Rrëshajët janë simbol “bashkimi” e “dashurie” më të fortë se “konfuzioni” e ndarjet
të shkaktuara nga njeriut.
Të dashur dëgjues, jemi vetëm pak ditë para festës së madhe të Rrëshajëve, kujtim
e kremtim i zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi apostujt. Por ç’është “Shpirti Shenjt”.
Këtë do të mundohemi të shpjegojmë sot. Një teolog pat thënë se Shpirti Shenjt,
në ndryshim nga ç’ndodh në Lindjen e krishterë, është një lloj hirusheje në teologjinë,
në liturgjinë dhe në përshpirtërinë perëndimore, i ngjashëm me vajzën e përrallës,
që njerka e lë në mesin e hirit. Në këtë thënie ka një të vërtetë, që mund të kapërcehet
nëse shihen Shkrimet e Shenjta, duke filluar që nga Besëlidhja e Vjetër, ku kemi praninë
e “Shpirtit të Zotit”, që akoma nuk është vetja e tretë e Trinisë Shenjte të krishterë,
por është një shfaqje e frytshme e veprimtarisë krijuese hyjnore, që dhuron jetën:
“Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen dhe e rinon fytyrën e dheut”, thuhet
në Psalmin 104 (30). Shpirti Hyjnor ka edhe detyrën e shugurimit të Mesisë: “Në
të”, pohon profeti Izaia në një himn të famshëm “do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti
i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës
së Zotit” (11,2). Shpirti bëhet kështu burim i vetë profecisë, siç thuhet në një pasazh
tjetër të Izaisë, që Krishti do ta zbatojë për veten e vet: “Shpirti i Zotit Hyj është
mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme”
(61,1; Lk 4,18). Në plotësimin e kohërave, Shpirti i Zotit do të ndikohet mbi të gjithë
popullin e Hyjit, siç kujton Shën Pjetri në ditën e Rrëshajëve të krishtera, në vazhdën
e shkrimeve të profetit Joel: “Do ta ndikoj Shpirtin tim mbi çdo njeri…madje edhe
mbi skllevër të mi – burra e gra – në ato ditë do ta ndikoj Shpirtin tim” (Jl 3,1-2;
Vap 2,17-18). Në hebraisht, një fjalë e vetme, “rûah”, tregon si Shpirtin hyjnor,
ashtu edhe shpirtin e njerëzve e të kafshëve, si edhe erën. Kjo polisemi pasqyrohet
edhe në termin grek “pnéuma”. Sugjestive, janë fjalët e Krishtit për Nikodemin, në
të cilat Shpirti ngrihet në qiell si burim e rilindjes sonë përmes pagëzimit: “Kush
nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit. Çka
lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është…Era fryn në drejtimin
që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon: Kështu ndodh edhe me secilin
që lind prej Shpirtit” (Gjn 3,5-8). Shpirti Shenjt pra, është thelbi i asaj jete hyjnore,
që ndikohet mbi të pagëzuarin, duke e bërë bir të Zotit, gati ta thërrasë me emrin
“Abbá” (atë), në një intimitet të ngjashëm me atë të Birit të tij, Jezu Krisht (Rm
8,15). Kështu, në Besëlidhjen e Re përvijohet prania gjithnjë e më personale e
Shpirtit Shenjt, deri në atë pikë sa të duken formula “trinitare”, që zënë vend në
tekstet paoline e në mandatin e fundit, që i Ringjalluri i dorëzon Kishës në përfundim
të Ungjillit sipas Mateut: “Shkoni, e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni
në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt” (28,19). Shën Gjoni Ungjilltar, duke
na propozuar pesë premtimet e Shpirtit Shenjt, thënë nga Jezusi gjatë Darkës së Mbrame,
përvijon misionin e tij të dyfishtë. Nga njëra anë, Shpirti Shenjt duhet të “kujtojë”,
pra ta mbajë gjithnjë gjallë e vepruese fjalën e Krishtit brenda Kishës, duke e udhëhequr
drejt së vërtetës së plotë. Nga ana tjetër, Shpirti është përkrah besimtarit që
vuan, si Krishti, në mesin e një bote që e refuzon dhe e persekuton. Prania e Tij
“ngushëllon” dhe mbështet, sepse Ai “do ta vërtetojë se bota është gabim, në lidhje
me mëkat, me drejtësi dhe me dënim” (Gjn 16,8). E ky është çasti i madhërishëm i dënimit
të së keqes në botë.