2011-06-10 15:38:13

Imzot Tomazi në Ilo, i kundërvihet zhvillimit ekonomik, që nuk siguron punë për të rinjtë.


(10.06.2011 RV)Duhet luftuar kundër zhvillimit ekonomik pa punë, për t’u dhënë shpresë të rinjve e për t’i bërë qeveritë, që drejtojnë shtetet, më të të besueshme. E theksoi këtë imzot Tomazi, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, në Gjenevë, duke folur në Konferencën e njëqindtë të Organizatës ndërkombëtare të punës (Ilo).
Në se vendet e zhvilluara, dalngadalë, po dalin nga kriza e pashembullt financiare, pasojat e së cilës vijojnë të ndjehen në të gjithë sektorët e shoqërisë, formulat e vjetra për mbylljen e plagëve dhe rifillimin e zhvillimit ekonomik – shpjegoi imzot Tomazi - nuk po përkojnë më me një mjedis ekonomik të integruar në nivel global, në të cilin qeveritë, në shumicën e rasteve, nuk qenë të afta të gjejnë një recetë, që krijon mundësi e vende pune për miliona njerëz, në kërkim të punës së humbur. Si pasojë, ndonëse flitet për rikthimin e treguesve makroekonomikë në nivelet e para krizës, tregu i punës vijon të jetë në krizë. Përqindja e papunësisë mbetet e lartë e pa sinjale të mirëfillta për kapërcimin e situatës, as në afate të shkurtëra, e as në të gjata, ndërsa parashikimet janë të paqëndrueshme. Ekonomia botërore – vërejti përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë - edhe në se do të arrijë në nivelin e duhur, nuk është në gjendje të krijojë numrin e nevojshëm të vendeve të punës. E kjo është e vërtetë jo vetëm për ekonomitë e zhvilluara, por edhe për tregjet emergjente, si Kina e India, ku mundësia për punësim mbetet jashtëzakonisht e ulët, në krahasim me përqindjen me dy shifra, të zhvillimit të këtyre ekonomive të reja.
Atëherë duhet të bëjmë ç’është e mundur – theksoi vëzhguesi i Selisë Apostolike – për ta ndryshuar këtë skenë zhvillmi, pa punësim, sepse ka në thelb një kontradiktë, që nuk mund të mos e frenojë vetë zhvillimin. E në këtë skenë, jo fort optimiste, ata që dëmtohen më shumë, janë të rinjtë, më se 78 milion të papunë, me moshë ndërmjet 15 e 24 vjetëve. Mjafton të kujtosh se, në vitin 2010, përqindja e të rinjve të papunë është rritur me 2,6% në krahasim me të rriturit. Jo pa ironi të hollë, imzot Tomazi kujtoi se ekonomitë pas-industriale, me popullsi që vijon të plaket, nuk janë më në gjendje t’u japin punë të rinjve të tyre, ndonëse fare të paktë në këto vende. Kategoria tjetër e dobët në tregun e punës – vijoi prelati – janë gratë. Në vendet më të industrializuara të OSBE-së, papunësia e femrave është 20% më e ulët se ajo e meshkujve, ndërsa paga që marrin gratë, është rreth 20/30%, më e ultë, në krahasim me burrat. Edhe më e keqe, gjendja e atyre, që punojnë në shtëpi private, në shumicën e rasteve emigrante, numri i të cilave vijon të rritet vazhdimisht, për shkak të kërkesave, që burojnë nga vetë mënyra e organizimit shoqëror. Këto punonjëse, në shumicën e vendeve të zhvilluara, jetojnë në kushte të vërteta mjerimi, të mënjanuara nga shoqëria, pa asnjë lloj mbrojtjeje sindikale e pa mundësi për të gëzuar pensionin e nevojshëm të pleqërisë.
Prej këndej, urimi i imzot Tomazit që në këtë Konferencë të njëqindtë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (Ilo), të miratohet një Konventë ad hoc për punën shtëpijake. Së fundi, propozimi që të vihet theksi mbi një qeverisje, të bazuar mbi parimin e ndihmës e të përfaqësimit tripalësh (punëtorë, pronarë, qeveri), gjë që i krijon edhe Organizatës ndërkombëtare të punës mundësinë për ta njohur më thellë botën reale të punës e të punësimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.