2011-06-15 15:00:16

Në audiencën e përgjithshme, duke folur për Elinë, Papa theksoi: ku zhduket Zoti, njeriu bëhet skllav i ideologjive dhe i nihilizmit.


(15.06.2011 RV)Pushtetit të pakufishëm të Zotit, njeriu duhet t’i përgjigjet me dashuri të pakufishme: është ftesa, që Papa u drejtoi sot besimtarëve në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Në qendër të katekizmit, figura e Elisë Profet. Benedikti XVI kujtoi se në kohën kur Izraeli po i nënshtrohej joshjeve të idhujtarisë, Elia e vuri popullin e vet përballë së vërtetës, duke e rikthyer, kështu, në rrugën e shpëtimit. E kjo - vërejti Benedikti XVI – na kujton se edhe sot, atje ku Zoti zhduket, njeriu bëhet skllav i ideologjive, rob i nihilizmit.RealAudioMP3

Feja e vërtetë dhe idhujtaria! Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI i vuri ballë për ballë, përmes ballafaqimit të figurave simbol: Elisë mënjanë e ndjekësve të idhullit Baal, në anën tjetër, në Izraelin e shekullit IX para Krishtit. Duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa shpjegoi se edhe sot, ashtu si trimijë vjet më parë, njeriu, kur largohet nga Zoti, bëhet skllav:
Atje ku zhduket Zoti, njeriu bie nën skllavërinë e idhujtarive, siç e treguan, në kohët tona, regjimet totalitare me skllavërinë e tyre idhujtare e si vijojnë ta tregojnë disa forma të nihilizmit, që e bëjnë njeriun rob të idhujve e skllav të idhujtarive”.
Papa kujtoi, kështu, se në kohët e Elisë, në Izrael ishte krijuar një situatë, e cila ia kishte hapur në të dyja kanatat portat sinkretizmit, prirjes për të pajtuar elemente filozofike e fetare, që u përkasin kulturave krejt të ndryshme. E prandaj, njëkohësisht me Zotin e vërtetë, populli adhuronte edhe zota të rremë, si Baali. Pikërisht për t’i çjerrë maskën një marrëzie të tillë e një sjelljeje të tillë mashtruese, Elia mbledh popullin e Izraelit mbi Malin Karmel dhe i kërkon të zgjedhë një herë e mirë: ose Zotin, ose Baalin. E këtu - vërejti Papa – zbulohet para syve të të gjithëve, kotësia e idhullit:
“Adhurimi i idhullit, në vend që ta shtyjë zemrën njerëzore drejt Alteritetit, drejt marrëdhënieve çliruese, që krijojnë kushtet për të dalë nga hapësira e ngushtë e egoizmit e për të hyrë në përmasat e dashurisë e të dhurmit reciprok, e mbyll në rrethin e ngushtë e dëshpërues të kërkimit të vetvetes. E mashtrimi arrin deri atje, sa ta detyrojë njeriun që, duke adhuruar idhullin, të kryejë veprime të skajshme, në përpjekjen e kotë për t’ia nënshtruar vullnetit të vet”.
Krejt e ndryshme sjellja e Elisë. Profeti i drejtohet Zotit, duke e quajtur Hyji i Etërve, për të kujtuar, kështu, premtimet hyjnore dhe historinë e Besëlidhjes, që e bashkoi Zotin me popullin e vet. Elia lutet, që Izraeli të vihet ballë për ballë me të vërtetën e të bëjë zgjedhjen përfundimtare: të ndjekë vetëm Zotin. Lutje tejet aktuale, kjo:
“Pushtetit të pakufishëm të Zotit, besimtari duhet t’i përgjigjet me dashuri të pakufishme, të plotë, me të gjithë jetën, me të gjitha forcat, me gjithë zemër. E pikërisht për kthimin e zemrës së popullit të vet kah Zoti, lutet Profeti”.
Në përfundim, Papa pohoi, përmes shembullit të Elisë, cili është qëllimi i vërtetë i lutjes:
“Qëllimi i parë i lutjes është pendimi, kthimi i zemrës: zjarri i Zotit, që e shndërron zemrën tonë e na bën të aftë ta shohim atë të Lumin e kështu të jetojmë si dëshiron Ai; të jetojmë për Të e për tjetrin”.
Adhurim i vërtetë – shtoi Papa - do të thotë t’ia dhurosh Zotit e të afëmit gjithë vetveten. Adhurimi i vërtetë është dashuri, që nuk e shkatërron njeriun, por e shndërron.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi në mënyrë të veçantë Misionarët e Misionaret e Zojës Ngushëlluese si dhe Bijat e Provanisë Hyjnore, mbledhur në kapitujt e tyre të përgjithshëm. Më pas, një përshëndetje shumë të përzemërt, të rinjve:
Të dashur të rinj, për shumë nga moshatarët tuaj filluan pushimet verore, ndërsa për të tjerët, është kohë provimesh. Ju ndihmoftë Zoti ta jetoni këtë kohë me paqe e me entuziazmin e fesë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.