2011-06-14 13:33:35

Kardinali Ravazi organizon më 10 shtator takimin “Muzika e feja” në Umbria të Italisë


Kardinali Ravazi do të organizojë më 10 shtator takimin “Muzika e feja” në kuadrin e edicionit të 66-të të festës popullore muzikore në Umbria të Italisë.
Nga Bota e vjetër, në të renë”, a, më qartë, lidhjet muzikore të Evropës me Amerikën, nga vitet ‘600, në ato ‘900. Kjo është tema e edicionit të 66-të të festës popullore muzikore umbre. Është festival i mirënjohur në botë, që jep ndihmesë të shquar, sidomos, për muzikën kishtare. Sivjet i kushtohet kompozitorit Francesco Siciliani, në njëqind vjetorin e lindjes. Festa muzikore do të hapet të shtunën, më 10 shtator, me takimin e titulluar “Muzika e Feja”, organizuar me nismën e Kardinalit Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës, për t’i dhënë një shtytje të re dialogut muzikor ndërmjet Kishës e kulturës muzikore të shekullit XXI, dialog me rëndësi e me vlerë jo të paktë për Kishën e për botën, siç e shpjegon, në mikrofonin tonë, drejtori artistik i Festivalit, Alberto Batisti:

Përgjigje: -Kardinali dëshiron të rihapë dialogun me kulturën bashkëkohore në përgjithësi. Mjafton të kujtojmë ‘Oborrin e paganëve’. E kjo ka rëndësi të madhe, sepse në fushën muzikore nuk kemi ende ndonjë formë të spikatur bisede me muzikën bashkëkohore, që të ndikojë edhe në përtëritjen e muzikës në liturgji.

Pyetje: - Të kujtojmë temën e këtij viti: “Nga Kontinenti i vjetër, në të riun, lidhjet ndërmjet dy brigjeve të oqeanit”, marrëdhëniet muzikore. Ju niseni nga vitet ‘900 dhe i propozoni posaçërisht, përmes figurës së Bernshtajnit, protagonist i shumë koncerteve, që në zanafillë të lidhjeve muzikore ndërmjet Evropës e Amerikës...

Përgjigje: - Po, Jordi Saval, në koncertin e tij të San Bevignate, do të kujdeset të vërë në dukje pikërisht këtë shkëmbin muzikor ndërmjet ‘conquistadores”, apo pushtuesve spanjollë - që sillnin me vete muzikën e tyre iberike, dhe traditave popullore, të cilat pastaj bënë të lindte muzika kreole, sythe iberike shartuar mjeshtërisht në trungun e traditave vendase. Pastaj ungjillëzimi i Amerikave, përmes figurave të polifonistëve të mëdhenj të botës së re, solli në Evropë sythet nga muzika e Botës së re. Janë kompozime vërtet prekëse, që na çojnë nga Meksika, në krijimet jezuitike të Argjentinës, të Bolivisë, Paraguajt, Brazilit, ku misionarët jezuitë u dhanë mësime muzike popujve Guarani, duke mësuar shumë edhe nga traditat e tyre.

Pyetje: - Ç’mund të na thoni për rolin, që luan muzika në veprimtarinë ungjillëzuese?

Përgjigje: - Tepër të rëndësishëm. Ishte bërë një nga mjetet, që afronte gjuhësisht botën e Perëndimit dhe përshpirtërinë e Perëndimit të krishterë me këto popullsi të reja, duke u dhuruar, së bashku me Lajmin e Mirë, edhe pasurinë e një përqafimi universal, të cilin muzika di ta japë si moskush, me gjuhën e tingujve, që e kuptojnë të gjithë.

Pyetje: - Ndërmjet protagonistëve më në zë të edicionit tuaj 2011 është edhe Daniel Harding, drejtor, në këtë rast, i filarmonisë së La Scalës, me një program të veçantë...

Përgjigje: - I kërkova Daniel Hardingut në këtë Festival, të na sjellë simfoninë e Botës së Re. M’u duk si vulë e natyrshme për një veprimtari muzikore evropiane, pse desha të tingëllojë në të humori muzikor, krejt i panjohur, i kësaj bote, ku ndjehet fort malli i ardhacakëve, për ritmet e meloditë e atdheut të largët.

Pyetje: - A mund të na e përmblidhni me dy fjalë, këtë festë muzikore, si drejtor artistik i saj?

Përgjigje: - Një itinerar, një udhëtim; në këtë rast, udhëtim drejt tokave që, në këndvështrimin e kulturës muzikore, për ne janë toka të panjohura. Natyrisht ‘na ka pushtuar’ muzika amerikane, por nuk dimë gjë prej gjëje si u krijua, madje, si u krijuan traditat e ndryshme muzikore amerikane, e as se u krijuan pikërisht përmes shartimeve të muzikës evropiane mbi atë të Botës së re, e anasjelltas.







All the contents on this site are copyrighted ©.