2011-06-10 15:39:40

Relikja e Papës Vojtila në Varshavë.


(10.06.2011 RV)Pas Krakovisë e Vadovices, edhe Varshava ka një relike të Gjon Palit II, lumnuar një muaj më parë. Në Panteonin e të mëdhenjve të Polonisë, në Varshavë, në Kishën kombëtare të Provanisë Hyjnore, është ekspozuar një kind i gjakosur i petkut që kishte veshur Papa, në çastin e atentatit të 1981-shit. Në mbrëmjen e së dielës së kaluar, mijëra njerëz morën pjesë në proçesionin solemn me reliken, që nisi nga qendra e qytetit, për të vijuar deri në lagjen periferike Vilanov.
Ndërmjet tjerash, lumnimi i Gjon Palit II u jetua edhe si çast kulmor i “Ditës së mirënjohjes”, që, si çdo vit, Kisha e Polonisë e kremtoi të dielën e parë të qershorit.
Kremtimin e Meshës në Varshavë e kryesoi Nunci Apostolik në Poloni, kryeipeshkvi Çelestino Miliore, në bashkëkremtim me kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore të Polonisë, kryeipeshkvin Jozef Mihalik e me kryeipeshkvin e Varshavës, kardinalin Kazimir Nyç.
Në Krakovi, qytet ku Gjon Pali II ishte ipeshkëv, si dhe në Vadovice, vendlindje e tij, në jug të Polonisë, ruhen dhe pesë relike të tjera të të Lumit.Përveç kësaj, nesër, në Krakovi, do të përurohet Qendra e re Gjon Pali II e do të shugurohet edhe një kishë, kushtuar Karol Vojtilës. Kremtimi do të arrijë kulmin me vendosjen e relikes në elter.







All the contents on this site are copyrighted ©.