2011-06-08 15:24:36

Papa në audiencën e përgjithshme kujtoi shtegtimin në Kroaci: Evropa duhet ta mbrojë pa frikë familjen.


Evropa nuk duhet të ketë frikë nga Zoti, por t’i ruajë e t’i përtërijë rrënjët e veta të krishtera: këtë pohoi me forcë Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, kushtuar shtegtimit të tij apostolik në Kroaci. Benedikti XVI theksoi posaçërisht rolin e familjes së krishterë në Kishë e në shoqërinë e sotme. Besnikëria bashkëshortore – pohoi – për vetë natyrën e saj, është dëshmi e dashurisë së Krishtit............RealAudioMP3

Evropa ka nevojë që familjet e krishtera t’ia hapin zemrën Hyjit të Jezu Krishtit, që është Dashuri e Vërtetësi. Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI ripërshkoi etapat kryesore të shtegtimit të tij të fundit në Kroaci, ku, siç theksoi ai vetë, ishte për të kremtuar, në gjirin e popullit kroat, Ditën kombëtare të familjeve. Duke kujtuar të Lumin Karol Vojtila, ripohoi me forcë rolin e rëndësishëm të familjes në Kishë dhe i drejtoi përsëri Evropës thirrjen, që jehoi gjatë gjithë shtegtimit në trojet kroate:
“Në Evropën e sotme, Kombet me traditë të fortë kristiane kanë përgjegjësi të veçantë në përpjekjen për mbrojtjen e familjes, të bazuar mbi martesën, e cila mbetet gjithnjë vendimtare si në fushën edukative, ashtu edhe në atë shoqërore. Prandaj ky mesazh kishte rëndësi të madhe për Kroacinë që, e pasur siç është me trashëgimi shpirtërore, etike e kulturore, së shpejti do të hyjë në Bashkimin Evropian”.
Duke kujtuar në mënyrë të veçantë Meshën e Zagrebit me familjet kroate, Papa theksoi se në një mjedis, ku vijon të shtohet numri i ndarjeve dhe i divorceve, besnikëria bashkëshortore, për vetë natyrën e saj, bëhet dëshmi domethënëse e dashurisë së Krishtit. Në vijim kujtoi edhe se mësimi i parë i edukatës së fesë është pikërisht besnikëria ndaj lidhjes martesore:
“Prej saj fëmijët mësojnë, pa fjalë, se Zoti është dashuri besnike, e durueshme, respektuese e bujare. Besimi në Zotin, që është dashuri, transmetohet para së gjithash me dëshmimin e besnikërisë ndaj dashurisë bashkëshortore, që shprehet, pastaj, në mënyrë të natyrshme, në dashurinë për fëmijët, fryt i këtij bashkimi. Po kjo besnikëri nuk është e mundur, pa hirin e Zotit, pa ndihmën e fesë e të Shpirtit Shenjt”.
Papa kujtoi, pastaj, çastin tejet prekës të Mbrëmësores së lutjes me të rinjtë. Atyre u thashë – shpjegoi – se të ndjesh gëzimin e papërshkrueshëm të fesë, do të thotë të zbulosh Zotin, që të do i pari:
“Është një zbulim, i cili na mban gjithnjë dishepuj; do të thotë, gjithnjë të rinj në shpirt! Ky mister, gjatë Mbrëmësores, u jetua në lutjen e adhurimit eukaristik: në heshtje të thellë, qenia jonë “e tëra në Krishtin”, gjeti përsosurinë e vet. Kështu ftesa ime për ta ndjekur pas Krishtin, ishte jehonë e Fjalës, që Ai vetë u drejtonte zemrave të të rinjve”.
Benedikti XVI kujtoi edhe lutjen pranë varrit të të Lumit Stepinac, ipeshkëv e martir kroat. Ai – tha Papa – në emër të Krishtit, iu kundërvu me guxim, në fillim padrejtësive të nazizmit e të fashizmit e, pastaj, atyre të regjimit komunist. Në dritën e dëshmisë së tij, i inkurajoi ipeshkvijtë e meshtarët për ta vijuar misionin me zell të ri apostolik, edhe në rrethana nga më të vështirat, si ato, në të cilat jetoi i Lumi Stepinac, kur naltoheshin kryqe të reja e Golgota ishte më e prekshme se kurrë. Pastaj mendimi i Atit të Shenjtë shkoi tek takimi me shoqërinë civile në Teatrin kombëtar të Zagrebit, ku citoi fjalët e shkencëtarit të madh jezuit, Boskoviç:
Edhe një herë të gjithëve na u duk e qartë prirja e Evropës, që duhet ta ruajë e ta përtërijë humanizmin me rrënjë të krishtera, i cili mund të quhet “katolik”, gjë që është njëlloj si të thuash universal, i gjithanshëm”.
Evropës i duhet humanizmi, i cili vë në qendër të vëmendjes ndërgjegjen e njeriut, dëshirën për t’ia hapur zemrën Zotit e, njëkohësisht, edhe realiteti i saj historik, i aftë për të frymëzuar projekte politike të larmishme, por që përkojnë në përpjekjen për ndërtimin e demokracisë së vërtetë, të bazuar mbi vlerat etike të krishtera, me rrënjë në vetë natyrën e njeriut. Pastaj, duke iu drejtuar Kontinentit të Vjetër, Papa theksoi edhe një herë sfidën më të madhe, që duhet të përballojnë sot popujt evropianë:
“Nuk duhet të kenë frikë nga Zoti, nga Hyji i Jezu Krishtit, që është Dashuri e Vërtetësi e nuk e cënon aspak lirinë. Përkundrazi, i rikthen fytyrën e saj të vërtetë e i hap horizontin e një shprese të besueshme”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi se të dielën e ardhshme do të kremtojmë Solemnitetin e Rrëshajëve. Prej këndej, i ftoi të gjithë besimtarët t’i luten Shpirtit Shenjt:
“Ju nxis ju, të rinj, t’i luteni vazhdimisht Shpirtit Shenjt, që t’ju bëjë dëshmitarë sypatrembur të Krishtit. Shpirti Ngushëllues ju ndihmoftë ju, të dashur të sëmurë, ta pranoni me fe misterin e dhimbjes e ta ofroni për shëlbimin e të gjithë njerëzve; e ju ndihmoftë edhe ju, të dashur bashkëshortë të rinj, ta ndërtoni familjen tuaj mbi bazën e sigurtë të Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.