2011-06-13 19:16:41

Papa, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, hap Takimin kishtar dioqezan: “Të dëshmohet me gëzim besimi në Krishtin e ngjallur!”


Sot, në orën 19.30, Benedikti XVI hapi punimet e Takimit kishtar dioqezan, në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Takimi mbahet në përfundim të vitit baritor. Tema e sivjetme është një fragment i shkëputur nga Veprat e Apostujve “Ndjenë si u shporohej zemra. Gëzimi për lindjen e fesë në Kishën e Romës”. Pikërisht mbi këtë temë, që ka të bëjë me fillesën e jetës së krishterë, do të reflektojnë së bashku famullitë e kryeqytetit të Italisë.
Sonte, menjëherë pas fjalimit të Papës, imzot Andrea Leonardi, drejtor i Zyrës katekistike romake dhe i shërbimit për katekumenatin, sintetizoi pyetësorët mbi temën, të cilëve do t’u përgjigjen të gjithë famullitarët. Për Papën Racinger është viti i shtatë, që nga zgjedhja në Fronin e Shën Pjetrit, i një shtegtimi të tillë baritor, që ka për qëllim të gjallërojë jetën e besimtarëve, duke i impenjuar gjithnjë më shumë në të tëra fushat e jetës së Kishës, gjithnjë në qendër të vëmendjes së Papës e të papëve. Të ndjekim, prandaj, disa fragmente nga fjalimet e Benediktit XVI në takimet e viteve të mëparshme dioqezane:

Të dëshmohet me gëzim feja, në të gjitha fushat e jetës: mund ta përmbledhim me këto fjalë, mandatin që Benedikti XVI i ka dorëzuar dioqezës së vet këto vite. Në fjalimin e parë, drejtuar një takimi kishtar dioqezan, një muaj pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, Papa u ndalua posaçërisht tek transmetimi i fesë në familje, parë si bashkësi e parë e krishterë. Ati i Shenjtë e lidhi kumtimin e fesë në familje, me mbrojtjen, pa asnjë kusht, të vetë jetës:
“Tek burri e tek gruaja, atësia e amësia, ashtu si trupi e si dashuria, nuk kufizohen në sferën biologjike: jeta jepet plotësisht, kur, së bashku me jetën, dhurohen edhe dashuria e ndjenjat, që e bëjnë të mundur pohimin e jetës (Fjalim në Takimin kishtar dioqezan, 6 qershor 2005).
Një vit më pas, Papa vuri në qendër të vëmendjes të rinjtë dhe sfidën kryesore të edukimit të tyre, duke theksuar se feja e morali i krishterë “nuk duan t’ia marrin frymën dashurisë, por ta bëjnë vërtet të lirë”:
“Posaçërisht adoleshentët e të rinjtë, të cilët nisin ta ndjejnë me forcë të veçantë në shpirt zërin e dashurisë, që i thërret, kanë nevojë të çlirohen nga paragjykimi i përhapur se krishterimi, me urdhërimet e me ndalimet e tij, i krijon shumë pengesa gëzimit të dashurisë; posaçërisht, të pengon ta shijosh me fund atë lumturi, që burri e gruaja gjejnë në dashurinë e tyre reciproke” (Fjalim në Takimin kishtar dioqezan, 5 qershor 2006.)
E mbi rëndësinë e edukimit të krishterë, Papa reflekton përsëri në Takimin dioqezan të 2007-tës. Përballë relativizmit e konsumizmit, vëren se është më se i domosdoshëm një formim sa më i thellë i krishterë:
“Konkretisht, ky shoqërim, duhet t’i bëjë të rinjtë ta prekin me dorë se feja jonë nuk i përket së kaluarës, se mund të jetohet sot e se, duke e jetuar, gjejmë vërtet të mirën tonë. Kështu adoleshentët e të rinjtë mund të ndihmohen për t’u çliruar nga paragjykimet e përhapura e mund të kuptojnë se jeta e krishterë është e realizueshme dhe e arsyeshme, madje, më e arsyshmja(Fjalim në Takimin dioqezan , 11 qershor 2007).
Për pëkatsinë kishtare, frymën misionare e lutjen, Papa foli në dy takimet e mëpasme. Ndërsa vitin e kaluar, theksoi në mënyrë të posaçme, binomin Eukaristi-bamirësi. Ngriti me forcë zërin në thirrjen për ta vënë Eukaristinë në krye të vendit, në jetën e bashkësive të krishtera. E ripohoi, me të njëjtën forcë, se Mesha duhet përgatitur e duhet kremtuar me pjesëmarrje të thellë shpirtërore:
“I porosis të gjithë të kujdesen sa më mirë të munden, edhe përmes grupeve të posaçme liturgjike, për përgatitjen e kremtimit të Eukaristisë, që të gjithë pjesëmarrësit të mund ta takojnë vërtet Zotin” (Fjalim në Takimin kishtar dioqezan, 15 qershor 2010).
Duke u ushqyer me Të, vijoi Papa, çlirohemi nga leqet e vetdashjes e bëhemi një gjë e vetme. E vetëm kështu mund të ndjekim logjikën e dhurimit e ta shndërrojmë edhe botën rreth nesh:
“Bamirësia është në gjendje ta shndërrojë me të vërtetë e vazhdimisht shoqërinë, duke pushtuar mendjet e zemrat e njerëzve e, kur jetohet vërtetësisht, bëhet forca kryesore, që vë në lëvizje zhvillimin e çdo njeriu e të mbarë njerëzimit”(Fjalim në Takimin kishtar dioqezan, 15 qershor 2010).











All the contents on this site are copyrighted ©.