2011-06-13 17:50:01

Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, forca e Shpirtit Shenjt frymëzues i bukurisë


Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, Benedikti XVI vuri theksin mbi forcën frymëzuese të Shpirtit Shenjt. Shpirti i Zotit – tha Papa- i jep kuptim lutjes; forcë, misionit ungjillëzues, i ndez zemrat e atyre, që e dëgjojnë Lajmin e Mirë, frymëzon artin e krishterë e melodinë liturgjike.
Pastaj Papa kujtoi lumnimin e Alois Andritckit, meshtar martir, që u lartua dje në nderimet e elterit. Meshari u mbyt nga nazistët në vitin 1943, në moshën 28 vjeçare, në kampin e përqendrimit të Dakaut. Dëshmitar heroik i fesë – e quajti Papa – i lum, që i shtohet aradheve të atyre, të cilët dhuruan jetën në emër të Krishtit në kampet e përqëndrimit. Në ditën e Rrëshajëve, Papa ia besoi ndërmjetësimit të tyre “kauzën e paqes në botë”:
“Uroj që Shpirti Shenjt t’i frymëzojë mbrojtësit guximtarë të paqes e t’i frymëzojë të impenjohen për ta çuar përpara çështjen e saj, që dialogu të ketë epërsi mbi armët e respektimi i dinjitetit të njeriut, mbi interesat e veçanta. Shpirti i Zotit, hallkë bashkimi, i drejtoftë zemrat e atyre që dredhojnë rrugë, të shtyrë nga egoizmi e ta ndihmojë familjen njerëzore të rizbulojë e të ruajë me kujdes, bashkimin e saj themelor”.
Më pas Papa kujtoi se nesër, më 14 qershor, kremtohet Dita e dhuruesve të gjakut:
“... miliona njerëz, që kontribuojnë në mënyrë të heshtur, në ndihmë të vëllezërve në vështirësi. Të gjithë dhuruesve, u drejtoj një përshëndetje të përzemërt e i ftoj të rinjtë të ndjekin shembullin e tyre”.Së fundi, Papa përshëndeti të gjithë gazetarët, mbledhur në Pistoja të Italisë, për Forumin e informacionit katolik, kushtuar mbrojtjes së gjithësisë, organizuar nga shoqata Greenaccord, me temë: “Hapësira e përbashkët e njeriut në gjithësi”. I inkurajoj me gjithë zemër gazetarët e impenjuar në mbrojtjen e ambientit – përfundoi Ati i Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.