2011-06-10 12:34:13

Kisha na fton t’i afrohemi festës së Rrëshajëve në bashkim me Virgjërën Mari.


Pas festës të të Shëlbuemit, Kisha përgatitet për solemnitetin e madh të Rrëshajëve, që do të kremtohet këtë të diele. Kisha pra na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, të cilës i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja. Kisha na fton të bashkohemi shpirtërisht me Virgjërën Mari, ndërsa përgatitemi shpirtërisht për këtë festë e takim me Shpirtin Shenjt Zot.
Apostujt, pas të ngjiturit të Krishtit në qiell, për një çast do të jenë shastisur e ndoshta-ndoshta edhe do të jenë trembur. E Jezusi u pat thënë atyre: “Unë po ju dërgoj në mbarë botën. Shkoni e predikojani Ungjillin të gjitha krijesave”. E në të çast apostujt do të kenë pyetur vetveten: “E si mund të shkojmë në gjithë botën, kështu siç është bota, e ta kumtojmë Ungjillin, që duket krejt në kundërshtim me atë çka bota mendon ? Si mund të shkojmë e të themi: “Lum të varfrit”, kur të gjithë s’kërkojnë tjetër, veçse të bëhen të pasur? Po si mund të shkojmë e të themi: “Lum të butët”, kur të gjithë duan të sundojnë mbi të tjerët? E si mund të shkojmë e t’i themi njerëzve “Lum ata që e kanë zemrën e pastër”, kur jemi të sigurt se do të tallen me ne?
Pra besojmë se në atë çast do të ketë ndërhyrë Zoja e Bekuar e do t’u ketë thënë Apostujve: “Pse keni frikë? E harruat atë që ju tha Jezusi? Ju tha që para se të niseni, duhet të shkoni në Jerusalem e të mos lëvizni nga Jerusalemi, para se të përmbushet premtimi; premtimi që ju bëri: “Do të jeni përplot me Shpirtin Shenjt”.
Ata atëherë u mblodhën në lutje e shën Luka ungjilltar në ‘Veprat e Apostujve’ tregon se: “ Ishin një zemre e një zëri me Marinë”. Kjo është fotografia e Kishës. Apostujt ishin një zemre: atëherë krenaria ishte zbehur, për t’ia lëshuar vendin lutjes. E ishin së bashku me Marinë, gruan që edukon në fe: e erdhën Rrëshajët, erdhi Shpirti Shenjt. Mund të themi, pra, se Rrëshajët janë parakusht i apostullimit.
Kisha duhet të shkojë si misionare në botë, ajo e ka për detyrë të shkojë, ashtu si e ka për detyrë të ndalet në Jerusalem: “Prisni – pat thënë Jezusi: Prisni, derisa të përmbushet premtimi”: këtë u kujtoi Zoja e Bekuar Apostujve e këtë na kujton Kisha sot ne me rastin e festës së Rrëshajëve. Duhet të hyjmë vazhdimisht në Çenakull e të dalim prej andej vetëm atëherë, kur të mbushemi përplot me Shpirtin Shenjt Zot. Në se nuk do ta kemi forcën e Shpirtit Shenjt, s’jemi tjetër, veçse përsëritës të Ungjillit, por jo dëshmitarë të Ungjillit.







All the contents on this site are copyrighted ©.