2011-06-08 16:02:40

Shqipëri: më 13 qershor seanca mbi padinë e re të socialistëve


Në Shqipëri, kolegji zgjedhor përcaktoi sot trupën e gjykatësve të cilët do të shqyrtojnë kërkesë padinë e re të paraqitur dje pasdite nga partia socialiste. Seanca do të zhvillohet të hënën e ardhshme, më 13 qershor.
Të premten e kaluar kolegji rrëzoi kërkesën e opozitës për të konsideruar të paligjshëm vendimin e Komisionit qendror të zgjedhjeve i cili i hapi rrugë rinumërimit të fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, pas të cilit u shpall fitues në garën për Bashkinë e Tiranës kandidati demokrat Lulzim Basha.
Këtë herë socialistët kërkojnë gjykimin ne themel të çështjes që lidhte me fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara. Në tekstin e ankimimit socialistët shprehen ndër të tjera se Komisioni qendror i Zgjedhjeve, me hapjen e kutive për numërimin e fletëve të votimit që ndodheshin në kutitë e gabuara ka ndryshuar tabelat e grupeve të numërimit në kundërshtim flagrant me ligjin sipas tyre.
Ata ankohen edhe për faktin se në fund të procesit të rinumërimit dhe ndryshimit të tabelave, rezultojnë 357 fletë votimi më shumë se sa votues, ndërkohë që edhe konsiderimi si të vlefshme të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara bie në kundërshtim me përcaktimet e kodit zgjedhor, sipas opozitës.
Kandidati i mazhorancës Lulzim Basha në një konferencë për shtyp të mbajtur nga selia e PD-së përforcoi edhe njëherë pozicionin e tij për të njohur çdo rezultat të zgjedhjeve që vjen nga institucionet. Basha nënvizoi se letra e hapur e Ramës ndaj publikut, nuk është gjë tjetër veçse presion ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe drejtësisë.

“Pritëm me durim dhe respekt, institucionet kanë funksionuar dhe zëri i tyre është dëgjuar. Falënderoj ata që e bënë të mundur këtë proces të lirë e transparent.

Cili do qoftë verdikti i institucioneve, unë do ta njoh atë. Nga ana tjetër rivali im bëri të kundërtën tha që nuk do ta njohë rezultatin. Unë them se numërimi i cdo vote është i drejtë, Rama ka të drejtë të përdorë të gjitha mjetet por jo të mos njohë verdiktin e popullit. Institucionet tona janë të pavarura dhe janë ato që japin verdiktin final. Është detyra jonë ta pranojmë se ligji është mbi të gjithë. Rama ka vendosur t’i bëjë presion Kolegjit Zgjedhor me anë të një letre, kjo është e papranueshme. Presioni ndaj Kolegjit, është presion ndaj drejtësisë”, deklaroi Basha.

Sipas Bashës, arsyet pse Rama do të mos pranojë vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk janë gjë tjetër veçse orvatje për të përbaltur procesin zgjedhor. Numërimi i çdo vote, theksoi Basha nuk është barbarizëm.
Kreu i opozitës Edi Rama ka ripërsëritur edhe një herë apelin që bëri dje në letrën e hapur drejtuar publikut për vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Rama solli edhe një herë në vëmendje faktin se Kolegji Zgjedhor ka përfunduar afatet ligjore të zbardhjes së vendimit.

“Afatet ligjore janë shkelur ndërkohë mos arsyetimi i vendimit përbën pengesë serioze në proces pasi procesi vazhdon dhe ka afat ligjor për tu përmbushur që është seanca e ditës së hënë. Unë dëshiroj të nënvizoj domosdoshmërinë e të kuptuarit se kjo çështje lidhet përditë e më shumë me fatin e drejtësisë në këtë vend dhe me një sërë faktorësh të rëndësishëm dhe jetik për fatin e vendit do përcaktohen në varësi të mënyrës si do të zgjidhet çështja”,- pohoi Rama. Sipas Ramës nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor varet fati integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.