2011-06-09 16:48:42

Papa ambasadorit të Sirisë: më shumë liri për njerëzit, “jo” veprimeve të njëanshme për Lindjen e Mesme


Veçanërisht domethënëse, fjala e Benediktit XVI për ambasadorin e ri të Sirisë pranë Selisë së Shenjtë, Husam Edin Aaala. Papa u ndal në revoltat e vendeve arabe dhe në situatën e vështirë në Lindjen e Mesme.
Ngjarjet e fundit në jug të Mesdheut, nënvizoi Ati i Shenjtë, tregojnë dëshirën e njerëzve për një të ardhme më të mirë në fushën e ekonomisë, të drejtësisë, të lirive e të pjesëmarrjes në jetën publike. Nga ana tjetër, ato kërkojnë reforma të vërteta në jetën politike, ekonomike e shoqërore. Reforma të rëndësishme, të cilat është mirë, theksoi Papa, të mos realizohen në një ambient intolerance, diskriminimi, konflikti e dhune, por në respektimin e së vërtetës, të bashkëjetesës, të pajtimit, të të drejtave të ligjshme të njerëzve dhe të bashkësive. Këto janë parimet, që duhet të udhëheqin autoritetet e këtyre vendeve.
Njëkohësisht, vërejti Benedikti XVI, duke pasur parasysh gjendjen në Lindjen e Mesme, duhet gjetur një zgjidhje globale për paqen në rajon, fryt i kompromisit ndërmjet palëve e jo zgjidhje e njëanshme, e imponuar me forcë.
Papa nuk mungoi të përmendë rolin pozitiv të të krishterëve në shoqërinë siriane, si edhe marrëdhëniet paqësore ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në vend, duke theksuar se konfrontimi mes bashkësive e përmasave të ndryshme të shoqërisë duhet të bëhet përmes dialogut, dëgjimit e bashkëpunimit. Në fund, Benedikti XVI e falenderoi popullin sirian për mikpritjen që u ka dhënë këto vite, refugjatëve të krishterë nga Iraku.







All the contents on this site are copyrighted ©.