoqëri që do të kishte për qëllim përhapjen e idesë kombëtare dhe çlirimin e tokave shqiptare nga sundimi otoman. Kjo shoqëri thirrej “Lidhja e Mshehtë”. Lidhja u përhap sidomos duke iu falënderuar punës së palodhshme të Don Ndoc Nikajt dhe më vonë përgatiti kryengritjen kundër sundimit otoman. Don Ndoci qe transferuar prej Shkrelit në Dajç të Bregut të Bunës. Ideja për kryengritjen kundër qeverisë turke vinte gjithnjë duke u pjekur, kur dhe pas përgatitjeve të duhura ajo plasi më 25 mars 1910 dhe zgjati deri më 1912 me fitimin e pavarësisë. Prifti shqiptar don Ndoca Nikaj qe ai që kryengritjen e ndihmoi në çdo mënyrë, madje ai ishte frymëzuesi i saj.
Kur imzot Prenkë Doçi përpiloi programin për formimin e shoqërisë letrare “Bashkimi” (1899), Don Ndoci qe punëtori më i zellshëm dhe puna e veprimtaria e tij e madhe e këtij krijuesi bëri që shoqëria të përhapej dhe të fitonte rëndësi të madhe. Më 1909 solli në Shkodër një shtypshkronjë në të cilën do të botohen fletore dhe libra në gjuhën shqipe.
Kështu më 1910 boton një ndër të parat fletore politike në Shqipëri. Kjo fletore qe botuar me emra të ndryshëm: numri i parë u quejt “Koha”. Ky titull i bie qeverisë osmane në sy, prandaj e detyroi Don Ndocin të ia ndryshonte titullin dhe u quajtur “Bashkimi”, pastaj “Besa Shqyptare”, “Zani i Shkodrës”, sipas kushteve të politikës së brendshme që ekzistonin asokohe në Shqipëri. Kjo fletore u botua në vitin 1921.
Në të pati artikuj plot guxim, me frymë kombëtare, për çka edhe Don Ndoci qe dënuar me burgime, goditje të rënda, kërcënime etj.
Më 1897 Faik Konica fillon botimin e përkoshëm “Albania”. Në këtë revistë don Ndoc Nikaj merr pjesë pothuaj rregullisht me artikuj me përmbajtje politike, shoqërore dhe atdhetare.
Këtu kishte pseudonimin “Nakdomonici” ku Atë Gjergj Fishta në poezinë satirike “Nakdomonicipedija” “përqesh” përpjekjet fisnike dhe atdhetare të këtij prifti të madh shqiptar.
Don Ndoc Nikaj punoi pa u lodhur edhe për ta njohur Evropën me çështjen e lirisë së tokave shqiptare. Për këtë qëllim mbante kontakte të rregullta me të gjitha shoqëritë shqiptare të krijuara nëpër qendra të Evropës.
Krijimtaria letrare
Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më se 30 vepra me përmbajtje të ndryshme. Elementi kryesor i të gjitha veprave pothuaj është i marr nga jeta shqiptare: përshkruhen zakonet e lashta dhe fsinike të shqiptarëve, bëhet fjalë për historinë e kombit, subjektet e tija janë të gjitha nga jeta e njerëzve tanë. Vepra më e rëndësishme është “Historia e Shqypnis”, vepër me 414, botuar në Bruxelles më 1902.
“Përshkrimet e luftimevet të Shqyptarëvet kundra Turkut, nën kryesin e fatosit Skenderbeg, deri në ramjen e Shkodrës në vjetin 1478, janë të gjalla e të shkrueme me nji entuziazëm kombtar, prej të cilit shihet zemra e ndezun e shkrimtarit për fisin e vet”. (Shkrimtarët Shqiptarë, Tiranë, pjesa II, fq. 93.)
Bashkë me Don Kolecin, i cili është autor kryesor i fjalorit të njohur “Bashkimi” (1908) edhe Don Ndoc Nikaj punoi në përmbledhjen e fjalëve dhe të thesarit popullor nëpër famullina kishtare ku veproi si prift famullitar.
Ja disa nga veprat e botuara prej autorit në fjalë:
“Vakinat e Kishës” (1888), “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), “Bleta ndër lule të Parrizit” (1907), fletorja “Koha”, Bashkimi, “Besa Shqiptare” etj. (1910 – 1921), “Kalendari me diftime gjithfarësh” (1910), “Diftime të natyrshme” (1912), “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa II, 1913), “Abetari i vogël për Msojtore” (1914), “Të ndollmet e Kishës” (1914 – botim i dytë), “Abetari i madh” (1914), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Diftime të Natyrshme të unjishme” (1915), “Tivari i marrun” (1915), “Bisedime Shqyp – tedeshk” (1915), “Abetari” (dorë e dytë 1916), “Përmbledhje e historis së Shqypnis për shkolla” (1917), "Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), "Burbuqja” – roman historik (1920), “Motra për vllan” (1924), “Kalendari”, “Shqyptari” (1906, 1914, 1915) etj.
I mbeten të pabotuara edhe shumë dorëshkrime, ndër të cilat janë edhe shtatë romane: katër historik të vendit dhe tre në përkthim të lirë. Këta janë: “Lulja e Veshkun”, “Dashuni e Mshehët”, “Për mik”, “Ç’pat thanë gjyshja”, “Han Islandi”, “Nji Testament”, “Te Shpella e Murosun”.
Don Ndoc Nikaj qe vërtetë një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i palodhshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar. Puna e palodhshme e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e shkrini në botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare.
******
JETËSHKRIM HISTORIK ME GJITHFARË TRAZIRASH –
DOM NDOC NIKAJ,
“KUJTIME TË NJI JETËS SË KALUEME”, TIRANË 2003

Përkujtojmë sot përvjetorin e lindjes së priftit e atdhetarit shqiptar, don Ndoca Nikaj. Lindi në Shkodër më 15 qershor 1865.

Jeta dhe veprimtaria e dom Ndoc Nikaj. Ai lindi në Shkodër më 15 qershor 1865. Mësimet fillestare i kreu tek françeskanët, kurse në moshë 13 vjeçare hyri tek jezuitët në Kolegjin Papnor në Shkodër të cilat i përfundoi më sukses duke u bërë meshtar në vitin 1888. Veprimtaria e tij, e cila filloi pas shugurimit për meshtar, ishte fetare shkencore, historike, letrare, publicistike dhe politike, e botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Si shkrimtar filloi që në moshën 24 vjeçare, kohë kur shkrim leximi në gjuhën shqipe ishte rrepstësisht i ndaluar prej qeverisë turke. Nikaj është më i pari krijues i romanit shqip. Ai shkroi më se 30 vepra të zhanrit të ndryshëm.
Nga shtëpia botuese Plejad në Tiranë, shtypi librin e autorit dom Ndoc Nikaj. Libri, redaktorë të të cilit janë dr. Nevila Nika dhe Ibrahim Kadriu, mban titullin Kujtime të nji jetës së kalueme, të cilin e përgatiti dhe e pajisi me shënime dom Nikë Ukgjini. Tekstin origjinal të dorëshkrimit që e ka lënë vetë autori, e botoi për herë të parë “Zëri” i Prishtinës, kurse më pas ”Tema” e Tiranës. Ky interesim i mediumeve në Kosovë dhe në Shqipëri tregon se fjala është për një libër me vlerë, në të cilin autori shkodran ka shënuar kujtimet e tij historike, të cilat janë shkruar sipas rëndësisë së ngjarjeve të historisë sonë, e të cilat përfshijnë periudhën e viteve 1870 1945, kur, siç thotë vetë autori, mbarojnë diftesat e këtyne kujtimeve pse plotsohet tetëdhjetë vjetori i kësaj jete të kalueme, me trazime gjithfarësh. Këto kujtime histrorike të dom Ndoc Nikaj na përkujtojnë në ato rrëfimet e gjyshërve tanë për të kaluarën tonë sa të lavdishme aq edhe tronditëse, andaj edhe lexohen lehtë e me kënaqësi, sepse siç pohon autori, zbulojnë ndrrimet e mëdhaja mbrenda një kohe sa asht nji brez jete e nji populli” dhe shton “ ma tepër i shtyepm prej tjerve se prej andjes s'ëme nisa me rreshtue n'uzdajë se dishka ka për t'i vjeftë të rive t'ardheshem per defrim leximi e ashtu edhe per ndonji perfitim moral e per drejtim jete, ku kan me mujtë me msue sende për t'u ndjekë e sende për t'u largue porsi te rrezikshme sikur i paraqesin rasat e diftueme. Vlerësojmë se ky libër ia arriti qëllimit që i kishte parashtuar vetes autori, sepse këto kujtime, edhe pse përgjithësisht nuk kanë kronologji kohore dhe sigurisht kanë nevojë për theksimin e disa datave që lidhen me disa nga këto ngjarje, për lexuesin janë sa të këndshme aq edhe të dobishme. Lexuesi në këto shkrime, shprehet autori ka me gjetë dashtunin ma shejten e ma të çmueshmen që i kje e asht dhe ka me kenë për njeriun e ndershëm dashtunin e atëdheut, burrnitë, kreshnikitë, flijimet që e ushqejnë dhe e ngjijnë shpirtnisht e mendsisht njerin e urtë. Në një jetëshkrim siç është ky, ku mosha përfshin plot një jetë njeriu, çdo lexues do të gjejë diçka që atij i intereson dhe i ofrohet mundësia të mësojë diçka nga ngjarjet e ndodhura në krahinën e Gegënisë. Lexuesi, veç kësaj, ka mundësi edhe të përfitojë nga ky libër, duke iu shmangur sendeve që i vëren se janë devijuese e të dëmshme dhe të përvetësojë ato që i vlerëson se janë të vlefshme dhe të ndershme.
Dom Ndoc Nikaj përshkrimin e jetëshkrimim e tij në këtë libër e fillon në ato vite kur edhe pat filluar jeta e tij. Fillimisht na tregon një biografi të vetën, për fatin e njëmbëdhjetë vëllezërve dhe motrave të tij, për kushtet e jetesës së prindërve të tij, të cilët materialisht ishin të varfër, por shpirtërisht të pasur. Në vazhdim shkruan për vajzat e Malësisë, fejesat, martesat, doket, zakonet, ngatërresat, vrasjet e gjaqet që për atë kohë, madje edhe sot, ishin të vështira për pajtime. Ngjarja e parë që ka mbetur e ngulitur në mendjen e dom Ndoc Nikaj qysh në vegjëli, ishte varrimi i Bibdodë Pashës së Mirditës, ngjarje kjo që ka ndodhur atëherë kur autori nuk kishte mbushur ende 5 vjet. Nga ngjarjet e shumta e mjaft interesante të këtij libri, për të cilat autori shprehet se faktet i ka diftue lakuriq sikur janë kenë po përmendim vetëm disa, të cilat mendojmë se do të zgjojnë kureshtjen e lexuesve. Veçojmë ndezjen e tmerrshme të xhebehaneve të Kështjellës së Shkodrës në dhjetor të vititi 1874, ngatërresat ndër ortodoksë dhe katolikë rreth Kuvendit të Urdhërit Benediktin në Rash, të cilat kanë ndodhur në vitin 1855 dhe 1869, rrënojat e Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, përshkrimi i kohës së kapadajive guximtarë të cilët mendjen e kishin në pushkë e grabitje, e cila u referohet viteve 1888-1892, formimi i Lidhjes Kombëtare në Shkrel “Bashkimi Kombëtar” ose “Lidhja e Mshehet” në vitin 1893, pastaj përjetimet e autorit gjatë viteve 1900-1901, kur i bëri vizitë edhe Faik Konicës në Paris, qëndrimin e tij në Sarajevë dhe Vienë më 1905 dhe më vonë aktiviten e tij në Shkodër gjatë viteve 1907-1912 me qëllim që ta lidhë ekonomikisht Mirditën me Shkodrën. Një kapitull të veçantë ia ka kushtuar edhe Kryengritjes së Malësisë së Madhe (1910-1911) dhe gjuhës shqipe në kohën kur Turqia kishte hyrë në Shqipëri, në kohën kur përdorej vetëm gjuha e folur, por jo edhe e shkruar.Giuha vetem e folun gojarisht nuk shkaktonte asnji rrezik t'ardheshem mbasi qi nuk ishte mjet me komunikue e me perhap mendimet e njanës anë me tjetren, me shumicë mendimesh për nji herë... Për kundra giuha me të shkrueme mund t'ishte nji rrezik i vazhdueshëm per nga ana e sundimit, pse shkrimet depertojnë qetëlsisht e mshehtas, bindin mendjet e tjerëve qi i lexojnë… Turki prandej, me shum arrsye, dronte kulturën e shkrimet e kendimet se sa për giuhen e folur gojarisht nuk u interesue me ca ndryshime. Per at qellim shkollat në giuhen shqype kjene të ndalueme me ligjë të veçantë. Nuk mund të botoheshin libra e fletore a të përkohëshme e tjera sende përkatëse. Çdo libër në giuhen shqype ishte i dnueshëm edhe rrebtsisht i ndaluem. Kuej i gjindej në dorë ndeshkohej me burgim e tretnin, shkruan dom Ndoc Nikaj. Ai po ashtu në vazhdim shkruan për ngjarjet ngatërruese rreth flamurit dhe shkronjave të gjuhës shqipe midis muhamedanëve të Shkodrës dhe katolikëve. Të parët këmbëngulnin që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja turqishte, kurse të dytët kërkonin që shipja të shkruhet me shkronja latine. Në këtë jetëshkrim historik autori flet edhe për Luftën e Parë Botërore, 1914, qëndrimin e lirshëm të ushtrisë serbomalazeze në Shkodër që nga 5 qershori i i vitit 1915 e deri më 2 shtator 1916, qëndrimin e ushtrisë austriake në Shkodër në vitin 1916-1918, Luftën Ballkanike, 1912-1914 dhe Lëvizjet e Mirëditës më 1920. Mjaft interesant është edhe kapitulli kushtuar themelimit të shoqërisë “Bashkimi” në vitin 1899, shoqërisë “Agimi” më 1902 dhe Luftën e Kastratit më 1910-1911, Luftën me Mal të Zi më 1911, Lëvizjen e Mirëditës , qeverinë shiptare të Durrësit , vrasjen e Prenkë Pashës, kohën kur në Shqipëri hypi në postin e ministrit të Brendshëm Ahmet Zogu, kohën kur u themelua Qeveria e Nolit, ikjen e Zogut nga Shqipëria në Londër, më 7 prill 1939 dhe ngjarje tjera mjaft interesante. Fakti se autori ishte tetëdhjetvjeç kur fillon t'i shkruaj këto kujtime dëshmon se sa e fortë dhe e qëndrueshme është kujtesa e njeriut.

Gjekë Gjonaj, Ulqin







All the contents on this site are copyrighted ©.