2011-06-10 19:45:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Rrëshajëve


Zoti flet në gjuhën tënde! Dëgjues të nderuar të Radio Vatikanit, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të solemnitetit të Rrëshajëve, festës së Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, në Jerusalem. Që nga ajo ditë e nga ajo ngjarje madhore e vendimtare, mund të pohojmë se historia dhe njerëzimi kanë një orientim të ri, një hov të ri, një dritë të re, një horizont të pakufishëm drejt Amshimit.
Pra, kanë kaluar 50 ditë nga solemniteti i Pashkëve e sot, me Kishën në festë, kremtojmë dhuratat që Jezu Krishti Zot i pat premtuar dhe dhuruar asaj, pra ne të gjithëve: Shpirtin Ngushëllues që vjen nga Ati Qiellor, Shpirtin Shenjtërues Zot që na është dhuruar në zemrat tona me sakramentin e Pagëzimit, në mënyrë që të mund të ecim, të mund të veprojmë e të jetojmë në Dritën Hyjnore, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, të cilin jemi të ftuar ta dëgjojmë e ta pasqyrojmë, pra ta dëshmojmë në jetë e në marrëdhëniet tona të përditshme me të tjerët. Festa e Rrëshajëve, festa e Ardhjes së Shpirtit Shenjt mbi Apostujt shënon ditëlindjen e Kishës dhe ditëlindjen e gjallërimit tonë si besimtarë e dëshmitarë të Krishtit të Gjallë, Shpëtimtarit të njerëzimit.
Pra, nga kjo ngjarje e Rrëshajëve, Shpirti Shenjt Zot banon në shpirtin tonë njerëzor, Zoti është bërë më i afërt me ne, Ai është më intim me ne, se sa ne jemi me vetveten tonë, thotë shën Agostini. Kështu, festa e Rrëshajëve na siguron se Zoti nuk na braktis kurrë, por Ai është miku e shoku i përjetshëm e i përhershëm i udhës sonë në jetën tokësore drejt përjetësisë qiellore.
Është Shpirti Shenjt Zot Ai që na jep kuptimin e ri të misterit të Jezusit.
Pa Të është e pamundur të depërtojmë në këtë mister të Krishtit Zot. Është Shpirti Shenjt Ai që na bën të aftë t’i lexojmë ngjarjet tona e të njerëzimit mbarë në dritën e fesë, në fenë e Krishtit që është dhuratë e tij. Me kremtimin e solemnitetit të festës së Rrëshajëve, Kisha e mbyll ciklin e Pashkëve për të vijuar me kohën e zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar.
Porsi pema që, pas stinës së lulëzimit, më në fund sjell frytet e veta në mënyrë që të gjithë të mund t'i shijojnë, po kështu është edhe për Kohën e Pashkëve që mbyllet duke na dhuruar Shpirtin Shenjt. Duke iu dëftuar nxënësve të vet të mbyllur në Cenakull, Jezusi u dhuron atyre Shpirtin; në dyzet ditët që pasojnë Ngjalljen e Tij, mësuesi hyjnor Jezus flet gjithmonë për Shpirtin të cilin e pati premtuar qysh para mundimeve dhe kryqëzimit.
Sot Shpirti vjen në plotësi e menjëherë fillon misionin e tij, duke e vendosur Kishën në horizontin e botës, e duke bashkuar ngadalë por vazhdimisht zemrat e çdo populli e të çdo kombi në familjen e vetme të nxënësve të Jezusit, në përqafimin e vetëm të Zotit që është Ati, Biri e Shpirti Shenjt.
Atë ditë të Rrëshajëve për botën fillon një flakë dashurie, faljeje e hiri ( bekimi) që askush nuk do të mund ta shuajë kurrë.
Sot është festa e Rrëshajëve. Me këtë solemnitet mbyllet periudha e kohës së Pashkëve që filluam para 50 ditësh. Kisha i jep rëndësi të jashtëzakonshme kësaj feste e të kremteje, aq sa ta konsiderojë ndër më të rëndësishmet pas Pashkëve. Po pse e gjithë kjo rëndësi? Përgjigjen e gjejmë në leximet biblike të kësaj së diele, duke filluar nga leximi i parë nga Vepra e Apostujve, që thotë se nxënësit gjendeshin së bashku në të njëjtin vend, në Jerusalem. Në Ungjillin e Gjonit thuhet se menjëherë pas vdekjes e pas ngjalljes së Jezusit, nxënësit rrinin me dyer të mbyllura, nga "frika prej Judenjve". Pse kishin frikë?
Me çdo gjasë, kishin frikë se do të trajtoheshin porsi Mësuesi i tyre. Jezusi, që pati predikuar dashurinë e faljen, nuk ishte i mirëpritur nga të gjithë për shkak të predikimit të tij: për shumë kënd mendimi e predikimi i Jezusit ishte shkandullues, sepse i detyronte të ndryshonin e përmirësonin jetën. Për këtë arsye e vranë. Kush ka studiuar historinë e Romës e di mirë se nxënësit kishin të drejtë të frikësoheshin, sepse në të vërtetë të gjithë qenë persekutuar e u bënë martirë të kryqëzuar, me koka të prera apo të copëtuara nga luanët e Koloseut, për fenë e tyre të gjallë në Krishtin Shpëtimtar.Mirëpo kjo ndodhi më vonë.
Po ne le të bëjmë një hap mbrapa, menjëherë pas ngjalljes së Jezusit. Gjoni, që ishte i pranishëm në skenën e ngjarjes, tregon se "ditën e parë pas të shtunës…vjen Jezusi, ndalet në mesin e tyre e thotë "Paqja me ju"". Këndej bëri një gjest simbolik: "fryu mbi ta e u tha"merreni Shpirtin Shenjt". Në këtë mënyrë Jezusi e mbajti premtimin që u pati dhënë nxënësve para se të vdiste: ai në të vërtetë u pati thënë nxënësve të vet se do të kishte qenë me ta përgjithmonë e se do t'u kishte dërguar Shpirtin e vet.
Kjo dhuratë e parë e Shpirtit ndodhi në formë private, në një dialog mes Jezusit e nxënësve. Ndërsa ditën e Rrëshajëve, Shpirti Shenjt paraqitet në mënyrë spektakolare, publike: "Vjen papritmas nga qielli një krismë, porsi era që përplaset fuqishëm, dhe e mbushi tërë shtëpinë ku gjendeshin”.
Solemniteti i Rrëshajëve nuk është thjesht kremtim apo kujtim. Është realitet, përvojë, që e jetojmë çdo vit. Shën Agostini i dallonte festat e krishtera që përkujtojnë përvjetorë të ndryshëm, nga ato që kremtojnë një mister. Ato që përkujtojnë përvjetorë, kremtojnë ri-kthimin në kujtesë të ditës kur ka ndodhur një ngjarje. Ndërsa festat që kremtojnë ‘misterin’, ndërmjet të cilave shën Agostini numëronte në radhë të parë Pashkët, jo vetëm që e kujtojnë ngjarjen, por sidomos, e ri-jetojnë atë.
Prandaj gjëja më e rëndësishme në solemnitetin e Rrëshajëve duhet të jetë që secili prej nesh të hyjë brenda misterit e të presë, me fe të gjallë që, çka ndodhi atë ditë, të ndodhë përsëri në jetën tonë personale e në realitetin tonë konkret e të përditshëm.
“Eja o Shpirt Shenjt! Ndize në ne zjarrin e dashurisë tënde! E dimë se kjo është një lutje e guximshme, me të cilën kërkojmë të prekemi nga flaka e Hyjit; por e dimë edhe se kjo flakë – e vetëm ajo – ka fuqi të na shpëtojë. Nuk duam që për të mbrojtur jetën tonë, të humbim jetën e amshuar që Zoti dëshiron të na dhurojë. Kemi nevojë për zjarrin e Shpirtit Shenjt, sepse vetëm Dashuria shëlbon. Amen!
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Vap
2, 1-11)

Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajat i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajave është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruhet shfaqja e Hyjit mbi malin Sinaj. Por, shpallet një liri më e vlefshme dhe që zgjat: liria e Shpirtit që ka ringjallur Jezu Krishtin.

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur erdhi dita e
Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.
Dhe asohere në Jerusalem banonin
judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.

Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë
galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare?

Partë,
medë,
elamitë, banorë të Mesopotamisë, të
Judesë, të
Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të
Frigjisë
e të
Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth
Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma,
judenj
e
proselitë,
kretas
e arabë - të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e
madhërueshme
të Hyjit në gjuhët tona amtare.”
Fjala e Zotit

Psalmi 104 (103)

Ref:
Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot.

________________

Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
________________

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
________________

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
________________



Leximi i dytë (1 Kor 12, 3-7. 12-13)

Shpirti Shenjt i dhuron çdokujt thirrje dhe dhurata të ndryshme, sipas personalitetit të secilit. Por lind problemi që të krishterët, të ndryshëm njëri nga tjetri mund të ndahen. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet duke e kultivuar këtë bashkim dhe duke ruajtur për secilin personalitetin e vet.

Lexim prej Letrës së parë të
shën
Palit
apostull drejtuar
Korintasve

Vëllezër, askush që fletë në ndikimin e Shpirtit të Hyjit nuk thotë: “Qoftë mallkuar
Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as: “Jezusi
është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt.
Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të
zbulesës
së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët.

Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.
Fjala e Zotit

NDJEKËSORJA

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë,

për nevojtarë,
eja, ti n’
dhanti
bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ ngushtica
ngush’llim
bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’
lodhunt
n’ jetë rishtas forcon.
N’ mund e djersë ti je pushim,
n’ vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë,

zemrat
ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot
shejtni,
shndritnai
mendjet e n’ dashuri
kalle flakë kënd n’ ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’ natyrë t’
njerit
gjë s’qëndron
që t’ jetë shenjte, si ti
don.

Njollat hiq, dangat pastro,
n’ shpirtra tanë hiret rigo,
varrët
e mëkatit na i shëro.

Çka
ësht’ t’ brishtë, këndshëm lako,
çka
ësht’ t’ ftohtë, me flakë rretho,
çka
ësht’ t’ shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ ty besojmë,
jepna ne që n’ ty shpresojmë,
shtatë
dhantitë
që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,
n’ mëkat me
vdekë
ti mos na le,
bën me ty n’ amshim t’
lumnojmë.

ALELUJA,
Aleluja.
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu,
dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja.

Ungjilli (Gjn
20, 19-23)

Jezusi sapo është ringjallur, dhe prezantohet menjëherë me një dhuratë për dishepujt që e kishin braktisur. Është dhurata e Shpirtit Shenjt. Është dhurata e ripërtëritjes, e pajtimit, e paqes. Duke dhuruar Shpirtin e tij, Krishti përsërit veprimin që Krijuesi bëri në Zanafillën, dhe u jep apostujve fuqinë për të falur
mëkatet.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së
judenjve, erdhi
Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”
Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë.
Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”
Fjala e Zotit
Tani t'i dëgjojmë leximet biblike të këtij solemniteti e pastaj komentin......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.