2011-06-15 17:00:37

Akoma bombardime mbi Tripoli, ndërsa rebelët përparojnë


Në Libi, vazhdojnë akoma bombardimet e NATO-s mbi Tripoli, ndërsa kryengritësit përparojnë nga perëndimi. Ndërkaq, rritet numri i vendeve, që e njohin si të ligjshëm Këshillin Kombëtar të Përkohshëm të rebelëve në Bengazi. Pas Kanadasë, në pesëmbëdhjetëshen e këtyre shteteve hyri edhe vendi i parë latinoamerikan, Panamaja. Konflikti libian ishte gjithashtu, në qendër të misionit të sekretares amerikane të shtetit, Hilari Klinton në Afrikë. Duke folur në Etiopi, para 53 krerëve të shteteve të Bashkimit Afrikan, ajo u kërkoi të braktisin çdo formë përkrahjeje për Gedafin e të mbështesin eksponentët e Pranverës arabe.
Por, sipas gazetës arabe “al-Quds al-Arabi”, Këshilli i rebelëve është ndarë në dy kampe: në islamikë e në laikë. Islamikët janë shumica në Këshill, ndërsa laikët, pra ata që nuk duan një vend të qeverisur nga feja islame, janë shumica në organin drejtues, i cili konsiderohet qeveria e kryengritësve. Ndërmjet këtyre grupeve nuk ekziston vetëm luftë për pushtet, por edhe për përmbajtjen e Kushtetutës së ardhshme e për formën e qeverisjes pas Gedafit. Nuk ka një qëndrim të përbashkët edhe përsa i përket ndihmës, që forcat perëndimore u japin rebelëve në luftën kundër Tripolit. Laikët do të donin që NATO-ja të ndërhynte edhe me trupat tokësore, ndërsa islamikët e përjashtojnë krejtësisht këtë mundësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.