2011-06-10 18:27:16

Bilanci i viktimave në Libi, sipas OKB-së, kapërcen 10 mijë vetë


Në Libi vazhdojnë bombardimet e NATO-s, të cilat synojnë Tripolin. Edhe trupat e Gedafit, në sulmet e tyre kundër Misratës, kanë shkaktuar mëse 20 të vdekur. Bilance e shifra jep edhe OKB-ja, sipas së cilës, duke pasur parasysh të dyja palët, numri i viktimave ka arritur nga 10 në 15 mijë vetë. Misioni i Kombeve të Bashkuara, që vizitoi Libinë në prill, bën të ditur gjithashtu, se ka prova për krime lufte, nga ana e forcave të kolonelit, të cilat, ndërmjet të tjerash, dyshohen se kanë sulmuar civilët e skuadrat e ndihmës humanitare, njëlloj si të ishin kundërshtarë.
E ndërsa operacionet bombarduese te NATO-s ne Tripoli këto ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm, i ashtuquajturi Grupi i Kontaktit për Libinë, është shprehur i gatshëm të ndihmoje lëvizjen kundër Gedafit me gjithsej 1,3 miliardë dollarë. Në këshillimet e bëra në Abu Dhabi morën pjesë përfaqësues nga 40 vende, ndër të cilat të gjitha shtetet pjesëmarrëse në ndërhyrjen e NATO-s në Libi. Disa vende arabe që do të japin para, duan t`ia kalojnë direkt ndihmat e tyre qeverisë kalimtare në Bengasi. Vende të tjera si SHBA dhe Italia, do ti derdhin fondet përmes organizatave humanitare. Përfaqësues të rebelëve libianë kërkuan heqjen e bllokimit për paratë e ngrira të Gaddafi-t, për të mbuluar nevojat e popullsisë me ushqime dhe ilaçe.







All the contents on this site are copyrighted ©.