2011-06-09 17:36:00

Shqipëri: Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin, Rama nuk pranon.


Në Shqipëri gati një muaj pas votimeve të 8 majit, Kolegji Zgjedhor zbardhi vendimin e ditës së premte ku rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste, ku kundërshtonte vendimin e KQZ së për të numëruar votat e hedhura në kutitë e gabuara. Në argumentet e tij, Kolegji kundërshton PS-në,duke thënë se KQZ nuk ka vepruar në kapërcim të kompetencave të saj në marrjen e vendimit , kur e ka miratuar këtë vendim me katër vota pro, pasi nuk bëhet fjalë për akt normativ por për akt me karakter individual ku mjaftojnë katër vota.
Më tej në raport shkruhet se, konkretisht përmes këtij vendimi është rregulluar një marrëdhënie juridike specifike, e cila ka lindur pas kërkesë së disa KZAZ ve, të njësisë zgjedhore Bashkia Tiranë, lidhur me fatin e një kategorie votash të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda të njëjtës qendër votimi.
"KQZ si organ qendror i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, është organi epror i administratës zgjedhore e si i tillë ushtron dhe kompetencat e organeve të varësisë, në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre", thuhet më tej në raportin e Kolegjit. Lidhur me pretendimet e PS-së për ndryshim të rregullave të lojës, për Kolegjin edhe ky argument çmohet i pabazë, pasi në rastin konkret nuk kemi një situatë të tillë.

Me vendimin objekt gjykimi KQZ nuk ka krijuar norma e rregulla të reja sjelljeje por ka zgjidhur një situatë të re të patrajtuar më parë, situatë e krijuar në një moment të caktuar paszgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk vendosi rregulla të reja, por zgjidhi një situatë të patrajtuar më parë. Pretendimet e palës paditëse janë të pabazuara në ligj. Nuk preket asnjë rast i parashikuar në ligj për pavlefshmërinë e aktit.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se opozita mbetet e interesuar për asistencë ndërkombëtare në lidhje me procesin zgjedhor të 8 majit, jo thjesht për rezultatin, por për fatet e vendit dhe fatet e drejtësisë në Shqipëri. Në një konferencë për media, Rama theksoi se opozita pranon marrjen e opinionit nga Komisioni i Venecias, apo ndonjë institucion tjetër ndërkombëtar, por theksoi se pengesë mbetet kryeministri Sali Berisha, i cili sipas Ramës, ndryshoi rregullat e lojës përmes KQZ së, kur gara kishte mbaruar. Rama deklaroi se beteja në rrugën ligjore do të vazhdojë deri në fund, ndërsa kërkoi nga drejtësia të japë drejtësi për procesin zgjedhor të 8 majit në Shqipëri.







All the contents on this site are copyrighted ©.