2011-06-08 15:45:05

Benedikti XVI takohet me drejtorin ekzekutiv të Agjencisë së OKB-së kundër Drogës e Krimit.


Në përfundim të audiencës së sotme të përgjithshme, Papa u takua me Juri Fedotov, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së OKB-së kundër Drogës e Krimit (Unodoc). Duke pasur parasysh bashkëpunimin, në rritje, të Agjencisë me organizatat fetare e duke pranuar rolin e madh që luajnë në përpjekjet për krijimin e një shoqërie pa krime e pa drogë, Fedotov pohoi se, me një miliard besimtarët e saj, Kisha Katolike ka një pozitë të privilegjuar në misionin për të përhapur ndërmjet njerëzve mesazhe kyçe, që mund të ndikojnë fuqimisht për parandalimin e krimit e të përdorimit të drogës.
Audienca me Atin e Shenjtë – shpjegohet në një komunikatë të Unodoc – ishte një rast i përshtatshëm për të thelluar bashkëpunimin ekzistues me Kishën Katolike, posaçërisht në fushën e parandalimit të drogës, mbrojtjes së shëndetit, luftës kundër kriminalitetit, trafikut të njerëzve e të emigrantëve. Këto tematika u prekën edhe gjatë takimeve që, këto ditë, drejtori ekzekutiv i Unodoc pati me kryeipeshkvin Dominik Mambertì, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me kardinalin Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.