2011-06-13 17:50:26

Në Dresden të Gjermanisë, u shpall i Lum një meshtar, i mbytur në kampin nazist të Dakaut.


U kremtua dje, në Dresden të Gjermanisë - siç e kujtoi edhe Papa në lutjen e djeshme të Mbretëreshës Qiellore – riti i lumnimit të Luigj Andritckit, prift dioqezan, martir në kampin nazist të Dakaut. Kremtimin e kryesoi kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe përfaqësues i Papës.
Luigji lindi më 2 korrik 1914, në Radibor të Saksonisë, në një familje me pesë fëmijë: tre meshkujt zgjodhën studimet teologjike; dy prej tyre, u bënë meshtarë. Pasi mori dëftesën e pjekurisë, Luigji studoi Filozofi e Teologji në Paderborn, ndërmjet viteve 1934-37; u shugurua meshtar më 30 korrik 1939. U emërua drejtues i punës baritore me të rinjtë, kapelan i Hofkirche të Dresdenit e drejtor i Pueri cantores. Në vitin 1941, kur admirimi i të rinjve për kapelanin e tyre, krejt i ri edhe ai vetë, kishte arritur kulmin, u arrestua sepse, me forcën e tij tërheqëse, i bënte konkurencë regjimit. Ra menjëherë në kthetrat e Gestapos, që e nisi në kampin e Dakaut. U betua të mos ankohej për asnjë çast e, për asnjë çast, të mos e harronte se ishte meshtar katolik. Me disa meshtarë të tjerë, të mbyllur në kampin e shfarosjes, formoi rrethin liturgjik, që mblidhej tri herë në javë, për të lexuar Shkrimin Shenjt. Por shpejt u sëmur nga tifoja. Në sa e ndjente se po i afrohej vdekja, i kërkoi rojes ta lejonte të merrte Kungimin Shenjt, shujtën për shtegtimin e mbramë. Roja iu përgjigj: “Po na dashke Krishtin, e? Do të marrësh një injeksion!”. Më 3 shkurt 1943 i dhanë vërtet një injeksion vdekjeprurës. E mbytën, duke besuar se kishin shpëtuar nga një konkurent i fuqishëm, armik i diktaturës. I hapën, kështu, portën drejt qiellit- e drejt lartimit të djeshëm në elterin e Kishës, ku pati bërë betimin t’i qëndronte besnik deri në vdekje Zotit të vet. Betim i mbajtur.Urna me reliket e tij, që ruhet në Varrezat e vjetra katolike të Dresdenit, të kujton Rrëmajin e Shkodrës, varrezën, ku ruhen reliket e martirëve tanë, viktima të një diktature tjetër, njëlloj kriminale, si ajo naziste.







All the contents on this site are copyrighted ©.