2011-06-09 17:15:49

Më 9 qershor përkujtojmë trembëdhjetë vjetorin e vdekjes së kardinalit Agostino Kazaroli, protagonistit të Ostpolitikës


Trembëdhjetë vjet më parë, si sot, më 9 qershor 1998, shuhej në Vatikan, në moshën 83 vjeçare, kardinali Agostino Kazaroli, protagonist në detyrën e Sekretarit të Shtetit, i së ashtuquajturës Ostpolitik të Selisë së Shenjtë. Fjala është për dialogun e Kishës Katolike me regjimet komuniste në vitet para rënies së Murit të Berlinit. Sot, kardinali Anxhelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, kryesoi Meshën e Shenjtë për shpirtin e imzot Kazarolit në Bazilikën e Shenjtërve Apostuj në Romë. Nesër, kardinali Kazaroli do të kujtohet në një kuvend në Sallën e Sinodit në Vatikan, të cilin do ta hapë kardinali Tarçizio Bertone, Sekretari aktual i Shtetit.
Natyrisht, nga Ostpolitika ishte krejtësisht e përjashtuar Shqipëria enveriane, e cila kishte vendosur ta mohonte Zotin me Kushtetutë e ta persekutonte këdo që e zinte në gojë, apo i shërbente. Përsa i përket kardinalit Kazaroli, jo të gjithë ipeshkvijtë e Lindjes ishin dakord me nismat e tij diplomatike, por mbetet i pamohueshëm vullneti i tij i mirë për të siguruar atë çka ishte e mundur për Kishën e Lindjes, në një kohë kur mbretëronte Lufta e Ftohtë. I kërkuam një mendim për kardinal Agostino Kazarolin, atij që ishte për vite me radhë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, kardinalit Akile Silvestrini:
Duhet të mendojmë se kur ai filloi në vitin 1963, sapo kishte nisur Koncili ekumenik i Vatikanit II dhe Papa Gjoni XXIII donte që të vinin ipeshkvijtë e Lindjes. Kazaroli shkoi të takonte kardinalin Mindszenti, që ishte refugjat në ambasadën e SHBA-ve pas falimentimit të revoltës hungareze më 1956. Shkoi edhe të shihte kardinalin Beran, i cili qëndronte në një vend të fshehtë, nga ku i kishte shkruar Papës një letër, ku e pyeste: “Ç’të bëjmë për Kishën tonë?”. Takimi i Kazarolit me Beranin hapi mundësinë për t’u marrë me Çekosllovakinë. Më pas, i gjithë impenjimi i tij në negociatat plot durim me Jugosllavinë, Hungarinë, Bullgarinë, Çekosllovakinë për të rilidhur marrëdhëniet, që ishin ndërprerë krejtësisht. Element tjetër i Ostpolitikës ka qenë Konferenca e Helsinkit, e nxitur dhe e kultivuar prej tij. Propozimi pat ardhur nga Lindja dhe kardinali Kazaroli e pati kuptuar se nëse Selia e Shenjtë do të hynte me të drejta të plota ndër shtetet anëtare të Konferencës së Helsnikit, do të kishte më legjitimitet në çdo negociatë, rast për rast. Pra, kjo pjesëmarrje, që filloi më 1972 dhe u kurorëzua me nënshkrimin e Dokumentit përfundimtar, hartuar nga kardinal Kazaroli, në Helsinki më 1975, dha mundësinë më pas të bëheshin vizita, negociata e të lidheshin kontakte në të gjitha vendet.
Kujtojmë se Shqipëria i nënshkroi aktet e Konferencës së Helsinkit vetëm në vitin 1990. Në të bëhej fjalë për sigurinë në Evropë; për bashkëpunimin ekonomik, shkencor, teknik e ambiental; dhe për të drejtat e njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.