2011-06-09 13:42:41

Më 9 qershor, kalendari Kishtar përkujton Shën Efremin, teolog e doktor i Kishës.


Shën Efremi, Sirian, teolog i shekullit të 4-të, lindi në Nisibi, (Mesopotami) në vitin 306, ndërsa vdiq në qytetin Edesa, Siri (sot Turqi) më 9 qershor të vitit 373.
Ishte shumë i ri, vetëm 7 vjeçar kur Konstantini e shpalli ediktin e Milanos. Mirëpo, Efremi nuk e pati mundësinë ta gëzonte lirinë e kultit të fesë në familje, sepse babai i tij, prift pagan nuk ishte i mendimit e nuk i pëlqente formimi i krishterë, të cilin formim të birit ia mësonte nëna e vet e përshpirtshme.
Për këtë Efremi qe dëbuar nga i ati prej shtëpie. 18 vjeçar e mori pagëzimin dhe jetoi në Edesa, duke punuar si shërbëtor në një banjo publike. Në vitin 338 Nisibi qe sulmuar prej Persianëve dhe Efremi luftoi në mbrojtje të tij. Kur Nisibi ra nën pushtimin persian, Efremi, i shuguruar diakon, në vitin 365 u vendos në Edesa, ku drejtoi një shkollë.
Si njohës i thellë i Shkrimeve biblike, Shën Efremi ishte përçues (transmetues) i mirëfilltë i doktrinës së Kishës së vjetër kristiane. Njihet si përhapësi i së vërteta të krishtera, kryesisht përmes poezisë, për çka edhe u quajt “harpa e Shpirtit Shenjtë”. Vdiq më 9 qershor të vitit 373 në Edesa.
Tradita kishtare e kujtoi shën Efremin si njeri të përshpirtshëm, teolog të shquar e murg shembullor dhe të vendosur. Shën Efremi e thelloi reflektimin teologjik përmes poezisë e mund të themi se tipari kryesor i veprës së tij është takimi i teologjisë me poezinë. Sipas Benediktit XVI “teologjia, reflektimi fetar, poezia, kënga, lavdërimi i Hyjit shkrihen së bashku e pikërisht në këtë karakter liturgjik të teologjisë së tij, duket qartë e vërteta hyjnore”.
Në veprën e tij Efremi përdori me sukses të madh sidomos simbolin, në sa këndonte teologjinë në një poezi jashtëzakonisht të pasur me figura letrare të marra nga natyra, nga jeta e përditshme e nga Bibla – shpjegon Papa Racinger – duke nënvizuar vlerën katekistike të kësaj vepre e duke pohuar se është plotësisht aktuale për jetën e kishave të ndryshme të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.