Më 10 qershor përkujtojmë 133 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e para organizatë politike mbarëshqiptare mbush më 10
Qershor, 133 vjet nga formimi i saj më 1878. Me një platforme ideologjike e një program
politik kombëtar, me një strukturë organizative të shtrirë në të gjithë viset shqiptare
e të përbërë nga organet lokale e qendrore, me ushtri dhe me një veprimtari të gjerë
propagandistike dhe kulturore, Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për çlirimin e
vendit nga robëria osmane, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe për
formimin e shtetit shqiptar. Politikisht dhe ideologjikisht kjo Lidhje u formua
në kohën kur po ndihej jehona e revolucioneve çlirimtare të Evropës dhe Ballkanit.
Formimi i saj u përshpejtua pas Traktatit të Shën Stefanit, i cili e gjymtonte tërësinë
territoriale të Shqipërisë. Ajo u themelua nga Kuvendi Kombëtar i Prizrenit ku morën
pjesë përfaqësues të viseve të ndryshme shqiptare dhe ku gjithashtu u miratua statuti
dhe "Urdhëresa" ku trajtoheshin aspekte organizative, politike dhe ushtarake te saj. Lidhja
Shqiptare e Prizrenit ngriti pothuajse kudo degë të saj , krijoi një front të gjerë
patriotik duke kapërcyer dallimet klasore , fetare dhe krahinore dhe u bë një forcë
e organizuar , duke fituar një autoritet të padiskutueshëm në mbarë vendin. Lidhja
Shqiptare e Prizrenit ngriti me forcë para Qeverisë Osmane çështjen e bashkimit të
të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politiko-administrative, që Porta
e Lartë në mënyrë të vendosur e kundërshtoi. Ajo dërgoi në pranverë të vitit 1879
një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri, tek Fuqitë e Mëdha të Evropës, i cili
mbrojti para tyre çështjen kombëtare shqiptare duke kërkuar njohjen e popullit shqiptar
si një të pandarë , respektimin kundrejt tij të parimit të kombësisë, dhe ruajtjen
e tërësisë territoriale të tij. Ndër betejat më të rëndësishme të kryesuara nga Lidhja
Shqiptare e Prizrenit ishte mbrojtja e Plavës dhe Gucisë , e Hotit dhe e Grudës. Lëvizja
për mbrojtjen e tërësisë territoriale u shoqërua me luftën për autonomi. E tronditur
nga kjo veprimtari e fuqishme "I sëmuri i Bosforit" ,Qeveria Osmane, hodhi forca të
mëdha ushtarake për ta shtypur atë. Në mars te vitit 1881 u pushtua qëndresa e fundit,
Shkupi dhe anëtarët e komitetit të Lidhjes së qytetit u internuan. Edhe pse u shtyp
Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar.
Epopeja e madhe që ajo shkroi i dha një shtytje të re Lëvizjes Kombëtare duke ushtruar
ndikim të madh në luftërat e mëvonshme për liri. Luftën e tyre për çlirim mbarëkombëtar
shqiptarët e mbështetën në idetë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në përvojën e saj
politike organizative dhe ushtarake. Në Lidhje morën pjesë figura të shquara si Abdyl
Frashëri, Sulejman Vokshi, Iljaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni etj.